U prezantua “Buba”: Erdha për histori të re (Video)

Pas arritjes së akordit ditën e mërkurë, KF Shkëndija sot edhe zyrtarisht ka firmosur kontratë trevjeçare me Ferhan Hasanin, pas çka është bërë prezantimin zyrtar i futbollistit me fanellën ‘kuqezi’. Transferimi i tij është përshkuar si lëvizje senzacionale nga ana e ekipit ‘kuqezi’, ndërsa ashtu si opinioni edhe vetë Hasani është shprehur shumë i kënaqur për faktin që rikthehet në skuadrën ku u rit dhe afirmua si futbollist, para se të ndërtonte karrierë ndërkombëtare me Volfsburgun në Gjermani dhe Brondbin në Danimarkë. I larguar drejt Bundesligës në vitin 2012 si një talent i madh që ndihmoi Shkëndijën të fitojë kampionatin dhe Super Kupën e Maqedonisë, ‘Buba’ rikthehet me eksperiencë të madhe të fituar në Gjermani dhe Danimarkë dhe me një status prej reprezentuesi standard të përfaqësueses A të Maqedonisë.

“Emocionet janë të mëdha. Ashtu si nuk u besohet tifozëve, nuk më besohet edhe mua. Por unë jam kthyer këtu për të bërë atë që kemi bërë në vitin 2011, jam rikthyer këtu për të fituar trofe dhe për të ngritur Shkëndijën aty ku e ka vendin. Deri te kjo marrëveshje ka ardhur me insistimin e KF Shkëndija. Kemi ardhur deri te kjo marrëveshje për të firmosur kontratë tre vjeçare. Dua të falënderoj kryesinë e KF Shkëndija për besimin e dhënë dhe sponsorit ‘Ecolog’ për këtë insistim. Gjithashtu dua të falënderoj edhe ‘Ballistët’ të cilët gjithmonë më kanë përkrahur dhe janë shumë të emocionuar me ardhjen time këtu. Unë premtoj se do të jap maksimumin tim këtu në Shkëndijë, dihet se ky është klubi im i zemrës, këtu kam bërë hapat e parë dhe jam i lumtur që përsëri kthehem këtu, por tash si një profesionist i vërtetë dhe me më shumë eksperiencë ndërkombëtare. Si që thash edhe më parë unë kam ardhur për të fituar trofe, për asgjë tjetër. Besoj se të gjithë së bashku do t’ia dalim të realizojmë ambiciet dhe të çojmë klubin atje ku e ka vendin”, deklaroi Ferhan Hasani në prezantimin e tij si futbollist i Shkëndijës.

25 vjeçari është rikthyer të flasë për emocionet që ndjen me faktin që sërish vesh fanellën kuqezi. Reprezentuesi i Maqedonisë paraprakisht çdo pauzë në klubet ku luante e shfrytëzonte për të vizituar klubin e tij amë Shkëndijën, ndërsa tani ai bëhet pjesë e familjes ‘kuqezi’ me kontratë permanente.“Nuk gjej fjalë të përshkruaj emocionet. Vërtet është një ndjenjë e veçantë të kthehem këtu përsëri në Shkëndijë. E di shumë mirë se si është këtu atmosfera dhe si kam kaluar vitet e kaluara në këtë skuadër. Për mua Shkëndija nuk është vetëm një klub, Shkëndija është më shumë se një klub. Të gjithë e dinë vlerën e këtij klubi dhe prandaj emocionet nuk mund t’i përshkruaj”, përfundoi Hasani që ka firmosur me kuqezinjtë deri verën e vitit 2018. Në ndërkohë, Ferhan Hasani bëhet përforcimi i katërt i Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht klubit i’u bashkëngjitën Besart Ibraimi, Shqiprim Taipi dhe Ardian Cuculi, ndërsa ndërkohë në skuadër u rikthye edhe trajneri Shpëtim Duro.

Lajme të ngjashme

Back to top button