Kishim mundësinë të bëhemi luanë, mbetëm dele

Mesa duket kompromisi politik nuk është larg. Do të vendoset brenda ditëve – në mos javëve në vijim, por gjithsesi shumë shpejt do të kemi epilog të negociatave. A do të ketë epilog të krizës, kjo do të mbetet të shihet në muajt e ardhshëm. Tani më nuk është e rëndësishme se a do të mbetet Gruevski në pushtet edhe tre apo edhe gjashtë muaj. E rëndësishme është që Gruevski do të mbetet në pushtet, edhe atë me miratimin politik të opozitës. Cilat do të jenë reperkusionet e kësaj mendoj që do të tregojë koha; nuk dua të hyj fare në diskutime monologe sepse nuk mund të jap përgjigje vetes dhe do mbetem pa gjumë sonte. Ajo që është evidente tanimë është që opozita ka humbur betejën dhe kam frikën që do të humbë edhe luftën. Një gjë është e qartë, fakti që do të krijohet qeveri kalimtare apo teknike nuk është fitore e tyre, por është fitore e kompromisit. Ky kompromis është më i favorshëm për qeverinë aktuale sesa për pretendentët opozitarë. Të mos harrojmë entuziazmin e përgjithshëm për largimin e qeverisë teksa promovoheshin “bombat”. Ideja e përgjithshme e secilit qytetar që beson në vlerat demokratike ishte që këto shembje bombastike do ta detyrojnë kryeministrin të largohet për të shpëtuar kokën nga reprezalia që do e priste nga populli i tij i gënjyer dhe i gjunjëzuar. Mesazhi i opozitës ishte që fitorja e tyre është e siguruar, nisur nga aspekti etik i politikës dhe nga pikëpamjet etike të elektoratit. Një gjë e tillë nuk ndodhi; përkundrazi dita ditës jemi dëshmitarë të një afrimi mes dy palëve drejt një kompromisi që për mendimin tim nuk është i favorshëm për të ardhmen e këtij vendi, aq më pak për mirëqenien e këtij populli.

Ajo që është dështuese e këtyre muajve të fundit është që të gjithë ne qytetarët jemi transformuar në dele. Pikërisht në dele! Të gjithë ndjekim rutinën të cilën e kemi të servuar dhe si të verbër shuajmë entuziazmin revolucionar në favor të përfitimeve politike që do të nxjerrin partitë politike dhe liderët e tyre nëpërmjet kompromisit që po avitet. Gjë që është në kundërshtim me vlerat demokratike të cilat synojmë/synonim të ndërtonim në periudhën pas bombave. Këtij procesi politik disa mujor në Maqedoni i mungoi elementi më qenësor demokratik – protesta. Gjë të cilën e proklamonim disa disidentë të mendimit dhe të opinionit në këtë vend. Mënyra më e bukur në të cilën do të ishin zhvilluar proceset ndryshuese në vend do të kishte qenë nëpërmjet protestave të shpeshta, të mëdha, mbarëpopullore që do të detyronin të gjithë liderët politikë, pa përjashtime të kruajnë kokën dhe të dalin zot betimeve të tyre për shërbim ndaj popullit: Atyre që kanë gabuar të largohen, ndërsa pretendentëve të shpalosnin programet për të nxjerrë vendin nga humnera drejt të cilës dukshëm po drejtohet.

Megjithatë, ne të gjithë si dele ju bindëm lojërave në prapaskenë të aktorëve kryesorë të kësaj sharade. Nuk kemi faj fundja, sepse kemi problemet tona të përditshme të cilat na bëjnë egoistë. Edhe kjo është natyrore. Asnjë lider politik revolucionar nuk mund të pret që revolucioni të ndodhë vetvetiu, por atij i duhet një shtytje. Përsëri me fjalët e Che Guevarrës: “nëse molla nuk bjen vetë nga pema, ajo duhet tundur që të detyrojë mollën të bjerrë”. Mënyra më grafike e përshkrimit të detyrave të një lideri politik në kohë krizash është kjo fjali. Qortoj Zaevin – dhe të gjithë “neozaevistët” që dolën si këpurdha oportuniste – për mënyrën se si e relativizuan cështjen duke krijuar melankoli dhe dembelizëm në një popull i cili si rrallë herë ishte i gatshëm të kërkojë ndryshimet në formë bindëse dhe masive.

Ajo që është më e frikshme, është që nuk u krijua një inercion i ri në vend për krijimin e një force të re politike, atë të opinionit publik. Mundësia për ta bërë këtë ishte unike, dhe për këtë të gjithë jemi pjesëmarrës në faj. Tanimë kjo mundësi është humbur, sepse inercioni është deakseleruar, duke i lënë rrugë kompromisit politik mes pretendentëve të fronit në këtë shtet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button