‘Iftari i Madh’ në Kumanovë (FOTO)

Iftarin e së shtunës rreth 1 000 qytetarë e pritën së bashku në qendër të qytetit të Kumanovës. Ky “Iftar i madh” u organizua nga FRI në bashkëpunim me komunën e Kumanovës, OSBE dhe UNDP.

Kumanove, Iftari i Madh

Në mesin e 1 000 qytetarëve ishin edhe funksionarë të ndryshëm: duke filluar me përfaqësues të institucioneve fetare, anëtarë të FRI-së, përfaqësues të komunës nikoqire, të ministrisë për vetqeverisje lokale, ambasadorë të OSBE-së dhe UNDP-së. Në mesin e të ftuarve poashtu dalloheshin përfaqësues të shoqatave të tjera joqeveritare po edhe vullnetarë e aktivistë të huaj, turq e serb.

Kumanove, Iftari i Madh

Moderatori i ngjarjes protokolare, ftoi për fjalë përshëndetëse:
• përfaqësuesin e FRI-së dega Kumanovë, Berat Limani;
• kryetarin e komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski;
• kryetarin e komunës së Likovës, Sadulla Duraku;
• ministrin e vetëqeverisjes lokale, Lirim Shabani;
• imamin e fshatit Vaksincë, hoxhë Orhan Ramadani;
• priftin e parhisë kumanovare të Osogovës të Kishës Ortodokse të Maqedonisë, Antonij;
• ambasadoren e UNDP-së, Louisa Vinton si dhe
• ambasadoren e OSBE-së, Marianne Berecz.

Ndryshe nga rëndom ishin interesante deklaratat e pjesëmarrësve jomysliman, edhe atë: prifti Antonij, duke iu referuar ajetit Kur’anor, sipas të cilit njerëzit janë mëkëmbës të Zotit në Tokë, tha “Në qoftë se Zoti beson në ne, atëherë ne jo vetëm të drejtë por e kemi obligim të besojmë në vetvete.” Ai bëri thirrje për dashuri në mesin e njerëzve, duke alarmuar se këtë virtyt më së shumti nga të gjithë duhet ta shohim te të zgjedhurit politik, si përfaqësues të popullit në institucionet shtetërore.

Si një qytetare nga Amerika, kam nderin ta kremtoj me ju festën kombëtare”- tha Louisa Vinton, duke shtuar “Ramazani është një përvojë e re për mua, por më duket e vlefshme shpërndarja e lëmoshës dhe zgjatja e dorës të varfërve. Këto vlera janë edhe misioni i OKB-së. Inspirues është fakti se ky iftar pasqyron diversitetet, bashkëjetesën ndëretnike të këtij qyteti, sidomos pas asaj që qytetarët përjetuan gjatë majit të fundit.” Ambasadorja e UNDP-së përfundoi fjalimin duke thënë: “Organizata jonë ka shumë miq në Kumanovë, kryesisht të rinj dhe shpresoj të realizojmë shumë aktivitete në vijim.”

Kumanove, Iftari i Madh

Ambasadorja e OSBE-së mbrëmë kështu u shpreh para kumanovarëve: “Gjithkund në botë organizohen iftare për t’i afruar njerëzit nga etni e fe të ndryshme, për të lehtësuar arritjen e dialogut. “ Berecz shprehu mirënjohje ndaj FRI-së që për vite me radhë organizon këtë aktivitet, e cila i ngjan ndërtimit të urës për komunitetet e ndryshme. “Ky iftar këtë vit për shkak të ngjarjeve tragjike ka për qëllim përforcimin e bashkëpunimit mes përfaqësuesve lokal dhe qytetarëve. Është privilegj i jonë që bashkë me OSBE-në të jemi këtu. Jam e lumtur të shoh këtë atmosferë pozitive, një punë ku nuk bëhen ndarje në: ‘Ne’ dhe ‘Ju’. Do të përfundoj me një fjalë të urtë, që do e dini se kush e ka thënë”-tha ajo dhe citoi thënien e profetit Muhamed: “Kush do t’i japë ushqim një njeriu që agjëron, do të shpërblehet njëjtë si të kishte agjëruar.”
Ndërkaq për Portalb, Berecz ritheksoi “Këtu nuk ka ‘ne’ dhe ‘ju’. Ky aktivitet promovon bashkëpunimin. Ky aktivitet është për t’u përkrahur.”

Kumanove, Iftari i Madh

Rreth aktivitetit dhe planeve të FRI-së Dega Kumanovë, Arsim Jonuzi, anëtar i kryesisë deklaroi për Portalb: “ ‘Iftari i Madh’ është fillim i një aktiviteti edhe më të madh, ‘Netët e kulturës islame’, që do të zgjasë 3 ditë. Sonte dhe nesër do të ketë fjalime motivuese, mini-dokumentarë, lojëra me fëmijë, shitje të ëmbëlsirave e pijeve si dhe panair të librit. Të hënën përveç këtyre do të ketë edhe ‘Mbrëmje Kur’anore’. E gjithë kjo bëhet për ta pasuruar jetën kulturore në qytet dhe për ta freskuar jetën e përditshme të myslimanëve.”

E veçanta e këtij iftari ishte të mblidhen qytetarët pa dallim përkatësie fetare, etnike, ekonomike, dhe politike. Ky ishte dhe qellimi: Bashkimi. Nuk mungoi humanizmi dhe shpresoj që paratë e grumbulluara në aktivitete të ndryshme nga ana e qytetareve t’ia kthejnë buzëqeshjen ndokujt.”- tha qytetarja Remzije Bilalli për Portalb. /Portalb.mk

Kumanove, Iftari i Madh
Kumanove, Iftari i Madh

Lajme të ngjashme

Back to top button