Ja si duket gjendja e emigrantëve brenda Qendrës për pritje në Gazi Babë (VIDEO)

Një video amatore brenda Qendrës për Pritje në Gazi Babë ka filluar të qarkullojë në internet. Videoja e publikuar nga portali Nova-Tv, tregon qartë kushtet mizore për të cilat alarmonin OJQ-të, Avokati i Popullit por edhe vetë emigrantët që mbaheshin të mbyllur me muaj të tërë brenda mureve të atij objekti. Videoja përshkruhet nga njëri prej emigrantëve, i cili sot mund të jetë larguar nga Maqedonia, përndryshe nuk do të kishte guxuar ta publikonte atë më herët. Videoja është filmuar më 14 qershor. Pikërisht kjo ishte periudha kur mediat sensibilizonin vazhdimisht nevojën e ndryshimeve ligjore për azil, por edhe lirimin e mbi 500 personave që qëndronin të Qendrën e Pritjes, kapaciteti i të cilësi nuk i kalon 100 personat. Siç mund të shihet nga pamjet, emigrantët luftojnë për të gjetur një copë vend për të fjetur. Për më tepër, i njëjti vend ku ata flinin është i mbushur me ushqime dhe mbeturina. Shumica e tyre duket se si flenë përdhe, njëri nga koka e tjetri nga këmbët.

OJQ-ja “Legis”, dëshmitare e kushteve të Qendrës së Pritjes, thotë se objekti vazhdon të ofrojë të njëjtat kushte. E vetmja gjë që ka ndryshuar është reduktimi i fluksit të emigrantëve.

“Fizikisht, kushtet nuk kanë ndryshuar pasi objekti vazhdon të jetë në të njëjtin vend dhe me po ato kushte të këqija. Ajo që ka ndryshuar është rënia e numrit të emigrantëve që janë në këtë Qendër. Tani numri i përgjithshëm arrin 80 persona, kurse ne video mund të shohim një mbingarkim. Pra kushtet për qëndrim, higjiena nuk kanë ndryshuar aspak”, tha Mersiha Smailoviç, OJQ “Legis”.

Smailoviç na përcjellë edhe gjendjen emocionale të emigrantëve që vazhdimisht kërkojnë të lirohen nga kjo qendër, të cilën shpeshherë e quajnë edhe si “burgu i Gazi Babës”.

“Vazhdimisht përsërisin fjalinë “ne nuk jemi kriminel, përse po na mbani këtu!”; pasi burrat nuk kanë fare të drejtë të dalin jashtë. Ka persona aty brenda që 6-7 muaj nuk kanë dalë të marrin as ajër të pastër. Momentalisht në Qendër kemi 3 dekanë, 5 avokatë, profesorë, mjekë të cilët mbahen në kushte mizore sikur të jenë kriminelë. Madje në burgjet e Shutkës dhe Idrizovës kushtet janë më të mira”, theksoi Mersiha Smailoviç, OJQ “Legis”.

Emigrantët mbahen si dëshmitarë në proceset gjyqësore kundër trafikuesve të mundshëm, shumicën e të cilëve policia ende nuk i ka kapur, gjë që mund ta zvarrisë procesin deri në pafundësi. Pas sensibilizimit të kushteve në të cilat mbaheshin emigrantët me muaj të tërë, Komisioni kundër Torturës në OKB kërkoi mbylljen e këtij objekti dhe ndërtimin e një të riu me kushte njerëzore. Të njëjtën kërkoi edhe Komuna e Çairit, OJQ-të dhe Avokati i Popullit. Për momentin, fluksi më i madh i emigrantëve përjetohet në kufirin me Greqinë. Nga OJQ-ja “Legis” paralajmërojnë se mijëra emigrantë presin lejen për kalimin përmes Maqedonisë. Nga 7 mijë emigrantëve që kanë transituar Maqedoninë, vetëm 13 kanë vendosur të kërkojnë azil këtu./alsatm

Lajme të ngjashme

Back to top button