I duhej kohë

Jetonte vetëm, pa iu adaptuar akoma gjendjes së re. S’kishte kush ti ndihmojë, as të zhurmojë të paktën, as tollovi e as gjallëri të fusë brenda mureve. Me qëllim që të  krijojë njëfarë rendi edhe në hapësirën e jetës edhe në mendimet e tij të shkapërderdhura, i bënte me nge punët e shtëpisë që më parë ishin resor i së shoqes. Pak kohë kishte kaluar nga vdekja e më së dashurës, kurse fakti që nuk patën fëmijë disi ende më shumë i kishte afruar, pasi në ato raste partnerët ose distancohen duke shikuar secili në drejtim të vet, ose afrohen më shumë dhe nisin të funkcionojnë si dysh që, konform rrethanave, mjaftohen me njëri-tjetrin.

Dashuria kishte kohë që ishte transformuar në lojalitet dhe afërsi miqësore.

…e shtronte tavolinën për vete dhe atëherë vetmia bëhej akoma më e rëndë. Nëse zhurma e lojërave fëmijërore hynte brenda nëpër dritaren e hapur atëherë një pjesë e shpirtngushtësisë së tij sikur thehej në copa dhe flakej përjashtë kurse pjesa tjetër mbetej të qarkullonte nëpër dhomë duke ngjyruar ajrin përreth dhe brendinë e të vetmuarit. Pas darkës nisej për në xhami ku domosdo takonte ndonjë shok, komshi, dikend nga familja. Shkembente fjalë, buzëqeshje si me zor, ose uleshin bashkë për kafe në çajtoren afër xhamisë së mahallës dhe mandej paksa i freskuar merrte rrugën për në shtëpi.

Ai e dinte dallimin ndërmjet asaj të jesh vetëm dhe të jesh i vetmuar. Por, i duhej kohë, edhe pak kohë, që ta kapërcejë vijën ndarëse mes këtyre dy gjendjeve dhe të fillojë të ndjehet ngrohtë dhe sigurtë, anise vetëm.

Edhe derisa bashkëshortja ishte gjallë, kishte periudha kur shtëpia i dukej si tepër e madhe. Udhëtimet e saj të punës zgjasnin nga një javë-dy. Familja i kishte mbetur përtej kufirit dhe kjo nënkuptonte vikende apo pjesë pushimi të kalojë në mesin e njerëzve të vet të dashur.

Edhe atëherë ai ngelte vetëm.

Edhe atëherë hapat e tij nëpër dhoma krijonin një si jehonë, si përkujtim që ajo ende nuk është kthyer…

As atëherë nuk i pëlqente të ulet për drekë a darkë, vetëm fuste kafshatat me shpejtësi, në këmbë, pa lezet…

Por kjo ishte vetëm periudhë e kufizuar gjatë së cilës i numëronte ditët deri në kthimin e saj.

Kur bashkëshortja, kryesisht e qetë dhe e heshtur, kthehej nga udhëtimet zyrtare apo ndejat te familjarët e vet, kishte muhabete të shtresuara, impresione që prisnin të ndahen me dikend, fliste më gjatë se rëndom, tregonte për ndryshimet në vendlindje, vërente edhe risitë më të vogla në qytetin ku ishte rritur dhe kishte lënë më të afërmit.

Pas periudhave kur mungonte në shtëpi, ajo kishte zakon të flasë më shumë se rëndom, por jo në një frymë: rrëfente dalëngadalë, ashtu si i përvijoheshin para syve ngjarjet apo fytyrat që i kishin lënë mbresa…me ditë të tëra, pak nga pak, i bënte muhabetet e reja dhe njëherit, për vete, ndërtonte njëfarë rendi për Përshtypjet nga Udhëtimi…

Prandaj ai u gëzohej kthimeve të saj nga udhëtimet kur mbaronin të vetmet ditë që nuk ishin bashkë.

…jetonte vetë tash sa kohë, ende i paadaptuar gjendjes.

Dhe ende nuk e kishte bërë hapin e domosdoshëm që të fillojë të jetojë në harmoni me vetminë dhe veten e vet…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button