Alsat: LSDM dhe VMRO zhvillojnë bisedime të fshehta, ja se për çfarë

Ekipet negociuese të VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, të udhëhequra nga liderët e partive Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, kanë vazhduar edhe sot larg syve të opinionit, bisedimet bilaterale për dalje nga kriza. Siç mëson Alsat M, në këto takime të ndërmjetësuara nga ambasadori amerikan Xhes Bejli, po bisedohet jo vetëm për përmbajtjen dhe kohëzgjatjen e qeverisë kalimtare, por edhe për riorganizimin e drejtorive dhe institucioneve nën kompetencë të pushtetit ekzekutiv.

Kërkesa e LSDM-së është marrja e Ministrisë së Brendshme, ndërsa në pakon e bisedimeve, mes të tjerash janë edhe Drejtoria për të Ardhura Publike dhe Radio Televizioni i Maqedonisë. Në takimin e djeshëm nuk pati asnjë përafrim rreth kohëzgjatjes së mandatit të qeverisë kalimtare, pa pjesëmarrjen e Nikolla Gruevskit. Alsat M mëson jo zyrtarisht se në tavolinë është propozimi që qeveria kalimtare me përfshirjen edhe të LSDM-së dhe mbikëqyrësve në disa ministri kyçe, të fillojë me punë nga nëntori, ndërsa mandati i kryeministrit Gruevski të pushojë në janar të 2016-tës.

Largimi i Gruevskit nga posti kryeministror, të realizohej me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, i cili do të përjashtonte mundësinë që krerët e partive politike të ushtrojnë funksionin kryeministër, 3 muajt e fundit para procesit zgjedhor.

BDI-ja dhe PDSH-ja nuk marrin pjesë në këtë fazë bisedimesh, por përkrahin zgjidhjen e shpejtë të çështjeve të mbetura mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button