-Psiko-religjioziteti i muajit të agjërimit – (1)

Shkruan: Prof. dr. Musa Musai

Shkrimin tim do e filloja me një thënie të një hulumtuesi shkencor lidhje me agjërimin i cili ka theksuar: “agjërimi është terapi hyjnore”. Jemi mësuar gjithnjë që agjërimin si adhurim fetar (ibadet) ta shohim t’u “nënshtrohet” filtrave të mjekëve dhe teologëve, mirëpo rrallë herë kjo ndodh që të jetë epiqendër e “llupës” së psikologëve. Për muajin e agjërimit janë bërë studime e hulumtime nga studiues të ndryshëm botërorë.

Psikologët pranojnë përfitimet e agjërimit në aspekt fiziologjik (shëndetësor), qëndrueshmërisë fizike dhe asaj psikike. Si i tillë, agjërimi ka ndikim të drejtpërdrejtë në psikën e personit që agjëron. Duke pasur parasysh se Islami, kërkon nga muslimani që të jetë i pastër, vigjilent, i shkathët dhe energjik, nuk mund të gjejmë periudhë më të përshtatshme për t’i gërshetuar në mënyrën më të mirë këta komponentë, sesa gjatë agjërimit të Ramazanit.

Në aspektin fiziologjik duhet theksu që agjërimi sistemeve siç janë ai i tretjes, gjëndrave endokrine, sistemin e qarkullimit të gjakut, atë të frymëmarrjes dhe nervor i fut në një proces të pushimit. Madje gjatë agjërimit realizohet edhe procesi i ripërtrirjes së qelizave. Në veçanti duhet theksuar që specialistë të fushës së kardiologjisë, theksojnë që agjërimi është shumë efikas në parandalimin e prëhapjes së sëmundjeve tek pacientët që vuajnë nga sëmundjet koronare të zemrës dhe se në lidhje me këtë kanë arritur konstatime të mirëfillta.

Si dëshmi të kësaj do doja të citoj një konstatim të një profesori të shquar Amerikan i cili thotë:

“Agjërimi na mbron nga harxhimi i tretjes së ushqimeve të cilat janë energjia e jetës sonë, kështu që energjia jetësore përdoret në evitimin e strukturave (organizmave) të sëmura dhe toksikëve të ndryshëm. Një tjetër dobi e agjërimit qëndron në faktin që si i tillë na siguron pushimin (qetësinë) psikologjik. Sistemi i tretjes, sistemi i gjëndrave endokrine, sistemi i qarkullimit të gjakut, sistemi i frymëmarrjes si edhe sistemi nervor futen në një proces të të pushuarit. Gjatë agjërimit në trupin tonë ndodh procesi i ripërtrirjes dhe mirëmbajtjes së qelizave”. Madje agjërimi kthjellon mendjen, mprehtëson shqisat dhe përforcon memorien. Një lukth i zbrazur, gjakun i cili do harxhohet për tretje, e dërgon në tru, kështu truri pranon më shumë gjak dhe energji. Kështu që si rezultat i kësaj rritet koncentrimi dhe aftësia e të menduarit.

Konstatimet dhe arritjet e këtilla shkencore pamëdyshje se tek agjëruesit sigurojnë një ndjesi krejt tjetër nga ajo që deri më tani mund të kenë pasur lidhje me agjërimin. Përpos asaj në aspektin psikologjik, ju lehtëson për të ndërtu një percept sa më të shëndosh madje edhe më objektiv sa i përket kësaj ortopraktike fetare te vet agjëruesit. Duke u vërtetuar në atë që agjërimi, lë që nuk dëmton shëndetin e tyre, por në të kundërtën përforcon ose rigjeneron shumë sisteme në kuadër të organizmit të njeriut, atëherë tani më tepër do të përqëndrohemi tek dobitë psikologjike të agjërimit.

Nëse agjërimin e analizojmë nga këndvështrimi psikologjik mund të themi që agjërimi është një mësues i mirëfilltë dhe me vlerë për çdo një individ. Në saje të agjërimit individi arrinë të frenoj epshin, pasionet e tija, arrinë të merr në kontroll sjelljet instinktive, prirjet e vullnetit për të cilat tanimë ai është drejtues i tyre. Mëson se, duke qenë i vetëdijshëm që organizmi i tij ka nevojë për tu ushqyer dhe furnizuar me lëngje të ndryshme, kontrolli për diçka të tillë është vetëm në duart e tija, madje me vet faktin që në periudha të caktuara ai bën furnizimin e organizmit të tij me produktet ushqimore në fakt tregon që këtu ndodh një proces edukativ tejet i rëndësishëm i kontrollit të dëshirave dhe sistemit të vulnerabilitetit të njeriut. Ndonëse është premisë fetare e njohur mirë se agjërimi nuk kërkon prej nesh vetëm ndërprerjen nga ngrënia dhe pirja, por se në të njëjtën kohë kërkon përmirësimin tonë në sjelljen karshi tjterit, madje mundësisht me shumë vigjilencë dhe kujdes të posaçëm.

