MES AKREPAVE TË ORËS

Zura sërish të ikja shpejt si koha mes katër mureve të mia, edhe unë mes akrepave të orës, pak e çrregullt, por progresive, sikur gjithçka të shkonte gjithmonë diku prapa meje. Një ditë mblodha gjërat e zonjes Ana, i mbështolla dhe i flaka në dollap. Më kishte mbetur në vesh një vërejtje e zonjës Ana, të kohës para bashkjetesës sonë. Kishte thënë është e pamundur që në dollap të futen të gjitha, në një moment do të jetë plot. Atëbotë s’e kisha ushqyer mosbesimin e saj duke i thënë se s’e kisha boshatisur kurrë në kaq vite, por tani për te isha habitur dhe unë.

Ca ditë më vonë gjeta në banjo një kuti nuk e di se me çfarë kremi që duhej t’i përkiste asaj, hapa dollapin për t’ia shtuar gjërave të saj, por bohçja ishte zhdukur. Mendova se ishte kthyer ndërsa isha jashtë, kishte ende çelësat. Por tashmë kisha mbërritur në atë pikë në të cilën i thosha këto gjëra kundër asaj që në të vërtetë i druhesha.

U shtriva në shtrat i merakosur dhe rashë në gjumë i shqetësuar. Pashë në ëndërr sikur të gjitha mobiljet e shtëpisë sime përfundonin një e nga një në dollap, ashtu si ditët, mendimet, të përpira në errësirë, në heshtje, në zbrazëti. Duke e zgjuar pata përshtypjen se shtëpia ishte bërë me të vërtetë më e vogël. Dola në rrugë, ishte një mbrëmje afër Vitit të Ri, dyqanet ishin plot dritë, të zbukuruara dhe ato dukeshin më të vegjël.

Festa madhështore ishin ca vitrina, se si ishin zvogëluar çdo herë e nga pak, ashtu si dhe shumë ëndërra të miat, për një grua shumë të bukur dhe të paarritshme, për një jetë të shkëlqyer, gjërat, para se të vdesin, duket se duhet të na kalojnë para syve në një shpjegim të meskinizuar, ndoshta për të na ndihmuar që të ndahemi prej tyre dhe do të ishte një nder dashamirës, ndoshta për të na detyruar të ndjejmë përdëllim për kotësin e disa synimeve, apo për të na përkulur, më në fund dhe me dhimbje, në karakterin mekanik të jetës së jashtme. Shuhen ëndrrat dhe të njejtat gjëra na duken të shfryhen, shtëpitë bëhen më të vogla, ditët më të shkurtra.

E pash të afrohej , të bënte ca buzëqeshje të ëmbëlta, të shprehte ca dhembshuri. Bënte ftohtë, ku isha unë dhe thashë pa shpresë:

– E ndjej shumë mungesën tënde.

Eroll Velija

Lajme të ngjashme

Back to top button