BDI dhe PDSH përplasen për “Marrëveshjen e Ohrit”

 

Edhe një dështim i radhës i Komitetit për marrëdhënie ndëretnike ndodhi të enjten në Parlamentin e Maqedonisë, mbledhja e së cilës dështoi sërish për mungesë kuorumi, që kryesisht arrihet nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, e të cilët nuk pranojnë të marrin pjesë në këtë Komitet sa herë që flitet për marrëdhëniet ndëretnike.

Megjithatë, edhe pse dështoi mbledhja, tema e rendit të ditës – “Marrëveshja e Ohrit”, bëri që deputetët shqiptarët të përplasen mes vete – herë ata të PDSH-së me BDI-në, dhe herë këta të fundit mes vete, shkruan KOHA.

Të parët që u përplasën me fjalë ishin zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferri me dy deputetët e PDSH-së, Bekim Fazliu dhe Orhan Ibrahimi.

Xhaferri më shumë u fokusua në segmente ku ka çaluar implementimi i MO-së, duke përmendur decentralizmin fiskal si problem kryesor e që sipas tij, duhet rregulluar në të ardhmen. Xhaferri pranoi se materiali që iu është dhënë deputetëve ka për bazë raportin vjetor të Avokatit të Popullit, duke theksuar faktin se si Sekretariat, ende janë në mbledhjen e informatave nga institucionet shtetërore se deri ku kanë shkuar me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Për një raport të plotë dhe të gjithanshëm të MO-së, Xhaferri u zotua se do ta jap para Raportit të Progresit nga ana e Bashkimit Evropian që pritet të publikohet në muajin tetor të këtij viti. Por, mendim krejt të kundërt kishte deputeti i PDSH-së, BekimFazliu, i cili akuzoi se MO nuk është realizuar.

“Marrëveshja e Ohrit u bë vetëm sa për të ndalë konfliktin e vitit 2001. Në momentin kur duhej të fillonte të realizohej, kreu i BDI-së erdhi në pushtet dhe e bëri Marrëveshje të BDI-së. Marrëveshja e BDI-së që ju i thoni Marrëveshje të Ohrit, u realizua vetëm për 100 funksionarë shqiptarë, e jo për një milion shqiptarë në Maqedoni. Po të ishte realizuar MO, në Maqedoni nuk do të mund të ndodhte Kumanova, Harun Aliu, Sopoti, Monstra, mbushja e burgjeve me më shumë shqiptarë se sa maqedonas. Po të ishte realizuar vërtetë MO, nuk do të kishim dekoncentrim të pushtetit, në vend se të kishim decentralizim të vërtetë. Dhe tani, me Marrëveshjen e BDI-së, Komuna Qendër merr 200 milionë euro e Komuna e Çairit…”, akuzoi Fazliu, duke theksuar se materiali i së enjtes për mbledhjen e Komitetit është kopje e vitit 2012.

Deputeti tjetër po nga PDSH, Orhan Ibrahimi, kritikoi BDI-në për mos zyrtarizmin e gjuhës shqipe, për shkurtimin e dimensioneve të flamurit kombëtar dhe burgosjet e shqiptarëve duke përmendur rastin e Rexhai Qerimit nga Opaja, e që sipas deputetit Ibrahimi, ende mbahet në burg pa faj. Në replikën e tij, Musa Xhaferri kritikoi deputetët e PDSH-së se po e devijojnë debatin, siç tha ai, me të njëjtin zhargon për vite me radhë, ndërsa u kujtoi deputetëve opozitarë kohën kur PDSH ishte në qeverisje me VMRO-në. “Në kohën kur qeverisnit ju, prej Shkupi në Tetovë kishit bandë të veçantë për inkasimin e bizneseve, dhe po në kohën e qeverisjes suaj me VMRO, ndodhën ngjarje tragjike dhe vrasje… mos t’ia përmendi emrin. Ju në vitin 2013 bëtë çfarë është e mundur që në Komunën e Dollnenit ta kthenit në krye të saj një maqedonas. Ju kërkoni me atë marrëveshjen tuaj të Badineterit, konsensus në buxhet dhe e harroni se ne këto i realizuam”, theksoi Xhaferi.

Aliti i kërkon llogari Xhaferrit

Llogari nga zëvendëskryeministri Xhaferri për Marrëveshjen e Ohrit ka kërkuar edhe deputeti i BDI-së, Rafiz Aliti. Madje, ai ka thënë se edhe pas 14 viteve, MO nuk është implementuar në tërësi. “Komiteti për fat të keq më në fund arriti të mbaj mbledhje por përgjegjësia politike bie mbi partitë politike e sidomos mbi BDI-në pasi që kryetari është i joni. Është mirë që pas 14 viteve të kemi debat për marrëveshjen e paqes, e quaj kështu sepse kjo marrëveshje solli paqen, a kur e quajmë si MO ajo përngjan sikurse është nënshkruar diku në Tombuzi.

Në porositë e ndërkombëtarëve se rruga e Maqedonisë në BE është përmes Ohrit, ndërsa përgjegjësi për mosimplementimin e mbajnë të gjithë nënshkruesit e saj”, ka thënë Aliti. Ai ka numëruar disa veprime që janë ndërmarrë, e të cilat drejtpërdrejt kanë ndikuar që kjo marrëveshje të shkelet dhe të mos respektohet. “Pse MO nuk është implementuar: Ndryshimi i preambulës, sjellja e ligjeve për simbolet, ku gjykata Kushtetuese më pas hoqi disa nene dhe prekin drejtpërdrejt Marrëveshjen, ndërsa ligji i simboleve u soll me majorizim dhe me mbivotim. Gjuha shqipe pas 14 viteve flasim ende a është apo nuk është gjuha shqipe zyrtare. Kjo flet se nuk ka pasur vullnet për implementimin e MO-së dhe iniciativa për komisionin në Qytetin e Shkupit për përdorimin e shqipes është tallje sepse MO-ja dhe Kushtetuta e caktojnë atë”, tha Aliti.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. E çka të thuash për kalin e Shemës, ai në pjesën e pasme është një metër i gjërë, e sa për daten Musë, atë që ka kali i shemës në prapanicë, ai e ka në kokë. O mjeran, o nemak, o s’di se si të të quaj, pse nuk shkon të mbjellësh sallata bashkë me shokun tënd? Sigurisht do të ishit më të suksesshëm e do t’ju merrnin lakmi.

Back to top button