PARALELE TË TRISHTA

Jemi banorë të një shteti të lodhshëm, të egër, traumatizues, dhelpërak e ofendues. Përjetuam trauma të shumta, inskenuar prej pushtetesh paranojake, të udhëhequr prej kokash kompetente të marrisë dhe krimit, kurse ngjashmëritë ndërmjet të djeshmes dhe të sotmes na rikthejnë në kujtesë shtetin me emër të komplikuar – Jugosllavi.

Shtetet me emra të komplikuar, siç thotë ngjashëm Kundera, i pret fati i keq.

Ne brezi i udhëkryqeve, që jetuam e jetojmë në kohë të trishta, e kemi kujtesën e rënduar me emra vendesh që, ndoshta, nuk do t’i kishim kërkuar kurrë në hartën e interesimeve tona. Janë emra që na trazojnë brenda qenies valë ankthesh dhe secili vend është njëfarë simboli universal, që na kujton një ngjarje të trishtë, e cila, siç thotë një varg i Bodlerit, ngul në kafkat tona flamurin e zi.

Brezi më i ri, mbase, nuk e di ku i bie Paraqini – vendi ku ndodhi rrengu i sajuar prej demonëve mynxyrësjellës, kundër të pafajshmëve që donin jetën e dinjitetshme…

***

Ora tre e mëngjesit. Tre shtator i motit 1987. Ushtari Azis Kelmendi, student nga Kosova, të cilit i kishin mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e shërbimit ushtarak në Paraqin, sipas versionit zyrtar, të shumëfishuar me agresivitet, vrau në gjumë disa ushtarë përkatësish të ndryshme kombëtare.

Gazeta “Politika”, që bënte gjyqin, shumëfishoi të nesërmen titullin tronditës: “Azis Kelmendi shtyu kundër Jugosllavisë”. E pasi Kelmendi ishte shqiptar, titulli jepte mesazhin se ishin shqiptarët ata që shtynin kundër shtetit tani të shuar.

Gjithnjë sipas versionit zyrtar: Azis Kelmendi më pas u vetëvra disa kilometra larg kazermës…

Ai ishte viktima e zgjedhur. Ishte shqiptar dhe student. Këtë akt duhej ta bënte vetëm një shqiptar dhe një student që punonte për një kauzë!

Ai nuk duhej të ishte i vetëm, sepse ky akt mund të lidhej me ndonjë dobësi çasti ose me motive banale, prandaj u gjetën “fajtorë” të tjerë. Duke qenë pjesë kinse e një grupi, kjo ngjarje i shërbente një kauze kundër shtetit jugosllav! Prandaj, u dënuan me burg të rëndë disa të rinj të tjerë shqiptarë, me akuzën për bashkëpunim.

Shërbimet shtetërore, mbase, kishin dijeni për botëkuptimet e të dënuarve. Nëse prireshin kundër padrejtësive shtetërore, edhe si të pafajshëm, ata përshtateshin për akuzat e rënda.

Të dënuarit, gjithsesi, duhej të ishin shqiptarë visesh të ndryshme. Njëri prej një fshati të Tetovës. Sipas skenarit, shqiptarët, kudo ku jetonin, duhej të paraqiteshin se vepronin për një kauzë: vrasjen e Jugosllavisë. Si të këtillë ishin “elementi i rrezikshëm”, prandaj duhej të luftoheshin me çdo mjet.

Ashtu siç çdo aksion nxit reaksionin, sikurse thonë ligjet e Njutnit, shqiptarët vërtet ishin bërë të rrezikshëm për shtetin, sepse ai i vriste dhe i shpallte vrasës…

E vërteta e plotë për këtë ngjarje mbase asnjëherë nuk do të zbulohet. Ajo jo përherë, siç thuhet, por shpesh zbardhet me vonesë. Megjithatë, nuk ja kthen jetën viktimës. As nuk ua kompenson vitet e humbura njerëzve fatkeqë.

***

Metodat dhe mjetet e njëjta u përdorën edhe në shtetthin e ri. Si përherë, nuk munguan matrioshkat, me pushtet sa të sundonin vetveten dhe të ruanin paqen e kontrolluar. Dekori duhet për të përligjur veprimet e egra të fantazmave të dikurshme, shfaqur nën maskat e reja.

Shtetthi i ri, kështu, u bë i frikshëm. Vriste dhe të shpallte vrasës. Të viktimizonte dhe të shpallte xhelat. Të dënonte padrejtësisht në emër të drejtësisë. Të demonizonte në emër të superioritetit etnik. Të damkoste për të përligjur veprimet demoniake. “Barabarësia”? Një fjalë goje. Po barabarësia është më shumë se një fjalë. Është diçka që ndjehet, që shihet, që bëhet mënyrë jetese. Sa më shumë tenton ta mbash dikë të nënshtruar, prirja për liri bëhet më kokëfortë. Nuk shuhet me egërsi e dredhi. Një brez mund të përgjumet, por vjen brezi tjetër që synon riparimin e së keqes.

Ata që mashtrohen se ky serial mund të zgjasë me episode të pafundme, bëjnë llogari të gabuara dhe janë nxënësit më të dobët në shkollën e historisë.

Ata që ecin në drejtimin e kundërt të rrymës, janë në kahen e duhur të historisë. Nuk duan që fëmijëve t’ua bartin si stafetë traumat e tyre.

Mbartja e traumave prej brezi në brez ndodh për sa kohë shërbimet e sigurisë motivohen, si dikur, vetëm kur veprojnë kundër qytetarëve shqiptarë, të cilët, më pak ose më shumë, i kanë kundërshtuar elitat politike dhe akademike, helmuar prej helmeve të ksenofobisë…

***

Kështu nuk ndërtohet shteti i përbashkët. Vetëm ndërtohet shtëpi në rërë. Krijohet shteti i lodhshëm, torturues, traumatizues, dhelpërak, ofendues. Krijohet sistemi që i mungon fytyra njerëzore, i cili mëton të shtrihet, madje, edhe në botën intime të njerëzve.

Aty ku shteti shfaqet si gogol frikësues, e tashmja bëhet e rëndë dhe frymëzënëse. E ardhmja mund të krahasohet me një shpellë të errët, që s’dihet çfarë tmerresh fsheh brenda territ të saj.

Kësaj logjike duhet t’i vijë fundi, nëse duam që shpella të ndriçohet. Shpresa vdes e fundit, por vetëm me shpresë nuk jetohet. Të ndërtosh shtëpi në rërë, do të thotë të ndërtosh diçka të përkohëshme. Mjerisht!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button