ANALIZA: Thellohen në Maqedoni, cila është “vija e kuqe” për marrjen e huave?

Bankrotimi i Greqisë, së bashku me të dhënat e fundit të Bankës Popullore se borxhi i jashtëm i Maqedonisë është 6,2 miliardë euro, që e fut vendin në grupin e vendeve me nivel të lartë të ngarkesës me borxhe, e hapi dilemën se cila është “vija e kuqe” deri në të cilën mund të marrim hua dhe a e rrezikon vendi kondicionin financiar për pagesën në kohë të kredive të ardhshme. Një pjesë e ekspertëve thonë se çështja e stabilitetit është jashtëzakonisht e rëndësishme, veçanërisht nëse merret parasysh fakti se dalëngadalë ndryshojnë edhe afatet e huave, gjegjësisht merren kredi që do të kthehen pas një, dy ose tre dekadash, transmeton Portalb.

A e dijmë gjendjen reale me borxhet?

Sipas nivelit të borxhit publik, i cili në fund të tremujorit të parë të këtij viti ishte pothuajse 44% e Prodhimit të brendshëm bruto, ose në numër absolut, 3,9 miliardë euro, Maqedonia akoma është në grupin e ekonomive që janë të ngarkuara në masë “të matur” me borxhe. Nga ana tjetër, informata se borxhi i jashtëm bruto është 6,2 miliardë euro ose 68,8% të PBB-së, e fut vendin në mesin e ekonomive me nivel të lartë të ngarkesës me borxhe. Ekonomistët konsiderojnë se me tempon aktuale të marrjes së huave, qeveria dukshëm e harxhoi hapësirën për marrjen e kredive të reja.

“Kur e analizojmë borxhin e jashtëm dhe të brendshëm, para së gjithash duhet të merren parasysh disa trende. E para, cili është niveli i borxhit publik. Të dhënat tregojnë se prej vitit 2008 e këndej, ngarkesa me borxhe është në rritje, ndërsa vitin e kaluar, me nivelin prej 46% të PBB-së, e arriti nivelin më të lartë. E dyta duhet të analizohet se ku dhe për çka u harxhuan kreditë e marra, dhe në përgjithësi, pse u morën kreditë. Pyetja e tretë e rëndësishme është vlerësimi për kondicionin e ekonomisë së Maqedonisë që rregullisht t’i servisojë këstet e ardhshme të borxheve të marra”, sqarojnë ekonomistët për “Portalb”-in.

Sipas qeverisë, hapësirë për brengosje nuk ka, për shkak se Maqedonia akoma qenka në grupin e vendeve me ngarkesë mesatare të borxheve.

“Borxhi publik i Republikës së Maqedonisë është 43,6 për qind, ndërsa ai shtetëror, 36 për qind e Prodhimit të brendshëm bruto. Në bazë të këtyre të dhënave, Maqedonia është në vendin e katërt, me nivel më të ulët të ngarkesës me borxhe. Maqedonia zhvillon, e edhe më tutje do të zhvillojë, politika të menaxhimit të kujdesshëm të borxhit publik, me çka do ta mbajë borxhin në nivel të matur dhe stabil”, njoftoi Ministria për Financa.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, pas përfundimit të tre muajve të parë të këtij viti, borxhi i jashtëm publik ka qenë 2,6 miliardë euro , ndërsa borxhi i brendshëm publik ka qenë 1,3 miliardë euro. Në këto borxhe janë përfshirë edhe kreditë e ndërmarrjeve publike dhe të firmave shtetërore për të cilat garanton shteti. Atë që e potencojnë ekonomistët është metodologjia aktuale për llogaritjen e borxhit, e cila, për shembull, nuk i përfshin borxhet e firmave shtetërore ose të ndërmarrjeve publike, të cilat kanë marrë kredi, mirëpo për të cilat nuk ka garancë shtetërore, edhe pse edhe ato janë borxhe të shtetit. Në llogaritjen e re të borxhit publik nuk janë përfshirë as borxhet e Bankës Popullore, kështu që shtrohet pyetja se me modelin tonë të llogaritjes së borxheve, a mund të bëjmë krahasim me ekonomitë e tjera evropiane.

