Pakënaqësi të reja në lidhje me kërcënimet e Ademit, pas testimit skandaloz

Ministri Abdilaqim Ademi paralajmëroi largim nga puna të mësimdhënësve që kanë dallime në notimin e nxënësve, çdo herë duke i krahasuar notat e tyre me ato të vlerësimit ekstern dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi të reja.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Kumanovë (LASH), Samet Jahiji këtë kërcënim e quan të pa logjikshëm.

“E dëgjova atë që kishte thënë ministri, ai është duke folur paushall. Një testim i dështuar e i mbushur me gabime nuk mund të jetë shkaktari për humbjen e punës së ndonjë mësimdhënësi. Siç duket ministri Ademi nuk ka lidhje me atë që quhet arsim. Ai nuk merr përgjegjësi për gabimet e shumta dhe qesharake që kishte testimi, kurse mësimdhënësi mund të humb punën si pasojë e rezultatit të tij”, tha për Portalb, Jahiji.

Ai thotë se nëse kështu vazhdon ministri, atëherë në shtator nuk do të fillojë mësimi por do fillojnë bojkotet e madje edhe protesta.

“Ne jemi duke pritur, rezultatet e testimit kanë dalë dhe nëse ndodh që ndonjë mësimdhënës e humb punën apo dënohet, ne do të bëjmë thirrje për bojkot e madje edhe për protesta në fillim të shtatorit. Jemi në bisedime edhe me Plenumin e mësimdhënësve dhe ata kanë të njëjtin mendim, që nëse ministri nuk heq dorë nga këto kërcënime, në shtatorë nuk do të fillojë viti i ri shkollor, por do të fillojnë bojkoti dhe protesta deri sa të tërhiqen të gjitha projektet që po shkatërrojnë arsimin”, shtoi Jahiji.

Kryetari i Sindikatës për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SASHK), Jakim Nedellkov, thotë për Portalb se ministri nuk mund të largojë nga puna mësimdhënësit.

“Ministri nuk mund të largojë nga punë mësimdhënësit duke u bazuar në rezultatet e tesimit ekstern. Ne do kemi sërish takime me MASH dhe sërish do të bisedohet lidhur me testimet eksterne si dhe pasojat e tyre”, tha Nedellkov.

Ndërkaq nxënësit përsëri reaguan lidhur me testimin ekstern, si dhe iu drejtuan Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke i siguruar ata se ka probleme teknike sepse pyetjet nuk janë në rregull, dalin pa përgjigje, dhe kur ka përgjigje, ato nuk janë të sakta, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka dashur t’i dëgjojë.

Gjithashtu edhe nota mesatare e testimit ekstern për këtë vit është më e ulët se ajo që ishte vitin e kaluar si dhe shkollat fillore dhe të mesme shqipe, sërish nuk hynë në dhjetëshen e shkollave me sukses më të lartë në këtë testim.

Lajme të ngjashme

Back to top button