Akulli në disa bar-kafe në Tiranë i ndotur

Akulli që shërbehet në lokalet e Tiranës mund të shndërrohet në një rrezik për shëndetin. Ky është konkluzioni i një vëzhgimi të kryer nga emisioni investigativ Fiks Fare, ndërkohë që Instituti i Shëndetit Publik dhe Inspektorati Shëndetësor Shtetëror, që morën mostrat e akullit në subjekte private bar-kafe të përzgjedhura rastësisht, pas analizave konstatuan se në disa subjekte, akulli ishte i ndotur me Streptokok Fekal. Kjo tregon se uji që është shndërruar në akull ka shenja të ujërave të zeza.

Emisioni Fiks Fare vuri në lëvizje institucionet shtetërore përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe analizimin e produkteve, si Instituti i Shëndetit Publik dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Duke qenë se këto dy institucione janë të vetmet që mund të marrin mostra e më pas t’i analizojnë ato, Fiks Fare kërkoi bashkëpunimin e tyre. Këto të fundit angazhuan dy përfaqësues, një laborant nga ISHP dhe një inspektore nga ISHSHQT, të cilët u kujdesën që marrja e mostrave të bëhej në kushtet e duhura higjieno-sanitare. Mbikëqyrja për cilësinë e akullit në disa bar-kafe zgjati disa ditë. Përzgjedhja e subjekteve ishte rastësore edhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Specialistët u shoqëruan nga kamera e Fiks Fare në disa raste, kur u morën mostra të akullit. Fiks Fare vëzhgoi kur u morën mostra në një bar-kafe në Kombinat, ku akulli blihej i gatshëm, në një bar kafe në zonën e “21 Dhjetorit” ku gjithashtu akulli blihej i gatshëm dhe mostra e tretë e akullit u mor në një lokal në Komunën e Parisit. Po ashtu, mostra u morën në zonën e ish-Bllokut, në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”, në një lokal në qendër të Tiranës dhe mostra e fundit në një bar-kafe në zonën e Shallvareve.

Pasi u morën mostrat e akullit ato u analizuan në laboratorët e ISHP-së. Pas tetë ditësh, në redaksinë e emisionit investigativ mbërriti përgjigjja e këtyre analizave. Tre prej shtatë subjekteve dolën me probleme. Akulli i analizuar shfaqi shenja të Streptokokut fekal. Prania e streptokokut fekal në këto copa akulli ishte shumë e lartë.

E njëjta përgjigje që erdhi pranë emisionit investigativ Fiks Fare u dërgua edhe në Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, i cili menjëherë filloi marrjen e masave në subjektet e gjetura në shkelje. Disa nga këto lokale e blinin akullin nga firma të ndryshme. “Në subjektet ku konstatuam shkelje kemi marrë masa”, tha Shehu i Inspektoratit Shëndetësor. Por, ai premton se do t’i shkojnë deri në fund këtij problemi, pasi shumica e subjekteve e blinin akullin të gatshëm. “Këto firma të prodhimit të akullit do të mbikëqyren me shumë prioritet”, theksoi shefi i inspektimeve pranë Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror. Ai falënderon Fiks Fare për iniciativën që ndërmori për analizimin e akullit që u shërbehet qytetarëve të Tiranës në baret dhe lokalet e ndryshme të saj. Shehu theksoi se streptokoku fekal është një ndër shenjat që tregon se uji ka ndotje nga ujërat e zeza dhe në organizmin e njeriut sjell dëme të konsiderueshme.

Për të kuptuar se çfarë pasojash sjell ky akull në organizmin e njeriut, emisioni Fiks Fare iu drejtua mjekut infeksionist, Pëllumb Pipero, i cili tha se në shumicën e rasteve streptokoku fekal shkakton në organizëm Hepatitin A, i cili jep të vjella, diarre, humbje peshe etj. Sipas tij, kemi pasur persona të prekur nga ky hepatit, por që kishim dyshime meqë nuk kishte studime për këtë gjë. “I duhet kushtuar vëmendje higjienës personale në mënyrë që të shmangim rrezikshmëri të tilla në këtë stinë të nxehtë”, këshillon në fjalën e tij, Pëllumb Pipero.

Lajme të ngjashme

Back to top button