Kredi për 10, 15, 20 vite  – si do të kthehen?

Shembulli me pagesën e parakohshme të borxhit ndaj FMN-së tregoi se Maqedonia mund t’i servisojë obligimet, mirëpo duhet të mendojë edhe për gjeneratat e ardhshme, ato që duhet t’i paguajnë kreditë aktuale, thonë ekspertët. Niveli i ngarkesës me borxhe duhet të analizohet në pako me pritjet për rritjen ekonomike, gjegjësisht çfarë rritje të ekonomisë do të ketë, e me atë edhe sa do të jetë shteti i aftë financiarisht që t’i kthejë borxhet. Me përqindjet aktuale të rritjes së PBB-së, që rrotullohen rreth 3 ose 3,5 për qind, nuk mund të pritet ndonjë përmirësim i dukshëm as për qytetarët, as për kompanitë”, vlerësoi para do kohësh, afaristi, Goran Rafajllovski.

“Maqedonia ka nevojë për përqindje të rritjes ekonomike prej së paku 8% deri në 10%. Mendoj se vetëm këto përqindje do të paraqesin rritje të vërtetë të ekonomisë. Mirëpo, me rëndësi është se ato duhet të mbahen në vazhdimësi, për disa vite me radhë, që qytetarët të ndjejnë standard më të mirë jetësor, ndërsa firmat, kondicion më të mirë financiar, si dhe rritje të kreditimit” – konsideron Rafajllovski.

Me rëndësi të veçantë është ajo që bën pjesë në fokusin e strukturës së borxheve, veçanërisht me marrjen e huave aftagjata në terren vendor, me shitjen e letrave shtetërore me vlerë me afat të maturimit prej dhjetë ose pesëmbëdhjetë vitesh.

Kështu, sipas analizës së “Portalb”-it, huatë afatgjate në terren vendor fillojnë në qershor të vitit 2014, kur qeveria mori hua me afat të maturimit prej dhjetë vitesh, ndërsa në shkurt të këtij viti i shiti edhe kambialet e para me afat të maturimit prej 15 vitesh. Sipas treguesve më të rinj, prej nivelit zero, tani pjesëmarrja e borxheve që do të kthehen pas 15 vitesh është 2,8%, ndërsa kambialet dhjetëvjeçare në borxhin e brendshëm marrin pjesë me 5,2%. Rritje ka edhe të borxhet me afat të maturimit prej tre vitesh, të cilat marrin pjesë me 10%.

Deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti, borxhi i jashtëm bruto i Maqedonisë, ku është përfshirë edhe borxhi i qeverisë, i firmave, i bankave, i qytetarëve, i kompanive të sigurimit dhe i Bankës Popullore, është pothuajse 6,2 miliardë euro. Në krahasim me gjendjen në fund të dhjetorit të vitit 2014, deri në fund të muajit mars, borxhi është rritur për 230,8 milionë euro. Borxhli më i madh ndaj jashtë është qeveria me borxh prej 2 miliardë eurosh, pastaj vijnë kompanitë, kompanitë e sigurimit dhe amvisëritë, të cilat kanë borxh prej 1,9 miliardë eurosh, ndërsa pas tyre, sipas lartësisë së borxheve ndaj jashtë, janë bankat me borxh prej 602 milionë eurosh dhe në fund Banka Popullore me borxh prej 336,7 milionë eurosh. Sipas afateve të kredive, pjesa më e madhe e borxhit të jashtëm ose 4,6 miliardë euro janë kredi afatgjate, ndërsa 1,5 miliardë euro janë kredi afatshkurte./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button