ANALIZË: E gjatë lista e milionave të marra kredi nga Qeveria vetëm në vitin 2014

Kredi për ndërtimin e ndërtesave, për rrugë rajonale, për projekte të arsimit. Këto janë vetëm një pjesë e huave që i ka marrë qeveria gjatë vitit ekonomik 2014, gjatë të cilit borxhet më të mëdha u krijuan si rezultat  i eurokambialit dhe Eksim bankës kineze për ndërtimin e rrugëve. Nëpërmjet pesë kredive të marra dhe eurokambialit të lëshuar, shteti shkaktoi borxhi të ri prej 1,5 miliardë euro, e përveç kësaj janë edhe borxhet ndaj kreditorëve të vendit. “Portalb”-i bën një përmbledhje të kredive kryesore të cilat i ka marrë qeveria gjatë vitit të kaluar në terrenin vendor dhe jashtë vendit.

Еurokambiali, 500 milionë euro…

Në përpjekje që të sigurojë para për funksionimin aktual të buxhetit, vitin e kaluar qeveria ndërmori një veprim me të cilin hyri në borxh prej gjysmë miliardë eurosh. Lëshoi në qarkullim eurokambialin që duhet të kthehet për shtatë vjet, dhe në ndërkohë duhet të paguhet kamatë prej 3,975%. Kjo hua përfundoi për financimin e shpenzimeve buxhetore të qeverisë, gjegjësisht për deficitin buxhetor, i cili sipas Llogarisë përfundimtare të vitit 2014, përsëri është më i madh për 40 milionë euro se sa deficiti i projektuar.

Hua nga Kina, 783 milionë dollarë…

Vitin e kaluar, qeveria duke u vënë në pozitën e garantuesit, mori njërin nga huazimet më të mëdha kreditore në vlerë prej 783,4 milionë dollarë. Paratë i huazoi nga Eksim banka kineze, për ndërtimin e dy autostradave, njërën në perëndim, Kërçovë-Ohër dhe tjetrën në lindje, Milladinovc-Shtip. Qeveria nuk është bartëse e kësaj kredie, mirëpo është garantuese për kredinë të cilën e ka marrë NP për rrugë shtetërore. Afati i pagesës së kësaj huaje është 20 vjet, me kamatë prej 2%. Pikërisht kjo hua i ndau mendimet mendimet e ekspertëve ekonomikë. Investimet në infrastrukturë janë të mirëseardhura, mirëpo ekspertët i hapën dilemat për atë se çka saktë përmbajnë këto marrëveshje dhe në cilat projekte infrastrukturore janë harxhuar mbi 2 miliardë euro, për aq sa u rrit borxhi publik gjatë tetë viteve të fundit.

Kredi nga BERZH-i për rrugë nacionale, 160 milionë euro 

Edhe një kredi tjetër për të cilën garanton qeveria. Në fund të vitit të kaluar, NP për rrugë shtetërore mori hua prej 160 milionë eurosh nga Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim për “Projektin për rehabilitimin e rrugëve magjistrale dhe rajonale”. Afati për kthimin e kësaj huaje është 15 vjet.

Kredi nga Banka botërore për arsimin

Në fillim të shkurtit të vitit të kaluar qeveria mori hua prej 17,7 milionë eurosh nga Banka botërore, për realizimin e Projektit për zhvillimin e shkathtësive dhe për inovacione. Kjo kredi e re është e dedikuar për aktivitetet e Ministrisë për Arsim dhe Shkencë dhe të Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik, gjegjësisht, siç thuhet në raportin e qeverisë, për përmirësimin e kualitetit të arsimit të lartë, arsimit profesional, si dhe për përkrahje financiare publike për stimulimin e kapacitetit të inovacioneve të kompanive nga Maqedonia. Afati për kthimin e kësaj kredie është 18 vjet, ku është përfshirë edhe një grejs periudhë prej 5 vitesh. Kësti i parë për pagesë është më 1 shkurt të vitit 2019, kurse kjo kredi do të kthehet deri më 1 gusht të vitit 2031.

