Edhe Denisi nga Maqedonia i dyshuar për vrasjen e studentit në Belgjikë

Një 20-vjeçar belg është arrestuar, si autor i dyshuar i vrasjes së studentit shqiptar Xhuliano Brahimllari, trupi i të cilit u gjet pa kokë, këmbë e duar, teksa një shtetas i Republikës së Maqedonisë është shpallur në kërkim. Zhvillimet pozitive rreth hetimeve për vrasjen e 22-vjeçarit nga fshati Dukas i Fierit, erdhën së fundmi, kur gjyqtari Colette Calewaert lëshoi një urdhërarrest natën e së enjtes mes së premtes në ngarkim të shtetasit Vincent D., një banor i Brukselit, i moshës rreth 20 vjeç, shkruan Gazeta Shqip.

Ai u akuzua për vrasjen e Xhuliano Brahimllarit, studentit për Juridik dhe Kriminologji. Një pjesë e trupit të tij, trungu pa kokë, këmbë e duar, u zbulua më 9 qershor, në një valixhe. Lajmin për arrestimin e 20-vjeçarit belg e bëjnë të ditur mediat vendase, ku kryesisht e përditshmja “Lavenir” i ka ndjekur zhvillimet e fundit hetimore për këtë rast. Gjurmët e para kishin nisur nga telefoni i Vincent D. dhe një shtetasi të quajtur Denis, nga Maqedonia, për të cilin besohet se ndoshta është kthyer në vendin e tij të origjinës. Në këtë fazë, duket e sigurt se viktima ka vdekur në një apartament në Bruksel.

Trupi u shpërbë më pas, por vetëm trungu u gjet. Asnjë gjurmë e kokës dhe gjymtyrëve. Disa lloje të drogave të ndryshme u zbuluan në apartament, por në sasi të parëndësishme. Për më tepër, hetimi nuk ka identifikuar motivin. Vincent D. mohon çdo faj, por deri më tani ai nuk ka bindur me thëniet e tij. Ai do të paraqitet sot para dhomës së këshillit në Bruksel, për të konfirmuar ose të mohojë urdhërarrestin nga gjyqtari Caleëaert. Në të gjitha gjasat një urdhërarrest ndërkombëtar u lëshua për Denisin. Nisur nga emri, ka gjasa që Denisi të jetë shtetas i etnisë shqiptare, me banim në Maqedoni, ndonëse kjo mbetet hipotezë, deri në arrestimin e tij dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Nga hetimet rezulton se ditën e diel, më 9 qershor të këtij viti, rreth pasdites Xhuliano Brahimllari e ka ruajtur kontaktin e tij të fundit të telefonit. Por ai pati shkëmbime të bollshme brenda 24 orëve, përpara natës, sidomos me Vincent D.

Ndërkaq, vetë Vincenti thotë se ishin miq për vite me radhë dhe se ata takoheshin rregullisht. Dëgjimi i tij maratonë filloi të enjten në mëngjes, më 25 qershor dhe përfundoi në orët e natës. Ndërkaq, hetuesit kanë saktësuar se i pranishëm në banesën në Bruksel ishte edhe Denisi. Nga këqyrja e orareve tregohet se pas mbërritjes së tij atje, ai u largua. I kontaktuar nga “Lavenir”, Thomas Deshamps, avokati i të akuzuarit, nuk pranoi të komentojë. Së fundi, familja e të ndjerit tashmë ka riatdhesuar pjesët e organeve të zbuluara dhe ceremonia e parë e varrimit u zhvillua në Shqipëri.

Trupi i të ndjerit u gjet në një valixhe sportive, pa kokë, këmbë e duar nga disa punëtorë. Hetuesit e identifikuan nga një tatuazh me një zambak dhe me inicialet e prindërve. Mediat belge shkruanin se prej kohësh Xhuliano kishte pasion politikën. Ai ishte student në vitin e parë për Juridik dhe Kriminologji dhe jetonte prej vitesh në Belgjikë. Kur ishte 18 vjeç u ndalua, pasi rrahu shokun e tij me shkop bejsbolli. Vitin e kaluar u akuzua për kanabis, por më pas u la i lirë.

Lajme të ngjashme

Back to top button