PS-ja me ndryshime, nuk ka votim me kryetar

Partia Socialiste nis brenda këtij muaji procesin e zgjedhjeve dhe të rinovimit të saj.

Dy procese këto që do shkojnë paralelisht, pra njëri që do synojë rizgjedhjen e të gjitha strukturave të partisë dhe një që do tentojë që në qershorin e ardhshëm kjo forcë politike të ketë të regjistruar 150 mijë anëtarë realë aktivë.

Këtë plan në fakt e shpalli javën e shkuar vetë kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit, ndërsa burime nga ajo mbledhje bënë me dije se ky proces do nisë që në këtë muaj, ku pritet të bëhet mbledhja e Asamblesë Kombëtare, e cila do të shpallë procesin zgjedhor në parti.

Por jo vetëm kaq, mbledhja e Asamblesë Kombëtare pritet të bëjë dhe shpalljen e nismës për ndryshimet në Statutin e partisë, me qëllim që ato të jenë gati në muajin dhjetor për t’u miratuar në Kongres, transmeton Mapo.al.

Kështu, burime nga selia rozë kanë bërë me dije dje se krahas dy proceseve të bëra tashmë publike do zhvillohet dhe një proces i tretë, ai i ndryshimeve statutore. Sipas tyre, këto ndryshime bëhen të detyrueshme për të përshtatur statutin dhe organizimin e partisë me ndarjen e re territoriale.

Kështu, një nga ndryshimet që pritet të bëhet është pikërisht ai që heq nga Statuti organizimin e partisë në bazë rrethi, kjo për vetë faktin se me ndryshimet e reja statutore, rrethi nuk ekziston më si koncept organizativ i territorit. Por ky do jetë vetëm një nga ndryshimet në statut, pasi burime të tjera nga PS-ja bëjnë me dije se në statut pritet të bëhet dhe një përcaktim më i saktë në lidhje me dispozitën që ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit të PSSH-së.

Kështu pritet që ndryshimi në fjalë të qartësojë pikërisht momentin që në rastet kur partia fiton zgjedhjet parlamentare, kryetari i partisë nuk është e nevojshme që t’i nënshtrohet votimit për t’u votëbesuar edhe në strukturat partiake. Pikërisht me këtë ndryshim pritet që të justifikohet edhe mospërfshirja as në këto zgjedhje e strukturave partiake, e kryetarit të partisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button