Buxhet me Badinter?!

Pas muajve të tërë kllapie politike, periudhë në të cilën as që çelën gojën të thonë diçka për ndodhitë në shtet, partitë shqiptare më në fund sikur u zgjuan nga gjumi javën e kaluar. Shkak direkt për këtë ishte propozimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, me ç‘rast dëgjuam edhe një herë avazin e vjetër që përsëritet me të njëjtat fjalë çdo vit. Nga njëra anë lëvdatat boshe të partisë në pushtet, që po t’u besosh të duket sikur këtë vit trevat shqiptare përnjëherë do të lulëzojnë me investime ultramoderne, me rrugë, ujësjellësa, kanalizime, shkolla e spitale të reja në çdo cep. Nga ana tjetër akuzat e opozitës që më tepër i ngjajnë një “kritike për hir të kritikës”, kritikë vetëm pse e ka propozuar tjetri, të bëra pa ndonjë bazë të shëndoshë analitike dhe pa ndonjë vizion të qartë alternativ për harxhimin e mjeteve buxhetore, ashtu siç ofrojnë opozitat e mirëfillta në çdo vend me demokraci të zhvilluar.

Me një fjalë i gjithë debati për buxhetin ishte tepër i shkurtë dhe jokualitativ, nuk pati kurfarrë esence dhe përsëri u reduktua në të vetmen gjë që dinë t’a thonë (por jo edhe t’a argumentojnë) partitë shqiptare: ka apo s’ka 25%? Dhe si njësi matëse përsëri numërohen vetëm investimet kapitale, që në fund të fundit bëjnë vetëm 10% të buxhetit dhe që edhe ashtu zakonisht nuk realizohen. Partitë shqiptare përsëri u kacafytën për atë 25% të 10%, pra për 2,5% të buxhetit, për “paratë e imta” të tij. Ndërkohë asnjëra nuk pati dhe nuk ka asnjë mendim të vetin për zërat kryesorë të buxhetit, për programet ku harxhohen paratë e vërteta, për shpenzimet e administratës, penzionet, ndihmat sociale, subvencionet bujqësore e të tjera. Dhe kjo për një buxhet ku parashihen rritje të reja të shpenzimeve për të gjitha këto kategori dhe ku përsëri parashikohet deficit i madh, borxh i cili do të duhet të paguhet nga gjeneratat e ardhshme. Gjëra për të cilat partitë maqedonase vjet ishin të gatshme madje edhe të kacafyten fizikisht në parlament, përderisa shqiptarët rrinin anash sikur të mos bëhej fjalë edhe për paratë e tyre.

Megjithë këto mangësi të dukshme të partive shqiptare, opinioni shqiptar përsëri gjen mënyrë se si t’a heq fajin nga vetja dhe t’i fajësojë partitë maqedonase. Nga ky mentalitet, nga kjo mënyrë e të menduarit, kinse për t’u mbrojtur nga majorizimi, ka dalur një propozim i ri që është tejet në modë kohët e fundit. Është ky propozimi që buxheti të kalojë me votim të dyfishtë – shumicë të kualifikuar, me parimin e njohur të Badinterit, me çka mendohet se do të ndalet diskriminimi i perceptuar gjatë ndarjes së mjeteve buxhetore.

Por ata që thirren në këtë propozim si duket nuk kanë marrë parasysh aspektin më evident të tij: se votimi i buxhetit me Badinter ka efekt saktësisht të barabartë me zero! Arsyeja është shumë e thjeshtë: ky buxhet i vitit 2014, ashtu si buxhetet paraprake, do të kalojë me ose pa Badinter. Ditën e votimit pro-buxhetit do t’i ngrenë gishtat edhe 15 deputetë e BDI-së. Këta deputetë janë shumicë e deputetëve shqiptarë, me çka përmbushet kushti i Badinterit.

Në fakt lirisht mund të thuhet se pesë buxhetet e fundit kanë kaluar edhe me Badinter, pasi për ta kanë votuar edhe shumica e deputetëve shqiptarë. Poashtu është e qartë se këtë vit buxheti nuk mund të kalojë pa votat e 15 deputetëve të BDI-së, që do të thotë se ata e kanë në duar të kushtëzojnë kalimin e tij edhe pa patur mekanizmin e Badinterit. Me ose pa Badinter fati i këtij buxheti do të varet nga këta 15 deputetë, që supozojmë se do të votojnë në vijë me deklaratat e ministrave të partisë që lavdëruan aq shumë këtë buxhet. Badinteri këtu nuk ndihmon aspak; buxheti do të kalojë me ose pa të.

Problemi me buxhetin pra nuk qëndron te mospasja e Badinterit; problemi është se atë e miratojnë edhe shumica e përfaqësuesve shqiptarë, që shprehin vullnetin e shumicës së popullatës shqiptare në Maqedoni. Dhe nuk ka, e as që duhet të ketë, ndonjë mekanizëm për të ndalur këtë vullnet. Prandaj janë të kota thirrjet e PDSH-së, e cila është më e zëshmja në këtë drejtim, për votim të dyfishtë të buxhetit. Për të imponuar vullnetin e saj ajo më së pari duhet të sigurojë shumicën e votave të popullatës shqiptare dhe atëherë nuk do t’i duhet më Badinteri.

Në një nivel më të përgjithshëm mekanizmi i Badinterit është menduar si masë mbrojtëse nga mbivotimi nga ana e popullatës shumicë mbi atë pakicë. Mirëpo vitet e fundit në parlamentin e Maqedonisë nuk kemi fenomen të majorizimit të shqiptarëve nga ana e maqedonasve; ajo që ndodh është dominimi i pakompromis i pushtetit mbi opozitën. Me përjashtim të ligjit të “branitellave” nuk ka patur asnjë rast kur deputetët maqedonas janë rreshtuar përballë atyre shqiptarë; përkundrazi çdo zënkë ka qenë rreshtim i pushtetit nga njëra anë dhe opozitës nga ana tjetër. Ashtu do të jetë edhe këtë rradhë kur të votohet buxheti.

Fajin pra nuk e ka Badinteri, sepse problemi është te kualiteti i përfaqësuesve në parlament dhe te vendimet që marrin ata. As për shqiptarët, e as për gjithë qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, situata nuk do të ndryshojë përderisa mos ndryshojë kualiteti i këtyre politikanëve tanë. E për këtë zgjidhje nuk është Badinteri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button