PDSH: Rufi Osmani një “vegël qorre e LSDM-së”

Partia Demokratike Shqiptare ka hedhur poshtë propozimin e RDK-së për ngritjen e një bashkëpunimi në bazë të modelit PS-LSI.

Kjo është konfirmuar nga kreu i Komisionit të PDSH-së që kryesonte bisedimet me RDK-në, Ziadin Sela. Kryetari i Komunës së Strugës njoftoi se për PDSH-në është e pranueshme vetëm shkrirja e RDK-së në PDSH, dhe jo ndonjë formë tjetër bashkëpunimi.

“Fatkeqësisht konstatoj se në këto momente, bazuar në deklaratat e dhëna nga kreu i RDK-së, konstatoj se nivelin e bashkëpunimit që RDK-ja kërkon të vendosë me PDSH-në, i ngjan nivelit të bashkëpunimit që RDK-ja dhe Rufi Osmani ka aktualisht me Zaevin. Prandaj, ne jemi për bashkim, ky është rezultati edhe i zgjedhjeve dhe vetëm në këtë mënyrë, do të arrijmë që hallet që kanë shqiptarët edhe në nivel qendror t’i nxjerrin nga ai kolaps në të cilin ndodhen… Mendoj që këto bisedime nuk kanë asnjë kuptim sepse duhet fillimisht të deklarohen a janë për bashkim, ndërsa ato e përjashtuan komplet bashkimin”, deklaroi Ziadin Sela, PDSH.

Burimet e PDSH-së, e quajnë Rufi  Osmanin një “vegël qorre e LSDM-së”, ndërsa shpreh bindjen se anëtarët e RDK-së do t’i bashkohen platformës së PDSH-së.  PDSH ka komunikuar gjithashtu se ndërpret çdolloj kontakti me partinë e Osmanit.

 “Kjo formë e përgjigjes nga Rufi Osmani lidhur me iniciativën e PDSH-së për bashkim të dy partive politike nuk paraqet asgjë tjetër përveç veprimi i një njeriu që është një vegël qorre e LSDM-së për të shkaktuar turbulencë në kampin shqiptar. Ne si PDSH do të ndërpresim çdo lloj kontakti me këtë person duke pasur parasysh se problemet e shqiptareve ne Maqedoni janë diçka tjetër në krahasim me atë çka kërkon ky individ. Ato pak anëtarë të mbetur të RDK-së do ti bashkëngjiten PDSH-së, kurse Rufi Osmani me disa bashkëpunëtorë të afërt do të zhduket nga skena politike duke hyrë si ekzemplar i fundit në vitrinat e vasalëve të partive politike maqedonase”, kanë thënë nga PDSH.

Lajme të ngjashme

Back to top button