Qyteti fetar, fantazmë në Turqi

Pak turistë të pavarur marrin udhë në drejtim të Kayakoyit, një qytet fantazmë vetëm nja pesë kilometra prej punëtorive të artistëve të tatuazheve, pubeve britanike dhe klubeve të natës të Hisaronut, një prej vendeve më të preferuara turistike në bregdetin jugperëndimor të Turqisë.
Ajri i mistershëm i qytezës së braktisur është pikërisht ajo çfarë nuk më la rehat dhe më tërhoqi të merrja rrugën në drejtim të tij.

Melodi turke a baladë greke?

Isha ngjitur për nja tridhjetë minuta një gjysmë kilometri rruge të thepisur në fshatin kodrinor dhe ende isha në gjysmë të rrugës që të arrija në majë të tij. Ishte e zorshme të mbaje baraspeshën e trupit në rrugën gjarpërore me sipërfaqen gurore, raporton BBC.

Anash vareshin degët e pemëve e lisave të gjatë që dukej se kishin nevojë për dorën e njeriut. Pushova goxha shpesh derisa po rrihja rrugën malore. Prej rrafshinës së luginës poshtë këmbëve të malit, mund të dëgjoja melodinë vajtuese turke që më kujtonte baladat që i kisha dëgjuar diku në Greqi.

Po çoja gllënjkat e fundit të ujit në shishen time dhe po vazhdoja ta inkurajoja veten teksa po marshoja faqes së kodrës. Djersët më rridhnin faqeve teposhtë. Më në fund pas një gjysmë kilometri tjetër, m’u shpërblye mundi. Nuk më shkoi djersa kot.

Në anën tjetër të kodrës, menjëherë ndanë lagunës së Oludenizit, para syve më shfaqet panorama e bregdetit turk dhe kaltërsia e pastër e Mesdheut turk që më mbushi me energji, transmeton “Koha Ditore”.

Njohur zyrtarisht si Levissi, Kayakoy ishte një komunitet prej 10 mijë banorësh që mezi ia dilte deri në fillim të viteve njëzetë të shekullit të kaluar.

Myslimanë të Anadollit e të krishterë ortodoksë grekë jetonin këtu në harmoni të plotë prej se e mbanin mend brez pas brezi kur zona ishte banuar prej tyre diku kah shekulli i katërmbëdhjetë.

Myslimanët, që jetonin në luginën poshtë në fshatin e njohur si Kaya (Lugina e gurtë), mundoheshin të jetonin me të mirat që u ofronte punimi i fushës, derisa të krishterët, që banonin në zonën malore e kodrinore, ishin kryesisht artizanë. Të dy bashkësitë i plotësonin nevojat e njëri-tjetrit nëpërmjet shkëmbimit tregtar dhe i dilnin zot në kohë të vështira.

Kohë e artë

Gratë këmbenin ushqimin dhe ëmbëlsirat në dasmë dhe në festa të ndryshme fetare. Muzikantët myslimanë këndonin në festivale ortodokse dhe merrnin pjesë në ndeshje pehlivanësh gjatë manifestimeve të pashkëve ortodoksë. Fëmijët luanin bashkë në rrugicat e lagjeve. Burrat e dy besimeve të ndryshme i shkrinin dallimet kur uleshin në tarracat e kafeneve dhe ia krisnin muhabetit. Ata ndërronin llafe për telashet që kishin dhe luanin ndonjë lojë tradicionale për të kaluar kohën e lirë.

Por në vitin 1923, në përfundim të luftës turko-greke të viteve 1919-1920, Kayokoy u zbraz papritmas prej më shumë se 6.500 banorëve të saj të krishterë: Qytetarët e krishterë të Turqisë dhe myslimanët e Greqisë ishin dëbuar prej shtëpive të tyre në kuadër të një marrëveshjeje për këmbimin e popullsisë që kishte për qëllim të sigurohej se secili shtet kishte vetëm një besim fetar. Levissi nisi të njihej si Kayakoy, apo Fshati i Gurtë.

Naci Dincer, banor në Fethiyen e afërt, babai i të cilit ishte vetëm pesë vjeç kur familja e tij ishte dëbuar prej Thrakës në Greqinë Lindore, ka biseduar gjerë e gjatë me mua në zyrën e tij matanë “Pasha Kebap”, restoranti më i njohur në Fethiye për gatimin e qebapëve. Me flokët e thinjura dhe faqet e kuqe, Dincer mund të kalonte matanë për festën e Shën Nicholasit, që ishte i lindur afër Pataras.

“Lagjet e tyre myslimane nuk donin që fqinjët e tyre të largoheshin”, ka thënë Dincer teksa ka folur për deportimet. “Ata madje i kishin dërguar një lutje Qeverisë në Nakara, por qeveritarët e kishin hedhur poshtë kërkesën e tyre”.

Kur edhe fati ta kthen shpinën

Kur të larguarit kishin arritur në Greqi, shumë prej tyre ishin vënë në kërkim të një vendi që do të mund ta quanin shtëpi. Ata që u dëbuan nga Kayakoy dhe Fethiye, kishin gjetur përfundimisht një vend të braktisur nja 40 kilometra në verilindje të Athinës, duke marrë këtë hise si zëvendësim të tokës dhe shtëpisë së tyre të braktisur në Turqi.

