Kontesti i kotë për ezanin e plotë

Në vazhdën e debateve të vazhdueshme, por që nisen e nuk sosen në Maqedoni bën pjesë edhe disa nga manifestimet e simboleve fetare. Bile ekziston një sqarim se intensifikimi i këtij debati gjithmonë ka qenë ogurzi për Maqedoninë. Kjo pasi edhe në vitin 2001, para fillimit të konfliktit të armatosur, kishte shumë kësi debate dhe simbolika. Ashtu edhe atëherë ishte inauguruar kryqi i madh në malin Vodno, ishin mbajtur fjalime me diskurs të ashpër kundrejt krejt botës dhe kishte nisë debati për volumin e thirrjes për faljet myslimane: ezanin. Shumë ngjashëm me aktualitetin ku ka iniciativë për ndërtim të një objekti “më shumë kryq, se sa kishë” në fshatin Oktisi të Strugës, dita-ditës diskursi kthehet kundër gjithë botës, i cili kulmoi në fjalimin e mbajtur të Gruevskit në asamblenë e OKB-së, dhe në media qeveritare publikohen kurdisje propagandistike për volumin e ezanit nëpër xhamitë e vendit. 

Ndonëse ky kontest është i kotë pasi bëhet fjalë për një kurdisje mediatike sërish shkaku i dy momenteve të reja mendoj se meriton nënvizim. Kurse ky kontestim është i kotë për shumë arsye. E para se është vendosur nga dhe në kahe të gabueshme. Debati i vërtetë do duhej të ishte së pari brenda në institucionin fetar se pse i njëjti institucion nuk merret me punën parësore që ka: rregullimin dhe organizimin e jetës fetare në vend dhe tek pastaj të bëjë “politikë” ose zhvatje të hollave të besimtarëve të vet nëpërmjet shitjes të vizave për në haxhillëk, viza këto që janë falas dhe që është qartë e shënuar në to. 

Si mundet që ky institucion nuk merret aspak me xhamitë e as me ezanin në to, kur në shumicën e tyre volumi i ezanit është i njëjtë, si ai në mëngjesin pa zhurmë, ashtu edhe ai gjatë ditës së zhurmshme?! Ashtu, volumi që shumë dëgjohet në mëngjes, ditën nëpër qytetet e zhurmshme ndodhë që nuk dëgjohet as në distanca të afërta. 

Shkaku tjetër që provon kotësinë e këtij kontestimi është se në Maqedoni tani më është miratuar një ligj që rregullon nivelin e zhurmës dhe është në kompetenca të ministrisë së Ekologjisë, ministri kjo që aktualisht udhëhiqet nga një ministër i BDI-së. Emërtimin e saktë të ligjit dhe të ministrit përkatës opinioni do kishte mundësi ta mësonte nëse ligji së bashku me ministrin nuk do ishin kështu të harruar për opinionin edhe në çështje që janë në kompetenca të tyre. Por, sidoqoftë, ky ligj vlen për gjithë zhurmat e kota dhe të patolerueshme. Nga diskotekat e zëshme që tërë verës pamundësojnë që shumë lagje në kryeqytet të mos mund të flenë në orar normal e deri te meloditë e zëshme të “Skopje 2014” dhe gjepurat tjera. Ashtu ka dhe mbeten shumë gjëra dhe zhurma në të cilat duhet mësëpari të implementohet ky ligj, si shumë ligje tjera në Maqedoni, i pa implementuar, deri sa të arrijë debati mbi kambanat e kishave ose ezanet e xhamive.

Por dy janë momentet e reja krahasuar me 2001 që këtë herë janë të denja për nënvizim. I pari është se në nismën e kontestimit është përdorur një shoqatë fantome, e cila sipas disa raportimeve në media, përdoret vetëm për të shpërndarë miell gjatë blerjes së votave në disa pjesë të Shkupit ku qytetarë të përkatësisë islame janë në minoritet. E reja është se kjo shoqatë nominalisht konsistohet nga myslimanë dhe kjo risi është një metodë për anashkalimin e ndërlikueshmërisë së kontestit dhe ndarjes së opinionit që shpesh pamundëson zhvillimin e debatit në opinion. 

Kjo metodë anashkalimi u përdor edhe me herët në Prilep me qëllim të bllokimit të rindërtimit të “Çarshi Xhamisë” në Prilep, një monument kulturoro-historik i shkallës së parë e që u djeg me motive të spastrimit etnik dhe fetar të këtij qyteti në vitin 2001. Por, edhe sivjet në pranverë kur me rastin e protestave që bënin qytetarët shqiptarë kundër rrahjeve të shpeshta dhe mosefikasitetit të institucioneve për to u përdorën disa elementë, të cilët që atëherë saktë u identifikuan si “gruevistë të xhamiave”, që të dekurajojnë njerëzit nga protestat. Duhet menduar që tani çka nëse me këtë metodë formohet edhe një institucion i ri, i tërë, fetar i cili do bëjë paralelizëm dhe madje mund ta ketë shtyrjen e klikave qeverisëse në vend?!

Moment tjetër i denjë për nënvizim është edhe reagimi për këtë çështje të ezanit nga ana e disa hoxhallarëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova. Ky po ashtu është moment i ri, pasi më parë kishim reagim nga subjekte të ndryshme në lidhje me çalimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve këtu, por kjo është prej herëve të para që kjo bëhet në lidhje me përfaqësimin fetar. A do të zhvillohet kjo deri në atë masë sa të mund të thuhet se pasi Shqipëria dhe Kosova panë se nuk kemi politikë dhe politikanë tani kanë konstatuar se nuk kemi as institucion fetar e as hoxhallarë?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button