Deputetet nga Kosova dhe Serbia mbajtën seancë të përbashkët në Kuvendin e Kosovës

Gra deputete të Kuvendit të Kosovës dhe Serbisë, sot janë mbledhur bashkë në Kuvendin e Kosovës për të dëshmuar se dialogu pa ndërmjetësim dhe iniciativë të Bashkimit Evropian është i mundur. Deputetet e Kosovës dhe Serbisë me këtë dëshiruan të tregojnë se ka tolerancë në mes të palës shqiptare e serbe dhe se bashkëpunimi ekziston, raporton Anadolu Agency (AA).

Fillimisht, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli iu uroj deputeteve nga Serbia mirëseardhje në gjuhën serbe, duke thënë se Republika e Kosovës beson dhe punon për fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit, duke përfshirë edhe Serbinë, me të cilën po zhvillon dialogu për normalizimin e marrëdhënieve politike dhe institucionale, por edhe dialog qytetar dhe kulturor, në fushën e shoqërisë civile.

Megjithatë, përmendja e fjalës Republikë në adresimin e kryeparlamentarit Veseli, ka bërë që të reagoi deputetja serbe, Maria Obradoviç, nga partia e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, duke thënë se me këtë adresim është shkelur marrëveshja në mes të palëve të cilat ishin marr vesh që të mos përmenden fare fjalët Republika e Kosovës nga pala kosovare ndërsa, pala serbe të mos përdorë termin krahinë apo pjesë jugore e Serbisë, për Kosovën.

Sidoqoftë, duke respektuar punën e madhe dhe mundin e bërë për ta aranzhuar këtë takim, duke përfshirë dy kryeministrat Mustafa dhe Vuçiç, si dhe vet angazhimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Veselit, Obradoviç ftojë që marrëveshja të respektohet dhe kjo temë të përfundoj me kaq. “Të bëhemi më tolerant, ta shohim këtë film me kujdes dhe ta shpërndajmë në shumë vende” tha Obradoviç e cila shtoi se marrëveshja për një seancë të tillë ishte arritur që në vitin 2012, kur edhe kishin filluar takimet e grave deputete të të dyja shteteve.

Nga ana tjetër, kryetarja e grupit të Grave deputete të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra e cila udhëhoqi mbledhjen nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, deklaroi se projekti i përbashkët i grave deputete të dyja vendeve tregon për guximin dhe vendosmërinë për të ecur përpara dhe për të filluar projekte që ndoshta nuk janë shumë të pëlqyeshme apo të popullarizuara në masë, mirëpo janë nisma të cilat ndihmojnë në përparimin e çështjes së të drejtave të grave për një jetë më dinjitoze dhe një vend më meritor në shoqëri, qoftë në Kosovë apo Serbi.

Blerta Deliu-Kodra ftoi gratë deputete të Kosovës dhe Serbisë, të tubuara në Kuvendin e Kosovës që, në kuadër të iniciativës “Follow us” (Na ndiqni) e cila shpreh guximin e grave për të filluar projekte jo shumë të popullarizuara, të prekin tema të vështira dhe të ndjeshme që kanë të bëjnë me mospajtimin e dy shteteve, në mënyrë që të gjenden pikat e përbashkëta të cilat do t’i mundësojnë të dyja shteteve që të vendosim urat e bashkëpunimit ndërmjet tyre.

Qëndrim i përbashkët i grave deputete të Kosovës dhe Serbisë ishte se, ato janë të vendosura për të vazhduar bashkëpunimin për të shtrirë dorën e pajtim dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat e rinj, duke i tejkaluar sfidat e mëdha për ta përmirësuar gjendjen sociale, ekonomike dhe kujdesin shëndetësor ndaj grave.

Gjithashtu, ato porositën se për këto takime nuk ka nevojë për ndërmjetësim të Bashkimit Evropian sikurse kanë nevojë burrështetasit e dyja vendeve.

Shefi i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger deklaroi se gratë deputete të dyja vendeve kanë dëshmuar se kur ka vullnet, problemet mund të tejkalohen dhe dialogu mund të zhvillohet. Ai e vlerësoi këtë iniciativë si model, për gra dhe burra, në Kosovë e Serbi.

Në fund, në prani të përfaqësuese të huaj dhe ambasadorëve, u projektua filmi dokumentar “Follow us”, i realizuar në Kosovë dhe Serbi. Ky dokumentar flet për rolin e grave në shoqëri dhe në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I tërë ky projekt është përkrahur dhe financuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button