Ahmeti: Sot nuk do të ketë takim të liderëve

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti pasdite deklaroi se sot nuk të ketë takim të ri të liderëve të katër partive më të mëdha për tejkalimin e krizës politike.

Ahmeti pas takimit në Kuvend me kongresistin amerikan Eliot Enxhel, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, shkurt u përgjigj se takim liderësh sot nuk do të ketë.

Një pjesë e mediave mbrëmë dhe sot paradite publikuan se gjatë ditës do të mbahet takim i ri i liderëve të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i LSDM-së Zoran Zaev, i BDI-së Ali Ahmeti dhe i PDSH-së Menduh Thaçi, në prani të ambasadorëve të SHBA-së dhe të BE-së, Xhes Bejli dhe Aivo Orav.

Nga Ambasada e SHBA-së dhe nga Misioni i BE-së në Shkup për MIA-n informuan se një aktivitet i tillë i Bejlit dhe Orav për sot nuk është paraparë.

Takimi i fundit i liderëve u mbajt më 29 qershor, pas së cilit partitë publikuan një kumtesë me përmbajtje të njëjtë në të cilën ishte theksuar se liderët e katër partive i kanë vazhduar diskutimet për organizimin e saktë të qeverisë që do t’i përgatisë zgjedhjet, siç është paraparë në pikën e gjashtë nga marrëveshja e 2 qershorit në Shkup.

Në këtë kontekst, siç u theksua, liderët u dakorduan të mblidhen sërish në ditët që vijojnë.

Lajme të ngjashme

Back to top button