Vatra-Çerdhe e pavarësisë së Shqipërisë

Popujt e vegjël janë më të rehatshëm kur kanë vëllezër më të mëdhenj biologjikë që ua mbrojnë shpinën. Por ky privilegj ka dhe anën e shëmtuar, duke qenë se të mbrojturit i bën të frustruar dhe të gatshëm të shërrojnë komplekset e inferioritetit në llogari të të tjerëve. Shqiptarët nuk bëjnë pjesë ndër etnitë e tilla. Ata kanë kulturë dhe gjuhë të veçantë, të lashtë sa vetë siujdhesa trazavaçe e ballkanit, të populluar me etni vendore e ardhacake, të fisme e të egra. Edhe historia e shqiptarëve është e veçantë – është histori përpjekjesh e betejash të pasosura për mbijetesë.

Kështu ka qenë një dajm, ndaj dhe territori ynë është tkurur nga shekulli në shekull, jo pse na mungoi dinjiteti dhe gatishmëria për t’i dalë zot vatanit, por pse u gjendëm gjithnjë përballë hienash ballkanike të përbashkuara me interese ekspansioniste të disa fuqive të mëdha…

Përpjekjet për të hjekur qafe ata që donin të bëhen zot në tokat tona, i nisëm nga distanca mijërakilometërshe të kolonive evro-aziatike (Bukureshti, Sofja, Stambolli, Kajroja…), por pavarësinë e cunguar të vendit e ruajtëm, përveç tjerash, edhe në sajë të përkrahjes diplomatike të  SHBA, e cila në kohën tonë u shndërrua në aleate serioze ushtarake e politike, për çka është mirënjohës çdo shqiptar, me përjashtim të bukëshkelësve të aftë për të përmbysur të vërtetat historike, veçmas në mese njerëzish të rëndomtë, para të cilëve edhe Iblisi mund të luajë rolin e engjëllit shpëtimtar.

*

Përkrahja amerikane është e hershme dhe daton që nga fillimi i sh XX, kur Shqipëria po shpëtonte nga një pushtim dhe po rrezikonte të bjerë nën një pushtim tjetër edhe më çnjerëzor. Që atëherë, përkrahja në fjalë mungoi vetëm kur nuk e deshën shqiptarët, si në periudhën komuniste, kur bëmë vëllëzërimin grotesk me xhelatët tanë.

Dora e ndihmës u ndie veçanërisht pas Konferencës së paqes në Paris (1918), ku qe planifikuar fshirja jonë e plotë nga faqja e dheut. Fatmirësisht presidenti Uilson, të cilin Noli e quajti profet bujar të paqes njerëzore, baba spiritual të Lidhjes së Kombeve, titan dhe kalorës idealist… u pozicionua hapur në anën e Shqipërisë dhe nuk e firmosi projektin e padrejtë të aleancës ortodokse ballkanike, të përkrahur fuqishem nga Rusia. Plani i tij 14-pikësh pengoi caktimin skajshmërisht arbitrar të kufijve të Shqipërisë.

Pa ndihmën e presidentit amerikan Uilson – ideatorit të formimit të Lidhjes së Kombeve (një lloj OKB-je e periudhës para Luftës së dytë botërore), motoja e të cilit ishte: nevoja për kodin moral të politikës ndërkombëtare, zgjidhja paqësore e problemeve ndërshtetërore e ndëretnike, respektimi i të drejtave legjitime të kombeve me qëllimin e vetëm të ruajtjes së paqes dhe ndalimit të ekspansioneve të pakontrolluara të fuqive të mëdha, historia jonë do të ishte shumë më tragjike.

*

Të kësillojta ishin konditat që trimëruan mërgatën shqiptare në Amerikë, që e bënë atë të organizojë jetën institucionale dhe të nisë interesimin për fatin e atdheut të tyre.

Në vitin 1906 numri i shqiptarëve të vendosur në SHBA ishte mbi 20.000, ndaj kishte ardhur koha për veprime konkrete, të cilat rezultuan me themelimin e shoqërive: Bes-Besën, Flamuri i Krujës, Dallëndyshja dhe me botimin e gazetave “Kombi” e “Dielli” (1906-8), kjo e fundit e drejtuar rradhazi prej dy patriarkëve të indipendencës shqiptare Fan Nolit dhe Faik Konicës, të cilët, në dallim prej veprimtarëve të tjerë  u vendosën në qendrat ku gatuhej fati etnive të vogla, si puna jonë. Në këtë fazë qe guximi dhe fryma neoshqiptare e Nolit ajo që kulminoi me autoqefalitetin e kishës ortodokse dhe mposhtjen e megaliidesë famëkeqe greke, me pasojat e së cilës përballemi akoma sot.

