Duro dhe Alimi: “Short i vështirë, do provojmë shansin”

Shorti i sotëm për raundin e parë eliminator të Liga Evropës është ndjekur ‘live’ nga stafi teknik dhe futbollistët e Shkëndijës, të cilët qëndrojnë në përgatitje në Rogashka Sllatina të Sllovenisë. Skuadra Aberdeen FC sigurisht se nuk ishte në mesin e kundërshtarëve të preferuar, mirëpo gjithsesi se përballjet me këtë ekip do të jenë një përvojë e madhe e Shkëndijës, gjithnjë duke kërkuar hapsirë për befasi.

Pasi kanë ndjekur direkt hedhjen e shortit dhe analizës së shpejtë të kundërshtarit, shefi i stafit teknik Shpëtim Duro dhe mesfushori Armend Alimi kanë dalë me ragim ku kanë shprehur impresionet e para dhe pritjet nga përballjet me ekipin skocez.

“Siq dihet shorti na vuri përballë ndaj Aberdeen të Skocisë. Patjetër që dihen vlerat e futbollit skocez, akoma më tepër skuadra e Aberdeenit është shumë e njohur në nivelin e futbollit Evropian. Sigurisht se është short i vështirë, por kam besim se skuadra jonë ka kualitet, kemi lojtarë cilësorë për të bërë një paraqitje shumë të mirë në të dyja takimet dhe pastaj të shikojmë se si do të zhvillohen situatat gjatë lojës”, deklaroi trajneri i Shkëndijës, Shpëtim Duro. Ndërkohë edhe mesfushori Alimi ka cilësuar të vështirë shortin dhe faktin që do të përballemi me ekip cilësor si Aberdeen, mirëpo pa ngritur flamur të bardhë para përplasjeve të vështira.

“E pamë që do të përballemi me skocezët e Aberdeen. Normal short i vështirë për ne, por pavarësisht kësaj ne nuk do të shkojmë me flamur të bardhë në këto dy ndeshje. Kemi kualitet të mjaftueshëm për të kërkuar befasinë dhe të kalojmë raundin. Besoj se me angazhim maksimal të të gjithë lojtarëve dhe përkrahësve do të mund të befasojmë këtë ekip. Por në futboll duhet edhe fat, shpresoj ta kemi në anën tonë në këto dy ndeshje dhe t’ia kalojmë sa më mirë”, u shpreh mesfushori Armend Alimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button