OH Hilal ndau 6 tonelata ndihma në Ohër

Organizata Humanitare Hilal në kuadër të karvanit humanitar ndërmori aksion edhe në territorin e Myftinisë së Ohrit, ku në bashkëpunim me Koordinatorin e kësaj myftinie Samet ef. Hajdari dhe operativën e kësaj myftinie bënë shpërndarjen e 250 pakove ushqimore, për skamnorët e të gjitha kategorive dhe jetimët e këtij rajoni. Çdo pako përbëhet prej 22 kilogram produkte ushqimore me peshë të përgjithshme rreth 6 tonelata.

“Sot ndamë 250 pako ushqimore për banorët e rajonit të Ohrit” tha Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti, i cili më tej shtoi se: “shpërndarja u bë në mënyrë të organizuar me ndihmën e operativës së Myftinisë së Ohrit të cilët i falënderoj për organizimin dhe përkushtimin. Ne jemi krenar që në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, po bëjmë vepra të mira dhe po përpiqemi që sadopak të zbutim gjendjen e familjeve që kanë nevojë”.

Nga ana tjetër, edhe Koordinatori i Ohrit, gjegjësisht Myftiu Samet ef. Hajdari shprehu kënaqësinë për shpërndarjen e suksesshme të këtyre ndihmave. “Falënderoj OH Hilal e cila gjithmonë ka treguar përkushtim dhe dedikim ndaj nevojtarëve në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, në rajonin e Ohrit”. 

OH Hilal vazhdon me aksionet e planifikuara dhe madhështia e kësaj organizate është se çdo ditë po ndërmerret nga një aksion. Çdo ndihmë, e çdo paketë shkon në vendin e duhur. Mediumet e vendit janë dëshmitarë për këto aksione te cilat sjellin sado pak gëzim në sofrat e skamnorëve të të gjitha kategorive.

Lajme të ngjashme

Back to top button