Muaji i dashurisë

Ditët e fundit para Muajit të shenjtë përherë më janë dukur ideale per shetitje të gjata, gjithë ditën në qytet. Atëherë kam shtytje natyrale të jem sa më gjatë në lëvizje, mes njerëzve të dashur…para se të fillojë periudha e ditëve me orar tjetërfare.

U shpjegoja me një rast miqëve të krishterë se jo vetëm ngrënia, pirja dhe duhani, por bile edhe prekja nëse paraqet cytje për pasion…të gjitha janë të ndaluara, nga agimi deri në aksham.

Po shikimi, nëse është senzual, a është i lejuar? – më pyeti njëri prej tyre.

Eh, shikimi zor që s’kontrollohet. Posaçërisht nëse është e vetmja gjë që të mbetet të shkëmbesh me dikend që mund të jetë është sa larg aq afër, paradoks i dashurisë. Kjo në miqësi nuk e mundur: vërtet mik është ai që duam shpesh ta shohim e jo ai që detyrimisht e shohim shpesh, por sërisht pa u parë e pa u takuar miqësia nuk mund të mbijetojë, shkon duke u venitur…

Kam një shok, ashtu i dhënë pas grave, përherë i ka pasur në shumës, pa u mjaftuar asnjëherë me gruan zyrtare. Aq i pasionuar ishte të fillojë gjithmonë nga fillimi sa me kalimin e kohës nuk e fshehte tabijatin, a si duket edhe gruaja e vet u mësua tashmë se ai nuk e ka haberin të ndryshojë dhe ndoshta ka ngushëlluar veten si Frida Kalo për Diego Riverën, të dytë artistë, të dytë jobesnik: “nuk do mundesha të jem me burrë që nuk u pëlqen femrave tjera”. Posa niste muaji i shenjtë, miku vendoste në stand by të gjitha aktivitetet e jashtëligjshme dhe plotësisht u dedikohej riteve fetare, lojal në Rrugën kah vetëkontrolli, apstenimi dhe bashkimi me fetarët tjerë në xhamitë e mbushura fund e majë. E pyesja Kazanovën vallë aspak nuk takohet me të dashurën e vet gjatë kohës së agjërimit; po, pse jo, u përgjigj, pasi për të kryesore qenka se i nënshtrohet rregullit të spastrimit dhe largimit nga kënaqësitë e ndaluara jo vetëm gjatë agjërimit, por edhe në netët e Ramazanit kur, si në një poezi boshnjake, gjithçka është e lejuar, respektivisht thuaja gjithçka, si në rastin e Mikut.

…Ma merr mendja se jomuslimanët admirohen nga fakti se ky muaj kalon i tëri në frymën e solidaritetit dhe ndihmesës, fetarët janë më dorëlirë se kurdoherë tjetër, pra edhe softat e iftarit dhe syfyrit më të begata edhe tek ata që nuk munden vetë pa ndihmën e zemërgjerëve…Poashtu u bën përshtypje që ky është muaj i afrimit famijar, vizitave tek njëri tjetri, darkave të përbashkëta…muaj kur rrugët boshatisen para thirjes së myezinit dhe gjallërohen më pas kur njerëzit nisen për zijarete apo për në xhami që kanë nje energji sa të qetë aq edhe të fuqishme, me ato qindra drita minaresh si shkëdija shprese në terr…(ne mësohemi me këtë rend dhe sikur harrojmë ta vlerësojmë sa duhet shembullin imanent të komunikimit, ndihmesës dhe mëshirës në këtë kohë tëhuajësimi dhe distance mes njerëzve). Muaj i dashurisë ndaj të afërmit, ndaj tjetrit dhe ndaj botës, i falemnderimeve ndaj atij që na ka mundësuar gjithë të mirat që duhet gëzuar…kjo është në fakt esenca e muajit të shenjtë dhe ekvivalenti i dedikimit fetar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button