A ka opozita fuqi të shtyjë Gruevskin të japë dorëheqje?

Edhe takimi i fundit në mes katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni rezultoi pa një marrëveshje konkrete për të nxjerrë vendin nga kriza e thelluar politike e cila po mbizotëron për momentin. Sipas asaj që shkruhet në mediat vendore, jozyrtarisht kryeministri Nikolla Gruevski, nuk bën asnjë kompromis sa i përket largimit të tij nga froni, të paktën 6 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.

Njohësit e çështjeve politike thanë se Greuvski tregoi që nuk ka ndërmend të tërhiqet, por shtrohet pyetja se a kanë fuqi partia shqiptare dhe ajo maqedonase në opozitë ta detyrojnë kryeministrin për një gjë të tillë.

Analisti Xhelal Neziri thotë për Portalb se nëntë vite në pushtet si duket kanë qenë të mjaftueshme për ta kapur shtetin dhe për t’i partizuar deri në atë masë institucionet saqë të kemi një parti-shtet, ku opozita është sa për të qenë apo vetëm si dekor demokratik.

“Kryeministri Nikolla Gruevski dëshmoi se nuk mund të detyrohet të dorëhiqet as me publikimin e aferave më të pista korruptive, e as me protestat dhe tendat e opozitës. Nëntë vite në pushtet si duket kanë qenë të mjaftueshme për ta kapur shtetin dhe për t’i partizuar deri në atë masë institucionet saqë të kemi një parti-shtet, ku opozita është sa për të qenë apo vetëm si dekor demokratik”, tha Neziri.

Ai shtoi se në këtë rast është normale të kemi një opozitë të dobët dhe të pafuqishme që të detyrojë kryeministrin të dorëhiqet, me qëllim të ketë një ndarje të qartë midis partisë së disa personave dhe shtetit që u takon të gjithë qytetarëve.

“Në një ambient të këtillë, është normale të kemi një opozitë të dobët dhe të pafuqishme që të detyrojë kryeministrin të dorëhiqet, me qëllim  të ketë një ndarje të qartë midis partisë së disa personave dhe shtetit që u takon të gjithë qytetarëve. Opozita shqiptare rëndë është duke u konsoliduar dhe në këtë betejë politike pushtet-opozitë duket se nuk ka guxim të pozicionohet qartë, duke mbetur një vëzhgues pa peshë politike në vendim-marrje”, shtoi Neziri.

Nga ana tjetër Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për politikë evropiane thotë se tani më u dëshmua që në takimin e liderëve shqiptarët nuk kanë opozitë.

“Duke u bazuar në bisedimet deri më tani kemi kuptuar se BDI dhe po ashtu PDSH përkrahin kryeministrin Gruevski. Dhe nëse ato e përkrahin nuk do të mund të detyrojnë atë të tërhiqet me përkrahje”, tha për Portalb, Jordanova.

Sa i përket partisë opozitare maqedonase, ajo do të ketë fuqi aq sa do të mund të bashkojë gjithë qytetarët e pakënaqur ë ngritin zërin kundër qeverisë.

“Partia opozitare maqedonase do të ketë fuqi aq sa do të arrijë të bashkojë qytetarët e pa kënaqur të të gjitha bashkësive dhe të krijojë një platformë më të gjerë qytetare politike kundër Gruevskit”, shtoi Jordanova./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button