Temë e vështirë për Mustafën, asociacioni i komunave serbe

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar si një prej temave më të vështira të dialogut me Serbinë, krijimin e Asociacionit të komunave serbe, njofton REL.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se ky Asociacion duhet të jetë në harmoni me ligjet e Kosovës, përndryshe do të ishte jofunksional dhe i dëmshëm.

Normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me Serbinë është faktor i rëndësishëm jo vetëm i së ardhmes evropiane të Kosovës, por edhe i përqendrimit në zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, procesi është ende në fazën ku mbeten shumë çështje, të cilat duhet të dialogohen.

“Asociacioni i Komunave po vërtetohet se është ndër temat më të vështira. Delegacioni i Kosovës u tregua korrekt dhe konstruktiv, për të gjetur zgjidhje brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit tonë. Në anën tjetër, pala serbe ishte insistuese që Asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij lokal, kurse njerëzit që kryejnë këto punë të kenë cilësinë e punonjësve shtetërorë”, ka potencuar kryeministri i Kosovës.

Çdo zgjidhje për këtë asociacion, që sipas Mustafës, do të krijonte në realitet asimetri pushtetesh, “jo vetëm që do të jetë e dëmshme për Kosovën, por edhe për miqtë tanë që na kanë ndihmuar në ndërtimin demokratik dhe institucional”.

Kosova, ka vijuar ai, mbetet e interesuar të gjejë zgjidhjen më të mirë, e cila ndihmon në integrimin e serbëve dhe u krijon atyre hapësirë zhvillimore dhe perspektivë jete.

“Zgjidhjet e tilla nuk janë ideale, ato janë të rënda, sidomos për ata që negociojnë dhe duhet të marrin vendime, por këto zgjidhje e lehtësojnë jetën tonë”, ka shkruar ai

Lajme të ngjashme

Back to top button