Rama takon kryebashkiakët e rinj, mungojnë të djathtët: Mbështetje pa asnjë rezervë

Kryeministri Rama ka bërë një takim me kryetarët e ri të njësive vendore për të diskutuar rreth ndryshimeve ligjore dhe administrative që kanë ndodhur si pasojë e reformës territoriale.

Në takim kanë munguar pothuajse të gjithë kryetarët e zgjedhur të Partisë Demokratike. Veprimin e tyre Kryeministri e ka cilësuar si një veprim aspak dinjitoz, duke thënë se ata nuk kanë mundur që të hipin dot mbi mesazhin “Kam frikë se më shohin”, mesazh të cilin Rama e ka përmendur shpesh gjatë fushatës. Shefi i qeverisë premtoi mbështetje maksimale për çdo bashki, pavarësisht se drejtuesi është i majtë apo i djathtë, shkruan gazeta-Shqip.com

“Jam i keqardhur që pjesa tjetër nuk ka hipur mbi atë mesazhin e fushatës elektorale. ‘kam frikë se më shohin’. Ky është një takim i rëndësisë së posaçme pavarësisht nga mungesa e kryebashkiakëve që kishin konfirmuar apo refuzuan të konfirmojnë se do të vinin. Jemi në kushtet e jashtëzakonshme, sepse puna fillon me një barrë të madhe përgjegjësie dhe me domosdoshmërinë për të harmonizuar një sërë hapash të kalimit nga njësitë e vjetra në njësitë e reja. Është përgatitur një material i plotë nga ministria e linjës për kryetarët e rinj, i cili është një udhëzues për aspektet ligjore dhe administrative që duhen mbajtur parasysh në procesin e tranzicionit”

“Mbështes pa asnjë rezervë të gjithë kryetarët e bashkive të vendit që do të kenë vullnetin dhe dëshirën që do të bashkëpunojnë me qeverinë. Nuk do të lutemi për bashkëpunimin, sepse besojmë se është e drejta e zgjedhjes e çdonjërit prej të zgjedhurve që të synojnë bashkëpunimin me qeverinë ose ta refuzojnë atë. Nuk do ketë asnjë dallim partiak për të gjithë të zgjedhurit vendorë që janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me qeverinë. Shpresoj se kandidatët e së djathtës, duhet të dalin nga guaska mbytëse e politikës qorre e kryetarit të tyre dhe të vihen në dispozicion të qytetarëve, e të kuptojnë se janë kryetarët e kryetaret te të gjithë komunitetit, pavarësisht se për kë kanë votuar zgjedhësit. Nuk i ndajmë bashkitë në të kuqe dhe blu, por ato janë njësitë e reja të zhvillimit”, tha Rama. Më pas ai foli për ndryshimet që do të ndodhin në bashkitë e reja.

Lajme të ngjashme

Back to top button