Stema shqiptare në Stematografinë e Kristifor Zhefaroviqit të vitit 1741 (FOTO)

Lexo pjesën paraprake: Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Berlinit (FOTO) 

Kristifor Zhefaroviqi ka qenë piktor, vizatues ikonash, bakërskalitës, botues, murg, heraldik i parë maqedonas dhe njëri prej rilindësve më të hershëm maqedonas.

Kah mesi i shekullit XVIII ka qenë piktori më i kërkuar në territorin midis Peshtës e Selanikut.[1] Për këtë piktor të talentuar është shkruar shumë si në histori, ashtu edhe në historinë e artit. Historiografia e paraluftës e konsideronte si bullgar[2] ose serb.[3] Velko Petroviqi në vitin 1920 shkroi një tekst për Zhefaroviqin në “Narodna enciklopedija” të Stanoje Stanojeviqit në të cilën për herë të parë ka shkruar se Zhefaroviqi është maqedon.[4] Ka mendime se ka qenë vllah prej Dojranit.[5] Si vendlindje e tij merrej Ohri,[6] por gjithnjë e më shumë mbisundon mendimi se ka qenë prej Dojranit.[7] Merita e Kristifor Zhefaroviqit qëndron edhe në faktin se plot 20 vite ka ndikuar me sukses në artin sllav në Vojvodinë. Për shkak të tregtisë kah mesi i vitit 1753 u nis për Rusi, ku arriti më 5 gusht dhe u vendos në manastirin e Bogojavlenjes. Më 18 shtator vdiq në Moskë.[8] Punimet më të rëndësishme në bakërskalitje janë katër libra. Edhe pse asnjëri prej këtyre librave nuk ka qenë origjinal, po të përkthyer, ata kanë luajtur një rol të madh në rilindjen e sllavëve të Jugut. Prej të gjithë këtyre librave, vetëm Stematografia ka kualitete artistike e grafike.

Prej vitit 1740, Zhefaroviqi u orientua ekskluzivisht në teknikë bakërskalitëse. Mjeshtërit vojvodinas deri atëherë e njihnin vetëm teknikën e drugdhendjes. Teknika e re kishte përparësi të madhe për shkak se punimi ishte më i shpejtë e më i bukur. Kjo teknikë e re u bë mjet i përshtatshëm i propagandës politike e kulturave të kishës serbe, e Zhefaroviqi zbatues i saj. Kjo shkaktoi vdekjen e drugdhendjes. Ai nuk ishte vetëm bakërskalitës i parë që solli në synimet e reja figurative, por kompozicionet e tij janë përzierje e gjerë e traditës dhe e barokut.[9] Ka supozime se Zhefaroviqi e ka mësuar teknikën grafike qysh në Maqedoni, ku pat mundësi të shohë bakërskalitje greke të gjysmës së dytë të shekullit XVII dhe aso të gjysmës së dytë të shekullit XVIII që shtypeshin në Venedik.

Për ne ka rëndësi shumë të madhe se ai ka mbajtur lidhje shumë të ngushta me tregtarët e pasur maqedonas dhe me tregtarë vlleh nga Maqedonia dhe Shqipëria, prej kah merrte porosi të shpeshta. Me teknikën e re ka punuar shumë ikona për qytetarë të pasur, për kishat e manastiret nga Selaniku, Serezi, Voskopoja, Berati, Elbasani dhe Ohri.[10] Në disa ikona ai këtë e ka theksuar, si për shembull: “Kjo ikonë është prerë me kujdes në bakër dhe është shtypur me shpenzimet e Danail Haxhi Qurqisë dhe i është kushtuar manastirit Servia në Maqedoni në vitin 1741”.[11] Në të njëjtin vit, më 1741, sipas porosisë së ndonjë vllahu nga Voskopoja e ka punuar bakërskalitjen e madhe “Sh. Jovan Vladimiri” me panoramat e Voskopojës, Elbasanit e Beratit.[12] Gravurë më të madhe ka punuar në vitin 1743. Kjo është bakërskalitja “Sh. Kuzman e Damjani” që është pano monumentale që në atë kohë hasej rrallë te popujt e tjerë.[13] Po në vitin 1743 ka punuar edhe bakërskalitjen e madhe “Sh. Naumi i Ohrit”. Edhe me këtë rast Zhefaroviqi me motivet e tija ka qenë i lidhur me atdheun e tij – Maqedoninë. E inspiroi kulti i shenjtorit të Ohrit, prandaj bakërskalitja është plot me episode nga jeta e tij, si e dhe me vizatime të manastirit Sh. Naum në Liqenin e Ohrit. Pranë manastirit dhe liqenit në bakërskalitje janë paraqitur edhe malet e afërme dhe vendbanimet me Ohrin, Pogradecin, e madje edhe Voskopoja e largët.

