Ana me diell e rrugës

U gëzova kur pash që më paske shkruar.

Më ka munguar korrespodenca se më është bërë rutinë të hap faqen dhe të jesh aty.

Ty t’a kam borxh rikthimin e zellit të shkrimit se e kisha lënë pasdore…gjithmonë me atë nijet isha, mungonte vetëm momenti, një “klik”.

Erdhe sikur rastësisht ama asgjë e rastësishme nuk është …e kuptojmë këtë kur e përgjojmë zërin nga brenda dhe ndjekim shenjat ndanë rrugës.

…mendoja një ditë se nëse do kem mundësi materiale, vetëm nëse ky kusht plotësohet, do doja të vij në mbrojtjen e doktoraturës tënde. 

Do kënaqesha duke të dëgjuar se si flet me kompetencë, anise nuk do kuptoja gjë në atë gjuhë të huaj

Përshkrimet tua të qytezës buzë detit në jug të Francës dhe fqinjëve “autentikë” m’a përkujtojnë një roman të lexuar në gjimnaz, e kam të njohur atë atmosferë Provanse, ishte një titull nga F.Sagan por s’ishte “Bonjour Tristesse”…zaten ajo që mbetet nga leximi është pikërisht atmosfera, një ndjesi e mjegulltë si e pakapshme…por është aty dhe “e zgjojmë kur të duam”…

…shoqja ime gazetare, punonim bashkë në RTM, një kohë u morr me planin t’më bëjë shkrimtare; si fetare që është e lidhte këtë me tregimin për të bijën e Muhamedit a.s e cila duke ditur shkrim-lexim na i ka sjellur përjetimet dhe amanetet e babait të vet dhe për këtë meritë dokumentimi rangoheshka lartë ne islam:  ai që nxit dikë të shkruajë, gjithmonë sipas saj, hap një kapixhik parajse…Nuk e di sa ka legjendë në rrëfimin, por më kujtohet kur më thoshte “kur del në kafe të mëngjesit merre laptopin në Irish dhe një orë-dy shkruaj”. Kështu duheshte të krijoj ritmin dhe kondicioni do vinte vetë. 

Duket bukur kur ke miq që mendojnë për ty më tepër se sa ti për veten. 
Është kapital. 

Të shtyen para edhe kur s’te ecet.

Të jep ndjenjën e mire se dikush t’a mban gajlen dhe është në anën tënde. 

Kështu më lehtë kalon në “Anën me diell të rrugës” si në këngën e Azrës.

…filmin që paske përmendur “Fatal attraction” e kisha temë për një provim gazetarie gjatë studimeve. Disa herë e kisha shikuar, kurse nga skenat e dashurise më shumë më pëlqente ajo në kuzhinë. Më kujtohet që tekstin e mbarova me “në fund burri e përqafon gruan, mandej edhe vajzën, qejf të kesh t’i shohësh…dhe mbaron fimi, ashtu si përrallat që mbaronin njëlloj të gjitha…”. 

…të kam thënë me një rast, kur kishim dashurinë si përsiatje, se i kam zët truket femërore “bëhu sikur s’e do që të të dojë”, “meshkujve u pëlqen kur duhet të luftojnë, pushtojnë” “tregohu e papushtueshme”…ose librat që mund të shërbejnë vetëm për humor duke saktësuar sa hapa: 4,6,10 duhet ecur lehtas, femërorçe deri tek lumturia…..por diçka ndërkohë mësova: tek ne sinqeriteti, edhe në këto raporte, veçmas në fillet e ndërtimit të tyre, shpesh del hendikep dhe disi rezonohet se ka diçka që fshihet pas të thënit të gjërave troç, se kur je e drejtpërdrejtë në fakt vetëm bëhesh se je, e përdor ate si truk, je me prapavijë…marrëzira sigurisht… derisa dashuria më së paku ka nevojë për të qenë i maskuar, për të bërë hesape se natyra e dashurisë, mendoj, është pikërisht liria… liria të jesh vetvetja, liria të thuash atë që mendon dhe të tregosh, më shumë me gjeste e më pak me refrene, atë që ndjen…pa barazime se çka fiton e çka humb. Dashuria s’njeh ego, kalkulime “kush i pari”, mjafton që afrimin ta bëjmë me usull, edhepse ndonjëherë, të shtyrë nga insipirimi,  e humbim sensin për kohë dhe rrethana.

…malli si për inat nuk kalon kur përpiqemi, nuk njeh rezon, i ka hujet e veta…

Dhe ç’bëjmë atëherë?

Demek jemi të rritur dhe e racionalizojmë.

Malli mund të jetë edhe motivim.

Inspirim për të krijuar, për të skalitur diçka që ndoshta do jetojë më gjatë se emocioni që e ka lindur atë.

Demek jemi seriozë, s’na le mendja aq lehtë.

Dhe vetëm kohë pas kohe, si në një ditë me shi si kjo, të vjen një nga ato momente dobësie.

Momente janë e s’prishin punë, nuk na nxjerrin nga binaret.

Momente janë edhe ato të ngazëllimit që vlejnë sa periudha të tëra shterpe.

…një moment ngazëllimi ishte një mesditë shtatori kur hyra ne librarinë në qendër dhe i them mikut botues që ky është Momenti për mua. 

Me shikon me buzëgaz dhe e pret çka do t’i them.

I them që për çudi m’u mbush mendja të konkurroj për libër.

Pranon pa u menduar.

Për nevojat e procedurës nevojiteshin dy rekomandime.

Një shok poet më shkroi një si recension që kur e lexova m’u duk si i shkruar për tjetërkend.

E lexova një herë, dy herë dhe e lash…ishte diçka që mund të të krekosë përkohësisht, kurse krekosja e bën njeriun qesharak…

Shoku tjeter shkrimtar, hajgarexhi i rendit të parë,  m’a ktheu se s’ka kohë, dhe shtoi që ta shkruaj vetë rekomandimin (!!) dhe ai do t’a nënshkruajë.

S’kishte kohe per seriozitet, e shkrova vetë:

“Përmbledhja me tregime e kësaj autoreje është e bukur sa vetë ajo.

S’mund të shkruaj recension më të mirë se sa shkrimet që ju anëtarët e jurisë mund t’ia lexoni aty-këtu.

E mbështes botimin e librit”.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.   

Lajme të ngjashme

Back to top button