Brukseli mes vizave dhe rekomandimit

Çmenduria – kur priten rezultate të ndryshme nga diçka që bëhet vazhdimisht në mënyrën e njëjtë (Albert Ajnshtajn)

Para tre javëve, Parlamenti Evropian e miratoi rezolutën me të cilën hapet rruga për rikthimin e vizave për shtetasit e Ballkanit perëndimor, me qëllim që të parandalohet fluksi i azilkërkuesve në shtetet e Bashkimit Evropian. Një lajm ky mjaft tronditës për të gjithë që e përjetojnë udhëtimin në Evropë si pushim nga çmenduria lokale, tani i mbështjellur me porositë ngushëlluese se rikthimi i vizave nuk do të ndodhë, por që kjo bëhet vetëm për ta theksuar seriozitetin e problemit. 

Komisioni Evropian duhet të vendosë së shpejti nëse do t’ia japë për të pestën herë rekomandimin Maqedonisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, që pastaj duhet të konfirmohet nga Këshilli në dhjetor, kur votojnë të gjitha 28 shtetet.  

Logjikisht, meqë paralajmërimi për rikthimin e vizave trajtohet si mënyrë e shkurajimit të azilkërkuesve, mund të supozohet se modeli funksionon edhe në kahje të kundërt. Përkundër mendimit se vendi mund të shpëtohet nga pika e vdekur vetëm nëse i fillon negociatat, qëndron edhe teza tjetër sa e pakëndshme, po aq e fuqishme dhe logjike. Duke u nisur nga vërejtjet e shumta për regresin e thellë demokratik dhe institucional, vendi do të ballafaqohet gjithnjë e më tepër me pyetjen se vallë mund të tolerohet një shtet i këtillë në klubin evropian?

Maqedonia ka të burgosur politikë. Mediet janë nën kontroll qeveritar përmes reklamave të majme dhe ata që flasin kundër ballafaqohen me presione të shpeshta. Përkatësia ndaj partive politike në pushtet është çdoherë e më tepër kusht për punësim. Lustrimi përdoret për t’i pastruar llogaritë me ata që e sfidojnë politikën qeveritare. Gjyqësori vuan nga presionet politike, ndërkohë që korrupsioni mbetet problem serioz në të gjitha nivelet…

Këto nuk janë vlerësime kuturu, por pikë dhe presje citate nga Raporti i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë, si dhe Raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut. Rrjedhimisht, pyetja që e kundërshton tezën e dhënies së rekomandimit është jashtëzakonisht serioze – si mund të mendohet për nisjen e negociatave dhe mos kjo mund të kuptohet si shpërblim? 

Në aspektin rajonal, shpërblimi i këtillë mund të kuptohet se pavarësisht shkeljeve të shumta serioze të cilat nuk trajtohen me vite, Brukseli megjithatë e toleron përkeqësimin evident dhe amniston papërgjegjësinë institucionale. Për pasojë, mund të dërgohet gabimisht porosia se procesi integrues në BE vazhdon në mënyrë të pakthyeshme, vetëm për arsye se nuk ka alternativë tjetër. 

Me gjasë, ky nuk është qëllimi i Brukselit, pavarësisht heshtjes pasive dhe vlerësimeve të shumta të gabueshme politike në të kaluarën. Në të kundërtën, shpërblimi për përkeqësimet në Maqedoni do të jetë shuplakë e fuqishme jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë ata që besojnë në vlerat evropiane dhe që meritojnë një jetë dinjitoze. Atyre të cilëve porositë e bukura diplomatike nuk ua kthejnë shpresën, andaj marrin rrugën e azilit dhe kërkojnë trajtim njerëzor në Evropën me ngjyra. 

Duke i amnistuar dhe heshtur shkeljet e shumta të cilët njerëzit i shohin çdo ditë, BE-ja e ka humbur ndikimin, me pak gjasa për rikthim të shpejtë. Konkretisht, nëse qytetarët ballafaqohen me procese të kurdisura gjyqësore, polici të cilës nuk i besojnë dhe një mjedis ku frika mbyll gojën, sa do t’i besojnë këta qytetarë raporteve të Brukselit, me të cilat i jepet alibi bashibozukut të sheshtë? 
Gjasat e Maqedonisë për integrim në BE çdoherë lidhen me çështjen e emrit si kusht thelbësor. Anash mosvullnetit për zgjidhje dhe kreativitetit të koalicionit për të blerë kohë me lojë të dyfishtë, raportet e lartpërmendura tregojnë se ekziston një det me probleme tjera, disa edhe shumë më kritike. Me një Amerikë që natyrshëm fokusohet në pjesët tjera të botës dhe OKB që nuk ka asnjë sukses të vetëm në zgjidhjen e kontesteve mes shteteve, Maqedonia do të mbetet edhe gjatë në vetënumërim dhe problemet do të rriten. 

Nëse rezoluta për rikthimin e vizave e synon dekurajimin e azilkërkuesve të rrejshëm, pse nuk veprohet njëjtë edhe me rekomandimin për negociata, për ta demonstruar seriozitetin e Brukselit dhe për ta nxitur Maqedoninë që t’i përkushtohet seriozisht obligimeve institucionale dhe shtetërore? 

Kjo pyetje kërkon përgjigje, tash në dhjetor ose në mot në shtator. Politika e fjalëve të bukura, dialogjeve pa qëllim dhe injorimit të problemeve dështoi në të gjitha aspektet e mundshme. Një raport tjetër i suksesshëm nuk do t’ia rrisë fuqinë dokumentit që me gjasë do të mbulohet me ndonjë mega-lajm tjetër të porositur ditën e njëjtë. Është e qartë që kahja duhet ndryshuar thelbësisht dhe pyetja e vetme është nëse Brukseli ka vullnet dhe ide si të veprojë me Maqedoninë. Për ndryshim, mund të fillohet me një kthesë politikë të guximshme dhe serioze në terren, sa më shpejtë aq më mirë.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button