Fati i Greqisë, juristët: Referendumi historik, i pamundur për një javë

Referendumi i së dielës është diçka e paprecendentë në historinë e Greqisë së ditëve tona, sepse brenda vetëm një jave duhet të organizohet dhe kryhet një votim në të gjithë vendin me pasoja afatgjata.

Mediat gjermane citojnë ekspertë grekë të pohojnë se fushata elektorale vetëm tetëditore për një nismë të tillë nuk është vetëm e çuditshme, por edhe jokushtetuese, transmeton Top Channel.

Zgjedhësit nuk kishin thuajse fare kohë që të informohen si duhet dhe të formonin mendimin e tyre, thonë ata. Ndërsa argumentët e Syrizës janë se për temat e parashtruara zgjedhësve diskutohet prej vitesh në Parlament, ndaj populli është i informuar mjaftueshëm.

Nuk janë të paktë zërat në fakt që mendojnë se është e pamundur të organizosh një referendum serioz brenda një harku kaq të shkurtër kohe. Për shtetin grek nuk është e lehtë.

Brenda pak ditësh duhet të shtypen rreth 10 milionë fletë votimi dhe të shpërndahen në mbarë vendin. Dërgesat e para të fletëvotimeve nisën të mërkurën, në mënyrë që ato të mbërrijnë në kohë edhe në ishujt më të largët.

Krahas kohës së shkurtër të përgatitjes, i diskutueshëm është edhe pyetësori i referendumit: grekët pyeten nëse do të pranohen propozimet më të fundit të kredidhënësve.

Juristi nga Athina, Nikos Alivizatos supozon se pas formulimit të paqartë të pyetjes qëndron një paramendim.

“Qeveria e di, po të pyeste në mënyrë direkte nëse vendi do të qëndrojë apo jo në Eurozonë, ajo me siguri do ta humbiste referendumin”, shprehet ai.

Në bazë të Kushtetutës, që një referendum të konsiderohet i vlefshëm, në të duhet të marrin pjesë të paktën 40 për qind e votuesve.

Gjykata greke e Llogarive beson se ai do të kushtojë rreth 110 milionë euro, ndërsa ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis këmbëngul se e gjithë kostoja nuk do të shkojë mbi 20 milionë.

Në Greqi nuk ka pasur një referendum që prej vitit 1974, kur u votua për abrogimin e monarkisë pas rënies së diktaturës ushtarake.

Lajme të ngjashme

Back to top button