Alexis Tsipras, gjeni apo i çmendur?

“Kush do ta nxjerr gjarprin nga vrima?” Është kjo proverba e vjetër greke që ripërsëritet në situata të pashpresa në shtetin antik të Greqisë.

Qe një kohë të gjatë Greqia është në një situatë të pashpresë, “është në vrimën e gjarpërit”, me faj të vetin, dhe me një shtysë të madhe nga partnerët e saj në Eurozonë, transmeton Indeksonline.

Kur kryeministri grek, Alexis Tsipras, anuloi raundin e fundit të bisedimeve me kreditorët, duke thirrur një referendum popullor më 5 Korrik, si rrebelim ndaj institucioneve të BE-së dhe FMN-së për imponim të marrëveshjes, duke kërkuar shkurtime të ashpra buxhetore dhe masa shtrënguese në politikat fiskale, u bë e qartë se Greqia po hyn në periudhën më të rëndësishme prej vitesh.

Pasi kreditorët nuk lëvizin as edhe një centimetër të vetëm nga kërkesat e tyre, në anën tjetër Kryeministri Tsipras në asnjë mënyrë nuk u pajtua me kërkesat e tyre, pasi, sipas tij, kërkesat e tyre do t’i linin në rrugë ata që euforikisht festuan fitoren e SYRIZA-s në zgjedhjet e fundit.

Alexis Tsipras kërkoi nga dikush që “ta nxjerr gjarpërin nga vrima”, dhe kjo përgjegjësi ra mbi popullin grek.

Nuk ka dyshim se vendimi rrebelues i Tsipras-it shokoi skenën politike ndërkombëtare, pasi, të bëhemi të sinqertë, askush nuk e ka sfiduar Trojkën në këtë mënyrë deri tani, e cila po mban nën ethe popullin grek për vite me kërkesat e vazhdueshme për masa shtrënguese.

Zyrtarë të BE-së vendimin e Tsipra-s për referendum e cilësuan si vënie në lojë – fatin e Greqisë, ndërkohë që analistët dhe opinionistët në botë e kanë parë si detyrë të vështirë para vetes deshifrimin e thirrjes për referendum.

Dhe, përderisa analistët nuk arritën që natyrshëm të kuptojnë ‘tendosjen e trurit’, Tsipras bëri dy goditje që shumë analistë në mbarë botën pyesin: “A mos është i çmendur ky njeri”?!

 

Ndërkohë më 1 Korrik, Tsipras dërgoi një letër drejtuar ministrave të Eurozonës, ku ai pranon të gjitha kushtet e kreditorëve me disa ndryshime minore dhe disa ankesa të vogla. Në anën tjetër, pak momentë më vonë në një paraqitje të drejtë televizive ai kërkoi nga grekët që në referendumin për pranim të kushteve të kreditorëve, apo jo, të votojnë kundër.

Kush e di, nëse Tsipra është një shkurtpamës apo një gjeni?! Kush e di, nëse ai me këto deklarata kontradiktore po blen kohë, apo dëshiron ta bankrotojë Greqinë me qëllim.

Qëndrimet ndryshojnë. Disa ekspertë të ekonomisë në Greqi, që mbështesin masat shtrënguese të parashtruara nga kreditorët, Tsipras-in e konsiderojnë si një “lunatik të paaftë.”

Ndoshta edhe kanë të drejtë. Ndoshta Alexis Tsipras nuk ka një vizion të qartë për politikat evropiane, gjë që mund ta çoj Greqinë në humnerë, transmeton Indeksonline. Megjithatë, veprimet e tij, njëkohësisht mund të jenë briliante, pasi që, nëse grekët në referendumin e thirrur më 5 Korrik votojnë kundër, ai do ta legjitimojë dhe përforcojë pozitën e tij si kryeministër, duke i siguruar SYRIZA-s edhe një mandat në pushtet.

Një kryeministër si Tsipras, në krye të një vendi që për një kohë të gjatë është në krizë ekonomike dhe sociale, dhe që i del në besë fjalëve të tij para elektoratit duke mos shtuar masat shtrënguese, nuk do të mund të injorohet as nga BE-ja, që në masë të madhe udhëhiqet nga Gjermania.

Synimet e Tsipras duken të jenë afatshkukrtëra, duke pasur për qëllim fitimin e betejave, dhe jo të luftës. Politikat afatgjata janë karakteristike për Gjermaninë, por jo edhe Greqinë, që kanë vazhduar të marrin hua pa kontrollë për një kohë të gjatë.

Sipas kësaj logjikë, Tsipras del të jetë një gjeni, dhe politikat e tij duken të jenë briliante. Kuptohet në nivel shtetëror. Por në pozicion ndërkombëtar, Greqia duket te ketë një të ardhme të frikshme, sepse askush nuk e di se çfarë saktësisht do të ndodhë me Greqinë pasi t’i ketë shkëputur marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, dhe të dalë nga Eurozona.

Përfundimisht, Alexis Tsipras nuk është një lunatik, por nuk është as gjeni. Ai është një politikan i mprehtë, që pëmres deklaratave dhe veprimeve të tij po blen kohë, duke e përdorur me shkathtësi zemërimin dhe pakënaqësitë e grekëve.

Situata në Greqi është para kolpasit, paratë kesh janë në mungesë, bankat janë të mbyllura, dhe shuma maksimale që lejohet për tërheqje është 60 Euro. Zemërimin e grekëve Tsipras e ka drejtuar nga kreditorët, nga të cilët e ka drejtuar gishtin duke iu thënë “po gaboheni.”

Lajme të ngjashme

Back to top button