Njëherësh, bujqit myslimanë që kishin marrë rrugën në sy pas dëbimit nga Greqia u vendosën në Kayakoy që kishin mbetur shtëpitë të braktisur të banorëve të dikurshëm. Ata shumë shpejt kishin vendosur të largoheshin prej atij vendi kodrinor, duke u zhvendosur për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Një tërmet prej 7.1 shkallësh dridhi më 1957 Kayakoyin, duke shkatërruar edhe atë pak lavdi të zbehur që i kishte mbetur. Fatkeqësia natyrore shkatërroi shumicën e ndërtesave e shtëpive të zonës. Më vonë ishin rindërtuar shtëpitë dhe bizneset në rrafshinën poshtë kodrës, por shtëpitë e ndërtesat në faqen e thepisur të kodrës nuk ishin prekur prej dorës së dorës.

Sot kodra e Kayakoyit vazhdon të mbetet e shkretë. Nuk ndihet frymë njeriu, asnjëherë nuk është rimëkëmbur – as kulturalisht e as ekonomikisht – prej kohës së eksodit masiv të vitit 1923.

Shtëpitë, shkollat, dyqanet, kafenetë, kapelat dhe kishat janë lënë si rrënoja, të pambrojtura prej plaçkitësve.

Duke treguar njëfarë mëshire, Ministria turke e Kulturës e ka shpëtuar kodrën nga zhvillimi i ndërtimeve moderne, duke i dhënë statusin e muzeut disa vite më parë.

Festat e përbashkimit

Tani duke u mbajtur teksa kaloj nëpër rrënoja e themele muresh të shkatërruara, hy në ambientin e asaj që supozoj se ishte shtëpi banimi. Vetëm qielli shërben si kulmi saj dhe barishtet e egra si dysheme.

Kaloj në pjesën që duhet të ketë qenë kuzhinë, duke prekur me gisht faqen e murit që me siguri se ka qenë e ngjyrosur me ngjyrë vjollce. Kështu së paku më duket prej atyre pak mbetjeve në këmbë të mureve.

Kur një dërrasë e kalbur thyhet teksa shkel nëpër shtëpinë rrënojë, ndiej keqardhje për familjen që pothuajse një shekull më parë ishte detyruar t’ia kthente shpinën vatrës së vet.

Mungesa e frymës së bashkësisë ndihet edhe në rrënojat e Kato Panagias, Kishës së Ulët të qytetit.

Pjesët e fasadave të mureve dhe afresket e zbehura tregojnë se dikur në këtë faltore kishte lavdi dhe krenari.

Por, edhe këtu, plaçkitësit dhe hajnat nuk kanë lënë gjë që është hequr pa marrë. Askush nuk është sjellë me kujdes ndaj kishës me të cilën ishin të lidhur banorët e dikurshëm.

Prapëseprapë me pak imagjinatë është e lehtë të pikturohet kisha dhe fshati, në kujtim të kohërave më të lumtura kur digjej temjani e lexonte prifti, mblidheshin fshatarët për të festuar pagëzimet, martesat dhe ditët e ndryshme festive – dhe të krishterë e myslimanë jetonin krah për krah.

“Fshati Kaya është simbol i paqes dhe harmonisë”, ka thënë Dincer, që udhëton anembanë Greqisë dhe Turqisë për të takuar të deportuarit dhe pasardhësit e tyre.

Njëkohësisht, qyteti fantazmë Kayakoy është e vërtetë e hidhur që përkujton brishtësinë e harmonisë ndërmjet kulturave – dhe në shumë aspekte, edhe brishtësinë e ekzistencës së vet.

Pamje mahnitëse

Aeroporti më i afërt është ai i Dalamanit, 60 kilometra në drejtimin veriperëndimor të zonës. Koha më e mirë për të udhëtuar është në pranverë ose vjeshtë, kur nuk është shumë nxehtë. Nëse ia keni mësyrë të shkoni gjatë muajve të verës, atëherë ju rekomandohet që të qëndroni në Kayakoy gjatë mbrëmjeve të freskëta, madje të visheni hollë. Në muzg, qyteti fantazmë në majë merr një pamje të jashtëzakonshme, transmeton Koha.net.
Ka qindra hotele dhe bujtina në rrethinën e Hisaronut dhe Oludenizit, por nëse dëshironi që t’ju pushojnë e kënaqen sytë, atëherë shmanguni Hisaronut, që është i njohur për jetën e zhurmshme të natës.

Në Oludeniz në bregdet keni “Jade Residence” me dhjetë dhoma dhe apartamente, me kopshtin me ullinj dhe pemë. Gjithsesi e keni edhe pishinën luksoze.

Ose mund të qëndroni në Kayakoy në “Misafir Evi”, që ndodhet në luginën e pabanuar ndanë rrugës kryesore, që ofron shërbime më të mira dhe ka tarraca e dhoma të mahnitshme.

Ka edhe hotele e bujtina të vendosura në faqet shkëmbore, që kanë pamje nga deti. Këtu njëmend do të çlodheni.

“Dolmuset” (minibuset) nga qytezat e Fethiyes, Oludenizit dhe Hisaronut shkojnë në drejtim të Kayakoyit çdo tridhjetë deri në gjashtëdhjetë minuta. Prej stacionit të autobusëve në Fethiye, udhëtimi ju merr 45 minuta nëpërmjet Ovacikut dhe Hisaronut.

Kërkoni “dolumse” me njoftimin në xhamin ballor që thekson “Fshati Kaya”. Biletat shkojnë prej tri deri në gjashtë lira turke, varësisht se prej ku niseni.

Tiketa në drejtim të fshatit të braktisur është pesë lira turke, dhe ju mund të kaloni edhe përreth Kishës së Ulët. Më shumë të dhëna mund të merrni në uebfaqen e turizmit të Kayakoyit.

Lajme të ngjashme

Back to top button