Në fazën tjetër, në vigjilje të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar (më 28 prill 1912), shqiptaro-amerikanët ngritën inisiativën për themelimin e Federatës Panshqiptare VATRA, që u shtri në mbi 100 degë dhe shkriu sa ora brenda vetes shoqatat e shumta të mërgimtarëve, duke u shndërruar kësisoj në organizatë zëdhënëse të çështjes shqiptare në botë, në mbrojtëse që mori në dorë fatin e kombit.

Fjala është për stinën më udhëkryq të etnisë, kur pavarësia e posashpallur nisi të sakatohet në tavolina konferencash hileqare. Në këso situatash VATRA luajti rolin e shtetit të munguar shqiptar dhe dërgoi në Evropë personalitete si Noli e Konica, me shpresë se do ta ndalë turrin e shëmtive të politikës evropiane. Ajo organizoi mbledhjen e mjeteve materiale për të finansuar delegatët e dërguar në Londër, Gjenevë, Paris e gjetiu, pa harruar të punojë paralelisht edhe në Vashington. Vendosi dhe forcoi lidhjet edhe me arbëreshët e Italisë, organizoi konferenca, aktivitete kulturore, seminare të ndryshme…, vuri në shërbim të mbrojtjes së interesave të kombit edhe tribunën “Dielli” dhe bëri gjithçka që mundi për të përhapur gjithandej botës të vërtetën tonë.

Me një fjalë ishte autoriteti moral e intelektual i prijësve të VATRËS ai që ktheu vëmendjen e Amerikës drejt çështjes shqiptare. Jo rastësisht amerikanët pikërisht prej drejtuesve të saj kërkuan t’i njohin më mirë shqiptarët dhe të shkuarën e tyre. Prej Nolit kërkuan ta përkthejë anglisht historinë e Skëndërbeut, kurse prej Konicës një histori të shkurtër dhe të qartë të Shqipërisë. Kjo sepse gjer atëherë Amerika kishte lexuar vetëm historitë e shtrembëruara të nëpërkave ballkanike, të cilat e kishin bindur botën për shqiptarët e paaftë për të qeverisur shtet.

Kuptohet: shqiptarët edhe para VATRËS, Nolit e Konicës patën bërë përpjekje për dalje nga tutelat e huaja, por këtë e kishin bërë me zë të mekur e të ndruajtur, duke i kalkuluar panevojshëm aspiratat e natyrshme etnike. Ata kishin kërkuar gjithë kohën një autonomi nën ombrella pushtuesish, kurse vatranët aspironin pavarësinë e plotë të Atdheut.

Në këtë periudhë VATRA investoi shumë edhe për kulturën dhe letërsinë shqipe. Ajo finansoi botime librash historikë e letrarë, nxiti përkthimet e veprave të ndryshme nga shqipja në anglishte dhe anasjelltas, që u bënë bazamenti mbi të cilin nisi të ndërtohet letërsia shqipe e viteve të 30’ta, njëra ndër faqet me të ndritura të historisë  së kulturës sonë.

VATRA nuk e ndali aktivitetin e saj as në kohërat e mëpastajme. Në kohën e komunizmit, ajo u angazhua për ruajtjen e frymës nacionaliste ndër shqiptarët, kurse në kohën tonë u angazhua gjithanshëm për përgatitjen e luftës dhe çlirimin e Kosovës.

VATRA edhe aktualisht vazhdon ta ketë prioritet çështjen kombëtare, përfshirë në këtë mes dhe interesimin e vazhdueshëm për të drejtat e shqiptarëve të mbetur nën pushtetet e të tjerëve. Vatranët e kanë kuptuar herët se pa mbështetjen e një shteti mik si SHBA shqiptarët nuk e kanë të sigurt as të tashmen as të ardhmen. Ata ndërtuan dhe ndërtojnë me shumë mund miqësinë me aleatët tanë, pa kursyer asgjë të vetme. Në këtë plan, ne na mbetet vetëm të kujdesemi për të mos prishur të ndërtuarën prej tyre, si puna e rrënuesit të urës së fshejtë të baladës.

Lajme të ngjashme

Back to top button