Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni paralajmëron udhëheqësi të re

Fani Karanfillova-Panovska, që karrierën e saj e ka filluar në organizatat studentore dhe ka më tepër se 20 vite përvojë në sektorin qytetar, sot ka marrë funksionin e drejtorit në Fondacionin Shoqëria e Hapur – Maqedoni (FShHM), duke trashëguar Vlladimir Millçinin, drejtorin e parë ekzekutiv të Fondacionit.

“Për mua ka qenë privilegj të udhëheq Fondacionin Shoqëria e Hapur – Maqedoni gjatë 22 viteve të fundit”, ka deklaruar Millçin. “Maqedonia është përballur me shumë sfida gjatë kësaj periudhe, ndërsa unë jam krenar që kam punuar bashkë me shoqërinë qytetare për ta bërë vendin tonë më demokratik, të drejtë dhe të barabartë për jetë”.

Gjatë udhëheqjes së Millçinit, Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka pasur rol të rëndësishëm në mbështetjen e shoqërisë në Maqedoni gjatë momenteve kryesore të historisë së shtetit dhe zhvillimit afatgjatë të shoqërisë së hapur dhe demokratike.

Gjatë krizës në Kosovë në vitin 1999, Fondacioni ka siguruar ndihmë humanitare për refugjatët kosovar dhe ka nxitur donatorë të tjerë ta bëjnë të njëjtën. Koalicioni “Mjaft” i udhëhequr nga Fondacioni, të cilit iu bashkëngjitën më tepër se 100 organizata qytetare, ka pasur rol të rëndësishëm në parandalimin e eskalimit të konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni në një luftë katastrofale qytetare.

Për më shumë se 10 vjet, Fondacioni e mbështet shoqërinë civile në Maqedoni dhe punën e saj në agjendën reformuese drejt  Bashkimit Evropian, që paraqet kontribut të rëndësishëm për arritjen e statusit- vend kandidat për anëtarësim në BE dhe marrjen e e rekomandimit për fillimin e negociatave. Kjo mbështetje përfshin aktivitete të FShHM dhe dhënie të granteve për reformat prioritare në fushat e lirisë së mediave, pavarësisë së gjyqësorit, ligjvënie për të drejtat e njeriut, procesin e decentralizimit dhe reforma në administratën publike.

Fondacioni i mbështet të drejtat e Romëve në Maqedoni për më tepër se 20 vite. Gjatë kësaj periudhe, dhe në partneritet me organizatat lokale dhe aktorët ndërkombëtar, siç janë USAID, Ambasada e Mbretërisë së Holandës, Forumi Arsimor Rom dhe Fondacioni për fëmijë Pestaloci, numri i nxënësve rom në shkollat e mesme si dhe studentëve është dyfishuar. Përpjekja e Fondacionit për dhënien e bursave për nxënësit e shkollave të mesme dhe mediatorëve shëndetësor tani është inkorporuar në politikat kombëtare për Romët në Maqedoni.

Millçin, që kishte paralajmëruar ikjen e tij në pension që vitin e kaluar, është një fytyrë e njohur e teatrit dhe artit dhe planifikon të fokusohet në këtë drejtim.

“Kjo është një periudhë e ndryshimeve të mëdha në Maqedoni”, komenton Karanfillova-Panovska, drejtoresha e re e Fondacionit. “Gjithmonë më kanë gëzuar përpjekjet e Fondacionit për ta mbështetur shoqërinë civile në Maqedoni. Është kënaqësi e veçantë që do të kem mundësinë ta udhëheq ekipin e FShHM në ballafaqimin me sfidat e tanishme dhe të ardhshme, siç është shembulli aktual për përkrahjen e migrantëve që ikin nga lufta dhe përndjekja në Siri dhe Afganistan.“

Lajme të ngjashme

Back to top button