Miku Izet

Miqësia me të filloi furishëm, bash apansëz. Shumë kisha dëgjuar dhe lexuar për punën e tij botërisht të vlerësuar, për natyrën e tij hokatare. Me tjerash më kishte lënë përshtypje një dokumentar xhiruar para dhjetë vitesh, në të cilin dukej sovran në ateljenë e vet të punës, rrethuar me modele teshash të posaqepura ose në proces pune ku përvijohej talenti për të shkoqitur natyrën femërore dhe për ta bërë më të hijshme falë vijës suptile të veshjes. Mandej, në vijim të dokumentarit ecte rrugëve të Parisit mes godinave me arkitekturë të vjetër e të ruajur, ashtu siq kultivohet e vjetra në metropolet e botës, si emblemë e çmuar që dëshmon pa fjalë vitet dhe shekujt. Në atë gërshetim inspirues arkitektural, ai ecte me energjinë e djalit të ri, rrëfente copëza jete dhe qeshte me fjalët e veta. Mendova atëherë se sa mirë bëhet ta njohtoj këtë njeri, me shumë punë pas vetes dhe me humor unikal.

Rastësisht u takuam në Çarshinë e vjetër, në një nga shetitjet në pjesën e tij më të dashur të qytetit, tashmë i ardhur për të kontribuar në mënyrë direkte për atdheun dhe qytetin e vet, përmes Institutit ndërkombëtar të modës që mban emrin e tij Izet Curri. Posa u njohtuam, u ulëm për një çaj në çajtoren e afërt, prej një u bënë shumë çajra, orët kalonin pa i diktuar. Tregonte se si edhe në rastin e tij rastësia nuk ka qenë fare e rastësishme. Pas vdekjes së të et, nëna i mbledh djemtë e saj dhe u “shpërndan” zanate që duhet ti mësojnë…Izetit i bie në hise rrobaqepësia. Nëna e sertë- fjala e saj ligj. Së shpejti bëhet çirak te mjeshtri Angelkovski, bash usta në Shkup. Për pak kohë mëson shumë, i etshëm të dalë në bukë të vet dhe ta sjell në vend dëshirën e së ëmës. Kur me një shokun e tij, edhe ai çirak i vyeshëm, vendosin të hapin butikun e parë në qytet, i shkrep ideja se patjetër të shkojë për inspirime aty ku ndodh moda botërore. Kështu nisen në Paris, ku sytë i lëbyren nga shkëlqimi i vitrinave të dyqaneve, nga pamja e parizienëve, nga literatura e modës. Aq shumë jepet pas blerjes së revistave sa harxhon paret e fundit e nuk i mbetet as për ta paguar hotelin. E nxjerrin prej aty, valixhet dhe pasaporta i mbeten në hotel, vetë në rrugë. Në ambasadën e Jugosllavisë rastis në një nëpunës-maqedon, i cili me të kuptuar që ka qenë çirak i Angelkovskit i ofron punë në punëtori tekstili. Provon Izeti aty, por qepja serike nuk ka qenë në domen të tij, ndaj trasferohet në një tjetër manifakturë ku qepeshka në dorë. E, aty fillon rastësia dhe karriera. Aq i shkathët tregohet në qepjen në dorë të pantalloneve të para, sa që nga shtëpia Hermes, për të cilën më vonë kupton se qenka sinonim luksozi, vijnë me ofertë për talentin e rrallë: ia pagojnë borxhin në hotel, shkollimin në drejtimin e modës, i ofrojnë punësim.

Rradhiten mandej angazhimet për kreatorë si Azadin Aalaj, Teri Mugler, Zhan Pol Gotje…

Hap shtëpinë e vet të modës.

Shetit botën, angazhon manekenet më të njohura për sfilatet e modës, njohton yjet e filmit, teatrit, operës, i vesh dhe miqësohet me ta.

Dhe tërë kohës mbetet Izeti i dashur dhe i afërt më njerëzit.

Sukses ky që matet me suksesin në orbitën botërore të modës dhe spektaklit.

Pasi njerzishmëria është poashtu talent i rrallë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button