Lëvizja BESA publikoi planin financiar dhe shpalli të hapur anëtarësimin në të

Me 1 korrik do të fillojë procesi i anëtarësimit në Lëvizjen BESA bëri të ditur sot kjo parti. Bashkë me anëtarësimin formal, BESA e shpalli edhe planin financiar.

Ata thanë se të hyrat e veta do t’i sigurojë kryesisht nga dy burime: publike dhe private.  Për t’i shfrytëzuar burimet publike të financimit është e nevojshme pjesëmarrja në zgjedhje, dhe për atë shkak BESA do t’i shfrytëzojë burimet private të financimit, siç janë anëtarësia, donacionet, shitja e materieve promovuese, dhe të hyrat e tjera.

“Në bazë të Ligjit për financimin e partive politike, Lëvizja BESA mund të pranojë donacione në para, mjete, materie, dhe shërbime. Andaj ne sot me këtë konferencë u bëjmë thirrje të gjithë dashamirëve, afaristëve dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët e besojë, vlerësojnë, dhe e mbështesin veprimtarinë politike të Lëvizjes BESA në angazhimin e saj për zgjedhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, që atë ta mbështesin edhe financiarisht”, tha Abdush Demiri nga Lëvizja BESA.

Financimi i Lëvizjes do të jetë publik dhe transparent shprehen ata dhe secili anëtar i  dhe secili qytetar do të ketë të drejtë të barabartë në qasjen e inspektimit të financimit të Lëvizjes BESA. Llogaria vjetore për veprimtarët do të dorëzohet te Drejtoria e të Hyrave Publike, Regjistri Qendror, dhe Enti Shtetëror për Revizion, dhe po ashtu do të publikohet edhe në ueb-faqen e Lëvizjes BESA.

“Për dallim nga të tjerët, të cilët në mënyra të ndryshme i grabitën paratë e popullit për nevojat partiake dhe të klaneve të tyre, Lëvizja BESA në mënyrën transparente dhe publike kërkon përkrahje nga afaristët dhe qytetarët shqiptar të Maqedonisë dhe premton se donimi dhe shpenzimi i secilit denar në Lëvizje do të jetë transparent dhe publik, diçka që nuk ka ndodhur në këto 25 vitet demokraci me asnjë parti politike në Maqedoni”, tha Abdush Demiri nga Lëvizja BESA.

Lajme të ngjashme

Back to top button