Prej veprave të shumta të rilindësit më të hershëm e të heraldikut maqedonas Zhefaroviq, vepra më e rëndësishme, dhe njëkohësisht libri më i rëndësishëm në shekullin XVII për të gjitha sllavët e Jugut, ishte Stematografia e tij që ka luajtur rol revolucionar në zgjimin kombëtar të pothuaj të gjithë sllavëve të Jugut e në masë më të vogël edhe te sllavët e tjerë. Edhe pse ky libër nuk është origjinal, po vetëm përkthim e përpunim i vogël i botimit të Stematografisë së Vitezofiqit, me stemat e veta, mbi 200 vite bënte ndikime dhe bën ende në zgjimin kombëtar te sllavët e Jugut. Plot 200 vite paraqet doracak unik e themelor të shtypur heraldik midis sllavëve të jugut, pikërisht në gjuhën e vjetër kishtare sllave – redaktim rus, në të cilën gjuhë në atë kohë shkruanin shumica e letrarëve jugosllavë.[14] Stematografia nuk është me ngjyrë, por ngjyrat janë paraqitur me vija heraldike. Prej shtypit doli më 21 tetor të vitit 1741. Këtu janë stemat e Shqipërisë, Austrisë, Besarabisë, Çekisë, Rusisë, Kretës, Daklisë, Epirit, Dardanisë, Greqisë, Istries, Mizisë , Polonisë, Skitisë, Turqisë, Transilvanisë dhe të të gjitha krahinave që sipas mësimit të shekullit XVIII, hynin në përbërjen e Ilirikut ose të gjitha krahinat në të cilat dikur kanë jetuar sllavët. Stemtografia pa dyshim paraqiste përmendore të pansllavizmit dhe ndikim të drejtpërdrejtë të idesë ilire.

Rëndësia e shumëfishtë e Stematografisë së Zhefaroviqit njihet mirë qëmoti nga shkenca. Dukja e këtij libri është datë e rëndësishme në letërsinë jugosllave. Ajo ka ndihmuar për formimin shpirtëror dhe zgjimin kombëtar të qytetarëve, që në atë kohë ishin forca më përparimtare e sllavëve të Jugut. Përkundër Stematografisë së Vitezoviqit që ishte e shkruar në gjuhën latine dhe e cila u qe dedikuar njerëzve me shkollë, që e njihnin këtë gjuhë, Stematografia e Zhefaroviqit që është e shkruar në gjuhën popullore, ka qenë e lexueshme për të gjithë njerëzit që dinin shkrim-këndim si edhe për ata që këtë e njihnin pak a shumë, madje edhe për analfabetët për shkak se ka qenë me vizatime në formëe koleksioni me fotografi të stemave sllave, të sundimtarëve e të shenjtorëve, popujve jugosllavë që nuk gëzonin liri, ky libër u lente mbresë të madhe dhe i shtynte t’u ngjallej krenaria kombëtare. Në atë kohë kur në shkollat e rralla historia as që mësohej, ky libër jepte dofarë diturish për historinë e sllavëve të Jugut dhe ngjallte shpirtin, moralin, patriotizmin. Ai u zuri vendin librave të tjerë dhe u bë libri më i kërkuar midis të gjithë sllavëve të Jugut. Prej Stematografisë nxënësit mësonin germat, e të vjetrit nga ajo frymëzoheshin me vetëdije politike e patriotike. Fakti se doli botimi i dytë dhe i tretë tregon se ka qenë libër i kërkuar shumë[15]  Ky libër shkaktoi ndikim aq të madh, saqë autoritetet austriake u detyruan ta ndalojnë përdorimin e tij.[16] E vunë në “index librorum prohibitorum”, bile e ndaluan me kërcënim dënimi me vdekje.[17]

Stematografia ka edhe rëndësi të madhe heraldike për shkak se prej botimit të saj e deri më sot ajo ka qenë burim themelor për nevojat heraldike[18] dhe te të gjithë sllavët e Jugut shërbente për zbatimin e heraldikës në praktikë. Pas çlirimit të popujve jugosllavë, kur u parashtrua çështja e stemës shtetërore, të gjithë sllavët e Jugut pa përjashtim drejtuan sytë kah Stematografia e Zhefaroviqit dhe prej saj morën stemat e tyre.

Figura 15. Stema shqiptare në Stematografinë e Kristifor Zhefaroviqit të vitit 1741
Figura 15. Stema shqiptare në Stematografinë e Kristifor Zhefaroviqit të vitit 1741

Në Stematografinë e Zhefaroviqit stema shqiptare gjendet në faqen 14a të botimit të parë dhe faqen 29 të botimit të dytë (fig. 15).

