Vrasje që nxin kombin!…

Stigmatizimi i shqiptarëve, sidomos nga evropianët, tek të cilët, si pasojë e të shkuarës sonë dhe e ngjarjeve të dhimbshme, na kanë nxirë shpesh në media, ka marrë një tjetër hov përmes lajmit të vrasjes së një çifti çek në Veri të vendit.

Ne, shqiptarët, sidomos veriorët, e kemi konsideruar veten si fis të fjalës, të besës dhe se menjëherë pas ngjarjes, filluan të përhapen fjalë se nuk qenkemi të tillë.

Jam i prirur të besoj në tezën se çdo komb ka njerëz të mirë dhe të këqij, pasi gjithandej ka vrasje të rënda, ka përdhunime, masakra etj.

Vrasja e dy turistëve çekë në Shkodër është vetëvrasje e kombit në reputacionin ndërkombëtar, pasi raportimi i lajmit edhe në arenën ndërkombëtare na nxin si vend dhe si komb.

Por, reagimi ishte i menjëhershëm në përkrahje të plotë të turistëve që mbetën viktima të kësaj ngjarje.

Shkodranët dolën në sheshe në krah të Michael dhe Annës.

Qytetarët në Tiranë po ashtu do të ndezin qirinj në Katedralen e Paqes për çiftin çek.

Ngjarja është alarm për qeverinë, që të marrë masa, për të mos lejuar njerëz të armatosur të lëvizin lirshëm në fshatra dhe qytete, për të marrë masa që krimet monstruoze të mos na e bëjnë jetën ferr, sikur po jetojmë në një xhungël, për të marrë masa për të bërë realitet atë ç’ka e premtojnë nga mëngjesi deri në darkë, për të bërë shtet!

Ngjarja është e rëndë për të gjithë, sidomos për qeveritarët, që kanë mbi supe reputacionin e këtij vendi dhe këtij kombi në arenën ndërkombëtare.

Sot na u nxi faqja në sy të mediave dhe qytetarëve evropianë. Shteti u trondit dhe kombi na u nxi.

Kreu i qeverisë Edi Rama, si një “mjeshtër i PR” e di më mirë se kushdo këtë.

Ne shqiptarët e thjeshtë dhe pa pushtet e dhamë mesazhin: na falni 1000 herë Anna dhe Michael!

Qeveritarët, sado të shprehin dhimbje dhe ngushëllime, duhet ta japin këtë mesazh me punë, duke ndërtuar shtet, gjë e cila duket të jetë mjaft e vështirë.

Lajme të ngjashme

Back to top button