ORIGJINËMOHUESI

Im atë më rrëfente shpesh për një mësues të tij në shkollë fillore, të cilin e donte shumë. E kishte takuar sërish, vite më vonë, kur ishte nxënës i Normales. E kishte njohur mësuesin e lodhur, të dërmuar. I ishte afruar, por pa arritur t’i tregonte se kishte qenë nxënës i tij në fillore, mësuesi i kishte kërkuar që t’ia blinte një pako cigare. Si i kishte marrë pakot e cigareve dhe ca gjëra të tjera, ishte larguar në drejtim të panjohur. Babait i ishte fiksuar pamja e mësuesit të sapodalë nga burgu. Më vonë, im atë, e kishte mësuar se mësuesi i tij ishte arratisur matanë kufirit.

Im atë më thoshte se mësuesi i tij ishte shkrimtar. Në mendjen e babait mësuesi ishte dijetari, i cili nuk qe pajtuar me regjimin antishqiptar. Babai nuk e dinte se ai ishte burgosur edhe ATJE. Besonte se në Shqipëri ishte i nderuar.

Mësuesi i babait tim ishte Kapllan Resuli, i cili, vite më vonë, pas hapjes së kufijve, erdhi në Tetovë.

Me të marrë lajmin u gëzova, sepse do të takoja mësuesin e babait tim. Im atë ishte tepër i lumtur. Mbase do të kishte rastin t’i tregonte se sa e kishte dashur e respektuar; se sa shumë dhembje kishte ndjerë kur kishte marrë lajmin e arratisjes së tij. Por gjithçka u përmbys sapo mësuesi i dikurshëm filloi të fliste para publikut tetovar. Fliste marrëzira. Të pranishmit, për mirësjellje, nuk e kundërshtonin. Ndryshe nga ata e kundërshtova ashpër dhe me arrogancë, që të pranishmit ma morën për të keq. E para se i fola me arrogancë një shkrimtari që kishte qenë i dënuar, këndej e andej. Së dyti se kishte qenë mësues i babait tim. Së treti, se vinte nga Shqipëria. Gjithkush që vinte nga matanë gardhit duhej të pritej me të gjitha nderet. Në fakt, doja t’ia bëja të gjitha nderet, por nuk ma mbushte mendjen se i meritonte…

Im atë heshtazi më dha të drejtë. Sikur Kapllani të mos kishte folur marrëzira, me gjasë, do t’i prishej qejfi. Ndjeva sikur ma tha në heshtje, pa fjalë, se asgjë nuk kishte mbetur prej mësues Kapllanit.

Mësues Kapllani i fëmijërisë së babait tim ishte tretur. Ishte shfytyruar. Nuk e njihte as vetveten. Ishte bërë dikush tjetër: me emër e me komb. Kishte ikur gjatë gjithë jetës prej emrit të tij, prej origjinës së tij, duke krijuar gjithçka false për vetveten. Fals i kishte titujt shkencorë. Fals e kishte titullin “akademik”. False ishin shkrimet e tij, plot gënjeshtra e mashtrime. False ishte dija e tij.

E kam parë edhe njëherë tjetër në Strugë, ku isha i ftuar në Mbrëmjet Poetike të Strugës. Me gjasë e kishin ftuar edhe Kapllanin, ndonëse askund nuk figuronte emri i tij në listën e mysafirëve. Pothuajse gjithë ditën rrinte në bufenë e hotelit, një bufe në bodrum, ku e joshnin me mirësjellje.

Në këtë periudhë kishte botuar disa shkrime në gazetat maqedonase. Thoshte gjërat më të pista kundër shqiptarëve. Ishin shkrime për të cilat do t’ia kishin lakmi edhe intelektualët më shovinistë serbë.

Më dukej kufomë e gjallë. Më vinte keq që e kisha adhuruar, pa lexuar gjë prej tij. Për mua ishte mësuesi i babait tim në shkollën e Tearcës.

Më vinte keq për babanë tim që, pas kushedi sa vitesh, ishte zhgënjyer me mësuesin e tij të adhuruar, që villte urrejtje kundër kombit të tij, madje e kishte mohuar.

Dëgjoj si thonë se nuk ka origjinë shqiptare. Nuk e di. Edhe kjo flet keq për personin e tij. Nëse dikur është shtirur si shqiptar, do të thotë se ka mohuar një tjetër origjinë. Pra, ai qenka origjinëmohues. Sa për shkrimet e tij, vetëm dëshmojnë se ai mund të jetë gjithçka por jo edhe shkencëtar. “Shkenca” e tij është false sa titujt shkencorë e akademik që ja ngjet emrit të tij. Është gënjeshtrologji.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button