USHT e shënoi Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot, në Universitetin Shtetëror të Tetovës u organizuan një sërë aktivitetesh. Për nder të kësaj date kaq të rëndësishme për popullin amerikan, Fakulteti i Kulturës Fizike i USHT-së, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, respektivisht Këndin Amerikan në Tetovë, organizuan turnir në futboll të vogël. Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së, Prof. dr. Hajri Ziba theksoi se ky turnir ka zgjatur dy  ditë dhe kanë marrë pjesë gjithsej 12 ekipe. “Ky turnir u organizua nga USHT, gjegjësisht nga Fakulteti i Kulturës Fizike, për nder të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sot kanë qenë ndeshjet finale të këtij turniri. Ky Manifestim ka filluar nga dita  e djeshme dhe kanë marrë pjesë gjithsej 12 ekipe, prej të cilave, 11 ekipe kanë qenë të 11 fakulteteve të USHT-së dhe një ekip ka qenë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, respektivisht Këndi Amerikan me seli në Tetovë. Vendin e parë e fitoi Fakulteti i Kulturës Fizike i USHT-së, vendin e dytë e fitoi ekipi i Këndit Amerikan në Tetovë, ndërsa vendin e tretë në këtë turnir e fitoi ekipi i Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së”, tha Prof. dr. Hajri Ziba.

USHT e shënoi Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Ndërsa koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovë, Gëzim Sulejmani deklaroi se këto manifestime promovojnë miqësinë mes popullit shqiptar dhe atij amerikan. “Këto aktivitete që i organizon USHT-ja për ta shënuar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në kuadër të misionit për ta promovuar miqësinë ndërmjet popullit tonë dhe atij amerikan. Sot, ne si kënd Amerikan në Tetovë e përfaqësojmë Ambasadën e SHBA-ve dhe në emër të kësaj ambasade i falënderojmë drejtuesit e USHT-së për këto aktivitete”, tha Gëzim Sulejmani.

Aktiviteteve festive për nder të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, me një ekspozitë të organizuar iu bashkëngjit edhe Fakulteti i Arteve. Dekani i Fakultetit të Arteve të USHT-së, Prof. dr. Miftar Memeti tha se kjo ekspozitë është përgatitur nga profesorët dhe studentët e këtij fakulteti për nder të 4 Korrikut. “Sot, jemi këtu për të ekspozuar disa piktura të punuara nga profesorët e Fakultetit të Arteve të USHT-së. Me këtë ekspozitë edhe fakulteti ynë u bashkëngjitet aktiviteteve festive që organizohen për nder të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve”, tha Prof. dr. Miftar Memeti.

USHT e shënoi Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Po ashtu, Universiteti Shtetëror i Tetovës, me rastin e 239 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve organizoi tribunë shkencore, me temë “Diplomacia amerikane në mbështetje të çështjes shqiptare”. Dekani i Fakultetit Filozofik të USHT-së, Prof. dr. Fatbi Osmani deklaroi se Amerika gjithmonë i ka kushtuar rëndësi të veçantë çështjes shqiptare dhe për këtë populli shqiptar i është shumë mirënjohës popullit amerikan. Ndërsa, dekani i Fakultetit Filologjik të USHT-së, Doc. dr. Fatmir Sulejmani  tha se veteranët shqiptarë e kanë kuptuar herët se pa mbështetjen e një shteti mik si SHBA-ja, shqiptarët nuk e kanë të sigurt as të tashmen as të ardhmen. Ata ndërtuan dhe ndërtojnë me shumë mund miqësinë me aleatët tanë, pa kursyer asgjë të vetme.

Profesori i historisë, Prof. dr. Nebi Dervishi theksoi se viteve të fundit historiografia shqiptare i ka kushtuar vëmendje të veçantë rolit dhe kontributit të diplomacisë amerikane në mbështetje të çështjes shqiptare gjatë shekullit XX, qoftë me punime të thelluara, si akademik Arben Puto, Prof. dr. Masar Kodra, Paskal Milo, ashtu edhe në punime të studiuesve të tjerë të njohur.  Nga ana tjetër, Doc. dr. Zeqirja Rexhepi theksoi se roli i SHBA-ve dhe politikës së jashtme të saj, kur është fjala tek shqiptarët, e karakterizojnë dy karakteristika thelbësore: E para, parimi i vetëvendosjes, i cili mbeti një propozim i parealizuar historik dhe e dyta, doktrina e ndërhyrjes humanitare e cila u realizua përmes operacionit të NATO-s në vitin 1999.

Doc. dr. Salajdin Salihu, në këtë tribunë theksoi se Amerika është model i lirisë dhe demokracisë. Por, rruga deri te kjo pikë ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Sipas tij, populli amerikan ka bërë sakrifica të panumërta në këtë rrugëtim. Është udhëhequr nga vlerat më fundamentale të njeriut – lirinë, dinjitetin njerëzor dhe prirjen drejtë lumturisë.

Prodekani i Fakultetit Juridik, Doc. dr. Jusuf Zejneli tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur një rol vendimtar në çështjen shqiptare, në atë të Pavarësisë së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.  Kurse Doc. dr. Agim Nuhiu, në këtë tribunë u fokusua tek barazia dhe respektimi i diversiteteve. Theks të veçantë u kushtoi edhe vlerave të drejtësisë kushtetuese amerikane, duke folur edhe për federalizmin si vlerë e organizimit shtetëror amerikan.

Në këto aktivitete, të cilat u organizuan në kuadër të manifestimeve për 4 Korrikun, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës morën pjesë Prorektori për Arsim i USHT-së, Prof. dr. Alifeta Selimi, Sekretari i përgjithshëm i USHT-së, Adem Beadini, Kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Ardian Bilalli, dekanët e fakulteteve, senatorë, profesorë dhe studentë.

Lajme të ngjashme

Back to top button