PORTRET TITANI

Titani të cilin dua ta kujtoj sot është Adem Kastrati – Artisti i sojit të atyre që kanë vetëm datëlindje, që janë e përhershmja e qytetërimeve, që janë etnia dhe atdheu vetë.

Adem Kastrati ka lënë emrin në memorjen e etnisë, ndaj kujtimi për të, në 85 vjetorin e lindjes, nuk ka nevojë shoqërimi me sqarime parahyrëse.

Të mëdhenjtë investojnë marramendshëm në kultivimin e artistëve si Ademi ynë. Ata që janë si ne: të vegjël, të varfër, anemikë, të shtypur thundrrash turlifare – nga tjetri dhe nga vetvetja, nuk e kanë këtë privilegj, nuk e kanë këtë mundësi.

Ademët tanë i bën viganë dora e Zotit e mbështetur më gjatë mbi supet e tyre, shpirti i sakrificës prometeane, vullneti për të mbjellur dritë në erësirat e njëmijë arsyeve.

Ademët tanë i bën fati dhe i ruan vepra e pavdekshme që shpërfaq dritëhijet e zamaneve plot plagë e shpresë.

Pikërisht këtë bëjnë pikturat e papërsëritshme të Adem Kastratit: portretet a Atdheut të bëra me bojërat e trollit të tij – peizazhet e vendlindjes, kodrinat bleroshe, tufat e dhenve, barinjtë e vegjël, njerëzit që punojnë tokën, idilat baritore, djepet e përkundur nga dora e nënëmadhes – vitorja e jetës që vazhdon tutje, nuset dhe vashat që korrin bukën në arat me nur diellor, krushqit, dasmat, sofrat, oxhaqet…, që të shpiejnë udhëve të magjishme në fëmijërinë e hershme të piktorit, në folklorin e pasur shqiptar, në  pafundësinë e botërave.

Pikturat e Maestros, pa një të vetëm si vetvetja, përfaqësojnë ecejaket ndër mote të acarta. Dallohen portretet e malësores, kësaj qenie të drejtpërdrejtë – Nënës që i jepte kuptim jetës e që për piktorin ishte e njëjtë në të gjitha aktet e saj: në punë, në treg, në ndejë, në lojë, në aheng e gazmend, pranë djepit të shpresave, në çaste egzaltimi, në momente etjesh për pak ledhatim e përkujdesje…

Malësoret e Ademit janë me tipare karakteristike – me sy të mëdhenj, plot rrëfim e ëndrra brenda bebëzash, që për Artistin ishin pasqyra të vullkaneve të shpirtit, dritare që shpalojnë botën e brendshme të engjëjve të sacrificës, qenieve të vyeshme, të kujdesshme, të pathyeshme, humane…, që vënë në lëvizje jetën, që e zbukurojne dhe i jep kuptim asaj.

Burrat, ndërkaq, duken më të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur luajnë në dasma… Ata e kanë të rëndë edhe bukurinë fizike.

Asgjë nga fëmijëria e kaluar në fshatin e lindjes nuk u shlye nga kujtesa e Piktorit. Imazhet e saj ai i barti përgjithmonë me vete, i mikloi si fëmijën, ua veshi rrobat më të çuditshme dhe ua dha jetën, frymën dhe shpirtin e tij. Ai i kurseu ato nga teprimet e mundshme dhe gjestikulacionet patetike, duke u munduar të shpalojë nga brenda fuqinë psikike, shpirtërore dhe fizike të heronjve.

Ademi ringjalli me mall dasmat fshatare, vallet e rënda të malësorëve, karvanet me krushqë të prirë nga bajraktarët me shervete të kuqe, pas të cilëve rradhiten këmbësorët e mefterët (daullexhinjtë dhe zurlaxhinjtë), kalorësit dhe seksanet (kuajt e ngarkuar me pajën e nuses) dhe, gjithsesi, nusja në kalë të bardhë, e mbuluar me duvakun e kuq ngjyrëgjaku.

Tablotë e Tij janë shpesh të mbushura me fëmijë, me universin e tyre të virgjër. Ata japin krye gjithandej pikturave, duke zgjatur kokat kurrioze nga prehërit e ngrohtë të nënave dhe gjysheve. Ata janë të dashurit e Ademit, ndaj i lëvaren për qafe edhe tek autoportreti.

Adem Kastrati e deshi jetën dhe e besonte njeriun. Ai ishte i bindur se pamjet rrënqethëse të fëmijërisë së hershme që lidheshin me golgotën e karvaneve të pafund të bashkëvendasve të shkulur me dhunë e me kubi nga vatra e të parëve, ishte vetëm një kujtim i hidhur që s’mund të përsëritej kurrë. Mjerisht, në vitet e fundit të jetës ai qe dëshmitar i tragjedisë së Bllacës, të cilën e përjetoi golgotë përmasash të veçanta që ia ndryshoi konceptet mbi gjërat dhe natyrisht kushtëzoi këndvështrimee e reja të piktorit mbi fenomenet e kësaj bote. Ky ekzod biblik  përmasash të papara, kjo tragjedi njerëzore që të step e të lë pa tekst, për piktorin fliste më shumë se historitë e botës bashkë, ndaj iu imponua si motiv i frymës së fundit të jetës…

Adem Kastrati mbetet piktori i universit shqiptar ku vijnë e gjejnë veten edhe universe të tjera, duke qenë se natyra njerëzore është një, kurse udhët e civilizimit relativisht të ngjashme.

Ademi është lejenjoftimi i një kohe – Titani që më bën të ndihem mirë brenda lëkurës sime.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button