Shkelje me tenderë edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit

Edhe institucioni që thirret për Kundër Korrupsion në Kosovë, ka bërë shkelje në zbatimin e proceduarave të prokurimit.

Për kontraktimin e shërbimeve për “Mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve”, Zyrtari i prokurimit ka përdorur procedurën më kuotim të çmimeve, edhe pse kontrata e tillë ishte e lidhur sipas çmimeve për njësi kontratë kornizë.

Kështu thuhet të paktën nga Auditori i Përgjithshëm për Agjencinë Kundër Korrupsion.

Sipas auditorit, zbatimi jo adekuat i procedurës së prokurimit, sipas Ligjit të Prokurimit Publik, Autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurën e hapur, të kufizuar apo të negociuar për të dhënë një kontratë publike kornizë. Kontrata publike kornizë nuk do të mund të jepet duke përdorur çfarëdo procedure tjetër.

“Për kontraktimin e shërbimeve për “Mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve‟‟, Zyrtari i prokurimit ka përdorur procedurën më kuotim të çmimeve, edhe pse kontrata e tillë ishte e lidhur sipas çmimeve për njësi (kontratë kornizë)”, thuhet në raportin e ZAP-it, raporton KosovaPress.

Lidhur më këtë çështje, auditori ka dhënë rekomandim në raportin e vitit paraprak. Mirëpo, edhe përkundër zotimit të menaxhmentit për shmangien e praktikës së tillë të prokurimit, ajo është përdorur edhe gjatë vitit 2014.

Sipas auditorit, përdorimi i procedurave joadekuate të prokuri mit e bënë procesin jo transparentë dhe jo konkurrues, si dhe rrezikon kontraktimin e shërbimeve me çmime më të larta nga ato të tregut.

E gjetur tjetër për këtë Agjenci e cila ‘lufton’ korrupsionin, është edhe pranimi i mallrave para zotimit të mjeteve si dhe anashkalimi i kërkesave të përcaktuara më rregulla të thesarit gjatë procedimit të pagesave. “Sipas rregullave të Thesarit, fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procedohet urdhër-blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa në fjalë. Në dy pagesa në vlerë 1,718€ (pagesa për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve dhe mirëmbajtjen e ndërtesave), zotimi mjeteve është bërë pas pranimit të faturës”, tha ZAP.

Në pesë pagesa tjera në vlerë 11,638€ urdhër-blerja ishte bërë pas pranimit të mallrave dhe faturës. Zyrtari certifikues nuk ka arritur të parandaloj pagesat e lart cekura të cilat nuk ishin në përputhje me rregullat e thesarit. Sipas auditorit hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme do të rezultojë në vonesa të implementimit të kontratës dhe rritjen e obligimeve të papaguara, të cilat do të jenë barrë për buxhetin e vitit vijues. Ndërsa, kryerja e pagesave për mallra dhe shërbime para se të përcaktohen kërkesat/nevojat, mund të rezultojë që të pranohen mallra të cilësisë dhe sasisë jo të nevojshme.

Ndër të gjeturat sipas ZAP për AKK-në, është edhe keq klasifikimi shpenzimeve sipas kategorive ekonomike. Gjatë procesit të planifikimit, AKK ka buxhetuar gabimisht një pjesë të shpenzimeve për investime kapitale në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve. Më tutje ata nuk kanë marrë masa për transferimin e tyre në kategorinë përkatëse, mirëpo kanë proceduar dhe evidentuar blerjen në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve. Kjo është vërejtur te kontrata „‟Blerja dhe vendosja e reklamave të AKK-së‟ në vlerë 3,120€ (billbord në vlerë 1,740€ dhe reklama 1,200€). Sipas ZAP planifikimi dhe realizimi i shpenzimeve në kategori jo adekuate shkakton mangësi në raportimin e shpenzimeve të ndodhura. Kjo ndikon në mbivlerësimin e shpenzimeve në një kategori, kundrejt nënvlerësimit në kategorinë tjetër.

Po ashtu mos raportimi i plote obligimeve të papaguar, është e gjetur tjetër te kjo Agjenci. “Sipas rregullës financiare nr.02/2013/MF për raportimin e obligimeve të papaguara të organizatave buxhetore, OB janë të obliguara që në MF-Thesare ti raportojnë të gjitha obligimet e papaguara. AKK nuk kishte raportuar të gjitha obligimet e papaguara, mirëpo kishte raportuar vetëm obligimet e vonuara për pagesë (faturat të cilat kanë kaluar afatin prej 30 ditësh nga data e pranimit). Megjithatë në PVF ishin prezantuar të gjitha obligimet e papaguara. Raporti jo i plotë i obligimeve mujore ishte si rrjedhojë e paqartësisë së mënyrës së raportimit nga ana e zyrtareve financiar”, thuhet në raport.

Mos raportimi i rregullt i obligimeve të papaguara rrit rrezikun që faturat të mos identifikohen dhe të mos paguhen me kohë. Njëkohësisht, ndaj Institucionit mund të paraqiten ndëshkimet për vonesat në pagesë.

Lajme të ngjashme

Back to top button