Migrantë të bllokuar në zonën kufitare mes Maqedonisë dhe Greqisë

Vazhdon të rritet fluksi i migrantëve në Maqedoni e me këtë edhe problemet dhe fatkeqësitë e tyre e atyre që ndodhen në territorin tonë, transmeton Alsat M. Pas vdekjes së një emigranti i cili la pas fëmijën 13 vjeçar, lindjes së grave shtatzëna në spitalet e Maqedonisë por edhe një mori migrantësh të sëmurë rëndë e të plaçkitur, në zonën e përbashkët kufitarë me Greqinë, qëndrojnë qindra emigrantë të cilët nuk lejohen të hyjnë në Maqedoni. Këtë fakt e denoncojnë organizatat jo qeveritare në terren. Jasmin Rexhepi nga OJQ “Legis” thotë se personat e bllokuar tashmë disa ditë në kufirin grek janë të sëmurë rëndë dhe të pa ushqyer. Si pasojë e reshjeve të shumta gjatë këtyre ditëve, fjetja në qiell të hapur ua ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen.

“Disa herë e kemi vizituar kufirin me Greqinë. Me leje të policisë kemi hyrë deri tek pjesa greke e zonës së përbashkët. Pamë rreth 50 persona që aty qëndronin, kurse mbi 150 kërkonin të hynë në Maqedoni. Duke marrë parasysh se vija kufitare është e gjatë, së bashku me organizatat greke mund të pohojmë se mijëra emigrantëve po presin që të hyjnë në Maqedoni. Ky është një numër shumë i madh. Ata nuk kanë ushqim, ujë, ndihmë mjekësore. Para disa ditësh një vdiq për shkak të kësaj gjendje, një grua lindi fëmijë në Gjevgjeli. Mes atij grupi është edhe një grua tjetër shtatzënë dhe një grua e moshuar në karrocë. Apelojmë deri tek organizatat me mandat apo që kanë marrëdhënie të afërta me pushtetin që të na ndihmojnë ti nxjerrim ato persona të rrezikuar dhe ti marrim në territorin e Maqedonisë për t’iu dhënë trajtimin e duhur mjekësor”, deklaroi Jasmin Rexhepi, OJQ “Legis”.

Lajme të ngjashme

Back to top button