Kredi nga BERZH-i për hekurudhat, 145 milionë euro

Në fund të vitit 2014 qeveria u fut në kredi të re, dhe nga Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim mori hua për projektin “Ndërtimi i hekurudhës së re dhe rekonstruimi i asaj ekzistuese në pjesën Beljakovc-Kriva Pallankë, në Korridorin VIII, faza 2”. Pakoja e përgjithshme kreditore është 145 milionë euro. Pas kredisë qëndron Ministria për Financa, e cila i huazoi paratë për NP për infrastrukturë hekurudhore “Hekurudhat e Maqedonisë”. Në bazë të marrëveshjes, afati për pagesën e kësaj huaje është 15 vjet, me grejs periudhë prej 4 vitesh, që do të thotë se ajo do të fillojë të kthehet në tetor të vitit 2018 deri në tetor të vitit 2029. 

Kredi të komunave dhe të ndërmarrjeve publike, 7,3 milionë euro

Që ta përfundojë ndërtimin e ndërtesës së re administrative, NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, e cila akoma ballafaqohet me probleme të arkëtimit të borxheve nga palët dhe lufton me likuiditetin, në fund të vitit 2014, mori hua prej 7,3 milionë eurosh nga Banka Komerciale. Projekti përfshin realizimin e punëve ndërtimore dhe punëve ndërtimore-të zejtarisë për ndërtimin e ndërtesës së re administrative. Afati për kthimin e kësaj huaje është dhjetë vjet, ndërsa përqindja e kamatës është me lartësi prej 6% në vit. 

Hua nga kreditorët e brendshëm, 894 milionë euro

Vitin e kaluar, në terrenin vendor, qeveria ka realizuar 162 ankande të letrave me vlerë, nëpërmjet të të cilave ka marrë hua prej 894 milionë eurosh. Borxhi i brendshëm shtetëror, në fund të vitit 2014 ishte pothuajse 1,2 miliardë euro, dhe ka rënie prej 3,8 milionë eurosh në krahasim me vitin paraprak.

Në llogaridhënien e fundvitit, Ministria thekson se Maqedonia edhe me përqindjet e vitit të kaluar të borxhit publik dhe atij shtetëror mbetet në zonën e ngarkesës së matur me borxh.

“Borxhi publik i Republikës së Maqedonisë, i cili e përfshin borxhin shtetëror dhe borxhin e garantuar publik, në fund të vitit 2014 ishte 3.921,3 milionë euro, që paraqet 46,0% të PBB-së. Borxhi i jashtëm publik është 2.725,1 milionë euro, ndërsa borxhi i brendshëm publik është 1.196,2 milionë euro”, thuhet në raportin vjetor.

Një pjesë e ekspertëve një kohë të gjatë alarmojnë se me të gjitha këto borxhe afatgjate, Maqedonia e dëmton pozitën e stabilitetit, veçanërisht kur bëhet fjalë për kredi që shfrytëzohen për financimin e shpenzimeve aktuale buxhetore. Gjendja me borxhet gjithnjë e më të mëdha, është pjesë përbërëse edhe e vlerësimeve të Komisionit Evropian, i cili në njërin nga raportet e tij theksoi:

“Borxhi i brendshëm publik, i cili e përfshin edhe borxhin e ndërmarrjeve me pronësi shtetërore, agjencive publike dhe institucioneve publike financiare, me gjasë do të jetë dukshëm më i madh. Kjo, poashtu do ta përfshijë edhe ndërmarrjen e posaformuar publike për rrugë shtetërore, nëpërmjet së cilës qeveria i kanalizon harxhimet e konsiderueshme të infrastrukturës rrugore, dhe e cila mund të huazojë para në emër të vetin, mirëpo si garantuese paraqitet qeveria” – thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Edhe pse KE-ja rekomandoi zvogëlim të deficitit fiskal, megjithatë ajo shprehi dyshim se a do të mund kjo të realizohet për shkak se qeveria vendosi t’i rrisë harxhimet për rroga, pensione dhe transfere sociale më të mëdha.

Përveç kredive të përmenduara me vlerë të madhe, vitin e kaluar janë marrë edhe kredi më të vogla për projekte për bashkëpunim ndërkufitar.

Lajme të ngjashme

Back to top button