Largohen 70 mijë votues nga listat e zgjedhjeve

Valdete Daka në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion tha se nga listat e votuesve janë larguar 70 mijë persona.
Daka e dha këtë informatë kur prezantoi raportin vjetor të punës së KQZ-së për vitin e kaluar, ndërsa deputetët-anëtarë të Komisionit për Legjislacion u ankuan për lista të papastruara.

“E kam një shqetësim për pastrimin e pjesshëm të listave që ka ndodhur dhe nëse mundeni me na njoftuar se a keni informatë konkrete se deri ku ka mbërri ky proces për shkak se informatat që ne i kemi për këtë proces flasin që një pastrim i pjesshëm është bërë nga MPB-ja,” tha Donika Kadaj-Bujupi, transmeton kallxo.com.

Edhe Armend Zemaj përmendi këto lista.

“Shqetësim i yni po mbetet puna e përbashkët e juaj që e bëni me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sa mundeni ju si KQZ që lista përfundimtare të jetë më objektive që t’i nënshtrohet procesit zgjedhor,” tha Armend Zemaj, deputet i LDK-së.

Sa i përket pastrimit të listave, Daka tha se së bashku me MPB-në e kanë formuar një grup punues që ka punuar rreth 9 muaj dhe i ka eliminuar rreth 70 mijë votues qoftë që e kanë humbur shtetësinë, qoftë që kanë vdekur.
Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit nga VV-ja, tha se ka shqetësime të cilat nuk janë përmendur në raport.

“Është përfshirja e rreth 10 mijë personave pa qenë fare shtetas të Republikës së Kosovës në listën e votuesve. Problem tjetër është votimi jashtë vendit. Gjithë ky operacion i cili është quajtur votim jashtë vendit ka pasur për qëllim votimin ose mundësimin e qytetarëve që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë,” tha Haxhiu.

Agim Aliu, deputet i PDK-së, theksoi se vërejtjet lidhur me votimet me postë dhe ato jashtë vendit janë shqetësime të të gjithëve. Mirëpo, sipas tij kjo nuk është krejt në kompetencën e KQZ-së.

“Vërejtjet që u thanë lidhur me votimet me postë, votimet jashtë vendit, janë vërejtje që i kemi parasysh, janë shqetësime të të gjithëve, por e kemi parasysh edhe arsyen se pse po ndodhë. Nuk janë krejt në kompetencën e KQZ-së, por është një moment që ne duhet të diskutojmë edhe çështjen e ngecur të Ligjit për Zgjedhjet dhe për reformat zgjedhore,” tha ai.

Për 10 mijë votuesit pa dokumente kosovare dha sqarim kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

“Te çështja e këtyre 10 mijë votuesve që përmendet vazhdimisht është se ne si KQZ sipas Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme, ditën e dytë të shpalljes së zgjedhjeve nga Presidenti i Shtetit e marrim ekstraktin ashtu siç na vjen nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ne nuk e kemi atë komoditet as ligjor as çfarëdo tjetër që ne ta largojmë dikë nga lista apo ta shtojmë në lista pa vendim të gjykatës”, u shpreh Daka.

Armend Zemaj, deputet i LDK-së kërkoi që herën tjetër raporti vjetor i punës të vijë edhe me rekomandime.

“Këtu ju kisha lut që herën tjetër përpos kësaj që e keni dhënë si përfundim t’i kemi edhe ne rekomandimet që kur të dalim para Kuvendit ta dimë një adresë të saktë se kujt t’i drejtohemi. Ta dimë ekzakt çka po bën Ministria e Punëve të Brendshme dhe ju që lista përfundimtare, përpunimi i listës të jetë në harmoni me atë që po kërkohet,” tha Zemaj.

Në fund Raporti Vjetor i Punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Vitin 2014 nuk u miratua për mungesë kuorumi.

Lajme të ngjashme

Back to top button