Greqia kërkon zgjidhje të minutës së fundit dhe refuzon të paguajë huanë për FMN

Qeveria greke kërkon një zgjidhje të minutës së fundit, duke hedhur në tryezë propozimin për një marrëveshje brenda Eurozonës dhe ristrukturim të borxhit që ka.

Propozimi i Athinës mbërrin pak orë nga përfundimi i afatit për derdhjen e 1.6 miliardë eurove në llogaritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e detyrimeve që Greqia i ka këtij institucioni, si një prej huadhënësve të tij kryesorë.

Lëvizja e qeverisë greke mund të interpretohet si përpjekje për të mënjanuar Fondin dhe këtë e ka bërë të qartë edhe ministri i Financave, Yannis Varoufakis. Kur u pyet nga gazetarët nëse do të derdheshin brenda afatit 1.6 miliard eurot, ai u përgjigj shkurtimisht: Jo!.

Më herët Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker i ka bërë kryeministrit grek Alexis Tsipras një propozim të ri për të përafruar qëndrimet, duke përfshirë një zgjidhje për borxhin në këmbim të mbështetjes së qeverisë për një përgjigje “po” në referendumin për planin e masave shtrënguese. Por kësaj oferte qeveria helene i është përgjigjur me kundërofertën në fjalë.

Nga Bashkimi Europian kjo shihet si një paketë e tretë huaje dhe reagimi i kancelares gjermane, Angela Merkel ishte i menjëhershëm.

“Nuk do të diskutojmë një paketë të tretë ndihme”, tha ajo./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button