Ndërpritet seanca për vrasjen e policit në Lazarat, i dyshuari ka një kërkesë

Seanca gjyqësore që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda kundër një prej vëllezërve Aliko të arrestuar si të dyshuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, është ndërprerë për shkak të moshës së mitur të të pandehurit, raporton Top Channel.

Alban Aliko është vetëm 17 vjeç dhe për këtë arsye, përpara sesa t’i komunikohej masa e sigurisë, avokati mbrojtës ka kërkuar një psikolog, e për të rinisur seancën ndoshta në një moment të dytë gjatë ditës së sotme.

Ndërkohë, po sot pritet të dalë para gjyqtarëve edhe vëllai i madh i tij, Arbion Aliko, teksa mbi të dy këta shtetas rëndojnë jo vetëm akuza e vrasjes së efektivit të RENEA-s, por edhe akuza të tjera si armëmbajtja pa leje.

Dy vëllezërit u arrestuan mbrëmjen e vonë të së shtunës, teksa u rrethuan pranë urës së Kardhiqit në Gjirokastër, pas një operacioni të gjatë të forcave speciale, të ndihmuar edhe nga një helikopter i ushtrisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button