Vet procesi i të qëndruarit urët dhe me etje në vete ngërthen shumë pikëpamje të dobishme psikologjike, ngase njeriu kupton vështirësinë e të qëndruarit pa ushqim dhe pije, mbase paralel me këtë kupton edhe paaftësinë dhe faktin se sa i pamundshëm që është. Përmes kësaj në njëfarë mënyrë do dijë të kontrollojë në mënyrë më të drejtë diçka që ka si potencial dhe më tepër nga të tjerët, të kontrolloj dhe ul ndjenjën e superioritetit ndaj tjetrit, përpos kësaj do I mundësojë vlerësimin sa më të drejtë dhe të vërtetë qo do ia bëjë vetes dhe të tjerëve. Agjëruesi e ka të qartë se njeriu mund të jetoj për një periudhë kohore pa ngrënie dhe pa pirje, andaj edhe e kupton se ushqimi i teprët është i panevojshëm mbase edhe i dëmshëm. Agjërimi që bëhet gjatë muajit të ramazanit na vetëdijëson për një premisë të lartë se ne nuk jetojmë për tu ushqyer, por se hamë për të jetuar. Dhe se nuk ushqehemi pa rend dhe si duam, gjë që në fakt na përforcon vullnetin tonë për  kontroll.

Një professor tjetër i cili thirret në këto mirësi të ramazanit është edhe shefi i klinikës psikiatrike në spitalin hulumtues dhe arsimor të Vakif Gureba në Stamboll, Prof. Saygili potencon se: “Ramazani për psikologjinë e njeriut është jashtëzakonisht i dobishëm. Në radhë të parë e mbron atë nga egoizmi i tejtheksuar, madje nga megalomania si dhe mundësinë që përmes agjërimit te njeriu të mënjanohen disa forma ekstreme të personalitetit. Madje për të theksuar në vazhdim se, agjërimi përforcon vullnetin e njeriut, duke e bërë atë më të vendosur që do të thotë se ka një kontribut të jashtëzakonshëm në formësimin dhe brumosjen e personalitetit të individit.

Mbase nuk duhet shumë menduar lidhje me faktin që njeriu gjatë kohës kur është agjërueshëm ia lehtëson vetes ndjenjën e empatisë ndaj atyre shtresave me nevoja socioekonomike, kështu duke e kuptuar edhe më mirë edhe në mënyrë më të përbrendshme si të tillë. Dobi kjo e cila me siguri njeriut i mundëson që karshi ndjesisë së vetmisë të ndjej një vetbesim, siguri në vete edhe më të fuqishme duke u futur në një solidaritet të përbashkët me gjithë ata që agjërojnë, duke u identifikuar me ata me të cilët kryen ritualet e faljes dhe bërjes së iftareve të përbashkëta, veprim ky për të cilin nuk duhet ndonjë hulumtim i veçnatë, pasi gati çdokush po e përjeton në mënyrë direkte këtë përvojë sociale.

Duhet theksuar se shumica e hulumtimeve të realizuara lidhje me dobitë psikologjike theksojnë edhe çështjen e iftareve të përbashkëta si dhe çuarjen në syfyr duke i radhitur në përforcues të unitetit dhe afërsisë familjare, gjë kjo e cila së paku gjatë këtij muaji njeriun e largon nga bindja e të qenurit ‘ego centrik’ (d.m.th. gjithnjë vet ai në qendër të vëmendjes) dhe së paku qoftë se edhe vetëm gjatë këtij muaji ai kupton edhe nevojat, kërkesat, synimet e të tjerëve si diçka me të cilën duhet mësuar dhe jetuar.

Është diçka e pazakontë ajo që ndodh gjatë muajit të ramazanit me agjëruesin, duke parë nga njëra anë nevojën që edhe organizmi ta ripërtërijë veten, ose mbrojtjen nga intoksikuesit e ndryshëm, duhet thënë që edhe shpirti po e përjeton atë stinën pranverore të gjallërimit të tij, mirëmbajtjes, përmbajtjes së vetes, koncentrimit, sistemimit të vlerave, system ky i cili ndoshta është përfituesi më i madh për vet individin, në kuptimin e atyre të mirave materiale që ka, ngase thjesht mëson tua njoh vlerën dhe si të tilla të jenë më të respektueshme për të.

