Laseri dërgon Shkëndijën para Komisionit Diciplinorë të UEFA-së

Shkëndija të enjten bëri krenar çdo shqiptar, jo vetëm në Maqedoni por edhe në Shqipëri, Kosovë, e gjetiu. ‘Kuqezinjtë’ edhe pse u ndalën me barazim 1:1 përballë Aberdinit të Skocisë, gjithsesi falë paraqitjes dinjitoze fituan simpatinë e gjithë opinionit, duke bërë që gjithë mediat në vend dhe jashtë të thurin lavda për skuadrën e trajnerit Shpëtim Duro. Bashkë me lojën e mirë, familja e madhe Shkëndija u dallua për organizim të përkryer të ndeshjes, ndërsa gjithë kësaj i’u bashkuan edhe tifozët me sjelljen korekte në tribuna, në krye me ‘Ballistët’ e mrekullueshëm në çdo aspekt.

Pa nacionalizëm, pa ofendime dhe sharje, pa provokime dhe sjellje të pahijshme, me presion sportiv të kundërshtarit dhe mbështetje të parezervë të djelomshave ‘kuqezi’. Për këtë meriton përgëzime secilit që në një mënyrë apo tjetër kontribuoi që Shkëndija në syrin e Evropës të prezantohet denjësisht dhe të dëshmojë se bëhet fjalë për një komb të civilizuar dhe që sportin e kupton si të tillë, pa futur elemente tjera që t’i imponon jeta e përditshme në këto troje. Gjithçka shkonte drejt perfeksionit deri sa ‘në skenë’ dolën individë që duhej të ngriten edhe mbi klubin dhe vetë organizimin.

Persona që si duket duhej të dalin në qendër të vëmendjes para Hasanit, Zhuniorit, Ibraimit, Kirovskit,…. që donin të duken më shumë se ‘Ballistët’ e që ishin në qendër të vëmendjes në tribuna dhe që për animin e tyre morën lëvdata edhe nga vetë futbollistët e Aberdinit. Kujt i duhej ai laser në tribuna e që drejtohej në sytë e portierit kundërshtar në momentet që Shkëndija do të ekzektuonte goditje dënimi dhe më pas çka fituam me ndezjen e fishekëzjarëve në tribunë?! Laseri s’bën dot gol dhe Shkëndija kurrë nuk do të kërkojë suksesin që do të bazohet nga pengesa jo sportive mbi kundërshtarin! E njëjta vlen edhe për fishekzjarët. Kur gjithë bota po kupton se ligji ndalon fishekzajrët në tribuna, kur ata tani më janë hequr nga ‘moda’ në vendet me futboll më të zhvilluar, në ditën kur ‘Ballistët’ bindën të gjithë se spektakël mund të organizohet edhe pa fishekzjare, del një ‘i mençur’ që tradhëton shokët me të cilët ndan tribunën dhe jep arsye për të ndëshkuar ekipin!

Delegati i UEFA-së regjistroi edhe laserin edhe fishekzjarët dhe në kushte kur të gjithë flisnin për spektaklin në fushë e tribuna, dy-tre individë bënë që Shkëndija në vend të lëvdatave të gjendet para Komisionit Diciplinor, prej ku mund të pritet ndëshkimi. E tani do ishte shumë e rëndësishme dhe interesante ‘trimat’ që bënë ‘veprën’ të japin opinionin e tyre se si ndjehen me ‘ndihëm’ që i dhanë Shkëndijës, duke u bërë ‘të veçantë’ nga gjithë tjerët që atë natë me plotëkuptimin e fjalës ishin heronj të ngjyrave ‘kuqezi’?!

Lajme të ngjashme

Back to top button