Maqedoninë e presin kriza të përditshme

Asaj që më së shumti i frigohesha sipas të gjitha gjasave do të realizohet. Zgjidhja e krizës së demokracisë në Maqedoni po hyn në vorbullën e proceseve klasike evropjane të zgjidhjeve të konflikteve me kompromise. E kam shkruar edhe më përpara që këto zgjidhje rrallëherë janë të frytshme dhe aq më pak sjellin zgjidhje të qëndrueshme të problemeve në vende si Maqedonia. Zgjidhjet me kompromis mund të jenë të suksesshme për birokracinë europjane, por në vendet lindore duhet një qasje ndryshe, një qasje më amerikane, më e drejtpërdrejtë dhe më e kushtëzuar dhe më e fuqishme. Evropjanët nuk na e njohin – ende, e habitshme – psikologjinë tonë politike që është e mbrapshtë, tekanjoze dhe injorante. Politikanët lindorë nuk besojnë në kompromis, sepse qëllimet e tyre të vërteta janë të fshehta.

Deri tani janë zbuluar, të paktën nëpër media, disa detaje të këtij kompromisi që synohet të arrihet. E para, do të mbetet Gruevski në qeveri të paktën deri në nëntor. Pas tetorit? Me Zotin përpara! Sepse nuk është caktuar si do të tranzitojë qeveria nga Gruevski në post-Gruevski. Historia e mbrapshtë e politikës ballkanike e të bën të dyshosh në tranzicion; sikur e kam një besim që Gruevski do të gjejë mekanizmat për të mbetur kryeministër edhe përtej nëntorit. E dyta, krijimi i një qeverie paralele me ministra mbikqyrës më duket një absurd i hatashëm, i destinuar që në fillim për të dështuar. Nuk mundem të imagjinoj që një qeveri e tillë binome mund të funksionojë në realitet. Një ministër i policisë nga pozita, një ministër mbikqyrës i policisë nga opozita, sa për shembull. Të gjitha vendimet do duhet të merren me nënshkrim të të dy ministrave. Përshembull, vendimi për procesin e pastrimit të listave zgjedhore do të duhet të merret me vendim të përbashkët të të dy ministrave, respektivisht të të dy partive më të mëdha në vend, VMRO dhe SDSM. Duke patur parasysh që kryeministri aktual do të bëjë cmos që të manipulojë edhe zgjedhjet e ardhshme në favor të vetin, nuk e kam të qartë që lista zgjedhore do të mund të pastrohet në mënyrë të kënaqshme në afatin gjashtëmujor duke patur parasysh kompromiset e nevojshme që duhet të arrihen mes dy partive që kanë vështrime diametralisht të kundërta lidhur me këto lista zgjedhore. Aq më pak, që ekziston një ndjenjë mospërfilljeje dhe mosrespektimi mes këtyre dy botërave.

Problemet e Maqedonisë do të fillojnë me realizimin e kësaj marrëveshjeje. Druhem se mediacioni ndërkombëtar do të jetë i nevojshëm në secilin hap të këtij procesi të quajtur qeveri kalimtare mbikqyrëse. Më lehtë do ta kishim patur sikur që të instalohej në Maqedoni një formacion i ngjashëm me UNMIK-un e Kosovës, në formatin më të ngushtë BE, sesa të lejohen politikanët tanë të zgjidhin problemet e shumta të këtij vendi në një afat aq të shkurtër. Është një spektakël në dukje që do të na bëjë të vuajmë për së tepërmi në periudhën në vijim. Rreziku real për Maqedoninë është që të ngulfatet në proceset tranzicionale që i ofron kjo marrëveshje.A mundet dikush të mendojë përtej zgjedhjeve të fund-prillit në një konstelacion të këtillë politik në horizont?

Ta mendojmë edhe një moment tjetër. Cili ministër do të jetë përgjegjës për hartimin e buxhetit të vitit 2016? Ministri apo mbikqyrës ministri? Propozim ligji për buxhet do të duhet t’i jepet Parlamentit me kompromis të të dy faktorëve, me nënshkrim të të dy ministrave. Në realitetin tonë kjo është gati e pamundur. E pamundur në një konstelacion të tillë politik të zgjeruar qeveritar që njëra palë me ambicje djathtiste financiare të bëjë kompromis me palën tjetër majtiste. Programet e të dy partive janë të kundërta përsa i përket politikave fiskale që duhet të ndjekë vendi. Nëse VMRO është për një politike ekspanzionale fiskale, SDSM ka dëshmuar historikisht që është më e matur në vjeljet dhe realizimet buxhetore. Më thjeshtë, nëse VMRO proklamon rritje të rrogave të administratës dhe penzioneve, SDSM është kundër një politike të këtillë, duke parashtruar nevojën për një austeritet financiar të theksuar – me të drejtë – në një kohë kur borxhi publik është në përmasa mbi 50% të GDP-së. Të gjitha këto, dhe të tjera si këto do të jenë fitila të konflikteve të ardhshmë të kësaj qeverie të propozuar. Janë probleme që shfaqen në horizont që do të pengojnë funksionimin real të këtij vendi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button