Mburoja në stemë ka formë spanjolle. Fusha e mburojës është me dy ngjyra: dy të katërtat e sipërme janë me ngjyrë të kaltër, ndërsa e katërta e poshtme e gjelbër. Ngjyra e kaltër është shënuar me viza horizontale, e e gjelbra me vija të pjerrëta që shkojnë prej majtës kah e djathta. Emblemë në mburojë është kulla e bardhë me derë, dritare e frëngji. Mendohet se ky emblemë paraqt “qytet të bardhë”, kurse në mesjetë vetëm Berati në Shqipëri është quajtur “Beograd”. Mbi mburojë gjendet kurora e madhe, me se në heraldikë shënohen mbretëritë e vjetra. Kurora po ashtu është cilësi e stemave. Mbi stemë shkruan: Albania stemate nën të gjendet një strofë me vargje në gjuhën e vjetër kishtare – sllave, që në përkthim të lirë do të thotë: stema paraqet qytetin e bardhë të perandorisë së vjetër që në luftë është pasuruar, por kjo perandori ka jetuar pak vite dhe e bardha është bërë e zezë.

Në faqen 45 të Stematografisë Zhefaroviqi jep përshkrim tekstual të stemës shqiptare dhe thotë se stemë shqiptare është qyteti i bardhë në fushë të kaltër me truall të gjelbër. Kjo është stemë e perandorisë së dikurshme Albania ose Albanopol. Gjergj Kastrioti, i quajtur prej turqve Skënderbe, e ka përtërirë Perandorinë epirote në vitin 1440, por ai vdiq në vitin 1464. Atëherë turqit depërtuan në territoret e tij dhe tani shqiptarët janë të përlotur. Kështu Zhefaroviqi ka dhënë një pasqyrë të përgjithshme të historisë shqiptare vetëm aq sa ta shpjegojë stemën. Në pasqyrën e tij të shkurtër historike ka edhe gabime, sepse Skënderbeu nuk vdis në vitin 1464, por në vitin 1467 apo 1468. Por, megjithëkëtë, stematografia e tij ka luajtur rol të rëndësishëm në zgjimin nacional të popullit shqiptar, sepse përhapej edhe nëpër Shqipëri, e sidomos e përhapnin tregtarët vlleh dhe të tjerë që bënin tregti me limanet shqiptare.
(VAZHDON)


[1] Dinko Davidov, Hristifor Zefarovic – Prvi sprski bakrorezac XVIII vek. Galerija Matice Srpske MCMLXI, 55.

[2] Петровски, Къ биографии Христофора Жефаровича. Известйя отделенйя рускотто язика и словености  Императорской Академии наук. СПВ 1910, XV, lib. III, 300. Захариевъ, За графическите искуство. Държавна художествена академия. Годишникъ 1896—1926. София 1927, 19. Ivanov, Christiphore Gefarovic “La Bulgarie” 6. X. 1927.

[3] J. Skerli, istorija nove srpske knjizevnosti, Beograd 1921, 44. Petar Kolendic, Dzefarovic i njegovi bakrorezi. Glasnik historiskog drustva u Novom Sadu, vëll. 8, 1. IV, vëll. 1. Sremski Karlovci 1931. Davidov, vep. e cit.

[4] St.Stanojevic, Narodna enciklopedija, I.

[5] Kolendic, vep. e cit. 37.

[6] Mala Enciklopedija “Prosveta” II, Bgd. 1959, 463.

[7] Olga Mikic, Hristifor Zefarovic i zivopis manastira Bodjana, Galerije Matice Srpske MCMLXI, 8, Kolendic v. c. 37.

[8] Petrovski, v. c. 4. Dimitrije Ruvarac, Ka izvacanju H. Zefarovica, Prilozi za knjizevnost, jezik, istoriju i folklor. II, Beograd 1922, 21.

[9] Davidov, v. c. 37.

[10] Mikic, v. c. 11 dhe Davidov, v. c. 51.

[11] Davidov, v. c. 40.

[12] Kolendic, v. c. 40.

[13] Davidov, v. c. 45.

[14] Petar Kolendic, Dzefarovic i njegovi bakrorezi. Glasnik istor dr. u Novom Sadu, flet. 8. lib. IV, flet. I, Sr. Karlovci 1931, 41, Davidov v. c. 46.

[15] Davidov, v. c. 26.

[16] Mita Kostic, srpski bakrorezi osamnaestog veka. Letopis Matice Srpske, lib. 303, vëll. 1, Novi Sad 1925, 152.

[17] Davidov, v. c. 31.

[18] Sisic, O sprskom grbu “Savremenik”, viti IV, nr. 2 Zagreb 1909.

Lajme të ngjashme

Back to top button