Madje është edhe një e mire sociale (kuptohet përjashtimet nuk e prishin rregullin) kur vërejmë që janë të pakësuar aksidentet rrugore, lëndimet, zënkat mes njerëzve, vetvrasjet pse jo edhe vjedhjet, për të cilat them se jashtë këtij muaji janë edhe më me intensitet. Këtu duhet parë edhe atë efektin tjetër të rehatisë psikologjike të këtij muaji sa i përket faktit që njerëzit janë më të qetë, angazhimi me ibadete dhe veprime fetare bën që të jenë më pak armiqësor, më pak të dhunshëm, ngase besoj thellë që veprimet e tilla vërtet kanë ulje në intensitetin e tyre gjatë këtij muaji. Andaj edhe të arriturat e hulumtimeve shkencore në kohë të fundit theksojnë këtë segment, duke e pare agjërimin si një process edukativo-arsimor lidhje me kontrollin e zemërimit, inatosjes, edukimin e qëndrueshmërisë, madje trajnimet e nevojshme që i bëhen egos së njeriut janë fakte tejet të dobishme për shëndetin mental të njeriut. Indirekt kjo dëshmon funksionalitetin e agjërimit në rolin e mekanizmit bazë mbrojtës të njeriut.

Konstatime të tilla shtrojnë nevojën edhe për diskutimin e disa supozimeve të shtruara më herët, por që sërish edhe tani herë pas herë paraqiten si aksioma të shkencës objektive, se “duke u zhvilluar njerëzimi largohet nga feja”. Ose ka pas edhe kaulifikime të tilla që kanë fituar statusin e ideologjive zyrtare në disa vende të botës me moton se “feja pengon përparimin”. Edhe në këto vise së paku u dëshmua që ideja e besimit nuk kishte vdekur fare dhe se ajo nuk ishte ndalur së funksionuari, ndoshta në disa vende kishte ngel gjallë vetëm përmes ëmbëlsirave të bajramit, megjithatë sot po frymon shumë më e sigurt në vete dhe në atë që liria e njeriut është e drejta e tij për të shpreh besimin (pse jo edhe mosbesmimin) që ka.

Të gjitha këto rrjedhin nga dy veçori të natyrshmërisë psikologjike të njeriut. E para: dëshira e njeriut për pavdekësi dhe amshueshmëri dhe fakti që materializmi nuk arriti të sqaroj vdekjen, E dyta: realiteti që vetëm sistemet e besimit kanë kapacitetin dhe mundësinë për t’i dhënë jetës kuptim dhe për ta ngushëlluar atë. Materializmi i cili me pohimin e tij se çdo gjë është materie i jepte përgjigje një pyetjeje por ballafaqohej me dhjetë të tjera dhe nuk prodhonte dot zgjidhje. Sot shkenca duket më objektive dhe në vend që të rivalizohet me natyrën ajo e morri pranë vetes atë dhe zgjodhi që bashkë të përparoj.

Ramazani pa dilemë që është i dobishëm për psikologjinë e njeriut. Uria njeriun e bën të përkulur. Mirësive të fala nga Krijuesi edhe më tepër ua njeh vlerën dhe rëndësinë që kanë në jetën tonë, duke u përqëndruar në një të vërtetë që njeriu ngrënien, pijen, teprimin në disa gjëra e ka të koduar në vet gjenin e tij, andaj vetëm ramazani është ai që herë pas here i përkujton njeriut realitetin dhe aksiomën që tani le të jetë boll duke i sugjeruar: “o njeri ti 11 muaj investove për të mirat dhe kërkesat material që po i shtron trupi yt, bashkë me instiktet, nevojat fiziologjike, qëllimet tua etj. Do ishte mire që 1 muaj të investosh në shpirtin tënd, të mendosh edhe për shëndetin dhe mirëqenien mentale tënde. Të pasurohesh shpirtnisht, të ngritish vlerat tua morale në pediestalin më të lartë të humanumit njerëzor, të mësosh se gjitha robërimit ndaj çkado që të jenë ato përpos Zotit janë shumë të pamëshirshme ndaj njeriut. Dhe se kërkesat e tilla nuk kanë fund në jetën e njeriut, andaj vetëdijësohu që vetëm robërimi yt ndaj Krijuesit ta fiton lirinë e vërtet shpirtërore.

Një here një filozof i kishte thënë një mikut tij, nëse do kishit një qengj dhe një fëmijë dhe secilit prej tyre nëse do i jepnit gjitha ato që i duan ata, atëherë sigurisht që do kishit një qengj të mrrekullueshëm, por do kishit një fëmijë shumë të shthurur (të deformuar). Ja ky është realiteti i kërkesave të panumërta të cilat dinë të nxjerrin në pah egërsinë, forcat keqbërëse brenda nesh. Njeriu nuk di ku duhet qëndruar dhe pozicionuar në ato raste kur mbështetet vetëm në të mirat materiale dhe plotësimin e nevojave fiziologjike. Madje është edhe ajo teoria e Abraham Maslow se të tillët ndoshta kur nuk do i afrohen vetaktualizimit (si pikëpamje më e lartë dhe mirëqenie më e preferuar psikologjike e teorisë së Maslow-it). Ky është ai procesi edukativo-arsimor i ndërgjegjësimit të njeriut përmes dhe gjatë  muajit të ramazanit.

Vazhdon

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button