Të hënën mund të dënohet Naseri, për vrasjen në Gjorçe

Të hënën mund të mbyllet procesi gjyqësor kundër Naser Eshtrefit, i riu nga fshati Gërçec i Shkupit i cili akuzohet për vrasjen me thikë të maturantit Angel Petkovski, në maj të vitit të kaluar.

Trupi gjyqësor i angazhuar për gjykimin e të riut shqiptar kishte paraparë të mërkurën të dëgjojë për herë të fundit prokurorin e rastit dhe avokatin e të akuzuarit, por mungesa e këtij të fundit anuloi seancën e parafundit.

Në mungesë të avokatit Angel Georgiev, trupi gjykues vendosi të caktoj seancën e parafundit për të hënën e javës që vjen, duke lënë njëkohësisht hapur edhe mundësinë që të njëjtën ditë dhe në kuadër të të njëjtës seancë të shpallet edhe aktgjykimi i rastit, njofton “Koha”.

Duke marrë për bazë ankesat e vazhdueshme të familjes së maturantit të vrarë për stërzgjatjen e procesit gjyqësor dhe fazën në të cilën gjendet vetë procesi, nuk përjashtohet mundësia që i akuzuari Naser Eshtrefi të hënën të dëgjojë aktgjykimin e marrë kundër tij.

Vrasja në lagjen e Gjorçes ndodhi nga mesi i majit të vitit të kaluar, kur maturanti, në shoqërinë e të atit, kishte ndjekur të riun nga Gërçeci, i cili paraprakisht i kishte vjedhur biçikletën nga oborri i shtëpisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button