Analizë: Gjendja pronësore e funksionarëve – e rrejshme ose e vërtetë?

Edhe pas përfundimit dhe tërheqjes nga funksioni, funksionarët kanë obligim të dorëzojnë fletë anketuese për gjendjen pronësore që të shihet se me sa kapital kanë ardhur dhe me sa kapital janë larguar nga funksioni, vlerësojnë ekspertët për Portalb. Nga baza e Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, pas dorëheqjeve të Jankullovskës dhe të Janakievskit u tërhoqën fletat e tyre anketuese, pasi ata e kanë njoftuar Komisionin se u ka përfunduar funksioni. Sa fletat anketuese e tregojnë realisht gjendjen pronësore të funksionarëve?

Edhe pas dorëheqjeve të ministrave, publiku duhet të ketë qasje në gjendjen e tyre pronësore… 

Nevojitet jo vetëm rregullativë ligjore, por edhe vullnet politik që të kontrollohet, të ndiqet dhe të publikohet objektivisht gjendja pronësore, gjegjësisht pasuria e funksionarëve, thonë ekspertët pasi opozita publikoi audio-materiale në lidhje me gjendjen pronësore të funksionarëve të dalluar aktualë dhe të mëparshëm qeveritarë.

“Rregullativa ligjore është e qartë, çdo funksionar i zgjedhur dhe i emëruar, drejtor, bartës i funksionit publik e kështu me radhë, e ka për oblgim që në fletën anketuese ta paraqesë pronën e tij dhe pronën e familjes së tij. Rregullativa e vendosur në këtë mënyrë është e qartë dhe nuk ka lëshime Poashtu janë paraparë edhe dënime që rrotullohen prej 500 deri në 1.000 еuro nëse nuk paraqitet prona ose nëse ajo paraqitet në mënyrë të rrejshme. Aty është edhe zgjidhja ligjore sipas të cilës parashihet tamim prej 70 për qind për pronën e cila është përfituar me para të patatimuara. Ligje ka, dhe para së gjithash, ato duhet t’i zbatojë Komisoni shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Çështë tjetër është se sa dhe a zbatohen zgjidhjet ligjore”, thotë për Portalb, profesori universitar dhe njëri nga anëtarët e mëparshëm të Komisionit, Arif Musa.

Sipas informatave nga raporti i fundit vjetor i komisionit për antikorrupsion, vitin e kaluar janë dorëzuar 441 fleta anketuese pas zgjedhje ose emërimit në ndonjë funksion, 238 fleta anketuesse pas përfundimit të funksionit, 45 raportime për ndryshimin e funksionit dhe 91 për rizgjedhje. Gjatë periudhës së njëjtë janë pranuar 384 paraqitje për ndryshime të gjendjes pronësore.

“Në bazë të raportit të KSHPK-së për vitin 2014, në përputhje me kompetencat ligjore, kundër 51 funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar, deri te gjykata kompetente janë parashtruar kërkesa për ngritje të procedurave kundërvajtëse për shkak të mosdorëzimit të fletës anketuese, gjegjësisht mosparaqitjes së ndryshimeve në gjendjen pronësore. Në këtë periudhë, për këto dhe për kërkesa të parashtruara më parë, gjykatat kanë sjellë 32 vendime gjyqësore. KSHPK-ja edhe më tej ka vështirësi për t’i siguruar të dhënat themelore (NVAQ-në dhe adresën e banimit) për funksionarët që nuk kanë dorëzuar fletë anketuese, e për të cilët duhet të ngritet padi kundërvajtëse”, thuhet në raportin e KSHPK-së.

Pas dorëheqjeve të tre funksionarëve qeveritarë, nga baza e komisionit u tërhoqën fletat anketuese të ministrave Jankullovska dhe Janakievski, ndërsa fleta anketuese e Mijallkovit akoma është në dispozicion. Еkspertët thonë se edhe pas tërheqjes nga funksioni, funksionarët e kanë për obligim që të dorëzojnë fletë të re anketuese, e cila do të përmbajë informata për gjendjen pronësore në momentin e largimit nga funksioni, që të mund të bëhet krahasim me gjendjen pronësore kur kanë ardhur në funksion.

“Ekziston obligim ligjor, sipas të cilit edhe pas përfundimit të funksionit, funksionari në afat prej 30 ditësh duhet të dorëzojë fletë të re anketuese, një kopje deri te Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, ndërsa tjetrën te Drejtoria për të hyra publike. Në fakt, ajo është fleta anketuese e cila duhet t’i përmbajë të dhënat e plota për gjendjen pronësore dhe për ndryshimet në të dhe ajo në një afat të caktuar kohor duhet të jetë në dispozicion të publikut që të shihet, gjegjësisht të bëhet krahasim ndërmjet kapitalit, përkatësisht pronës me të cilën kanë ardhur dhe pronës me të cilën janë larguar nga funksioni”, thotë për Portalb, profesori Musa.

Çështja se a e paraqesin fletat anketuese gjendjen e vërtetë pronësore të funksionarëve u hap pasi LSDM-ja opozitare me publikimin e audio-materialeve akuzoi se, tashmë ish-ministresha, Jankullovska dhe ministri Stavreski disponojnë me pronë e cila nuk është e evidentuar.

Që në vitin 2013, zëdhënësi i LSDM-së e pyeti policen e atëhershme të parë se si për një periudhë të shkurtër kohore ka arritur të blejë dy banesa në rrugën “Dimçe Mirçev”. Atëherë Jankullovska u përgjigj me shkrim:

“Nuk kam blerë banesa prej 214 metrash katrorë. Fleta e pronësisë e dëshmon këtë. Nuk është e vërtetë se ka marrë kredi afatgjate. Kontrata me Sparkasse e dëshmon këtë. Komisoni shtetëror për parandalimin e korrupsionit e vërtetoi këtë. Petre Shilegovi gënjen”, shkruante në reagimin e saj, ndërsa rasti përfundoi në gjyq.

Vendimi i parë gjyqësor, të cilin gjykata ia shqiptoi Shilegovit ishte që ai t’i paguajë pak më shumë se tetë mijë euro dëmshpërblim Jankullovskës për shkak të dëmtimit të nderit dhe autoritetit me pohimet e shprehura në konferencën për shtyp të partisë, se nuk i ka paraqitur banesat me të cilat disponon. Jankullovska atëherë, edhe pse nuk u paraqit në gjyq, megjithatë në një konferencë për shtyp, deklaroi se ka qenë e kënaqur me vendimin e gjykatës.

Gjatë muajit maj, aktgjykimi për Shilegovin u anulua nga ana e Gjykatës së Apelit me arsyetimin se nuk ka pasur bazë për shpifje, për shkak se të dhënat për pronën e Jankullovsksë janë marrë nga institucionet shtetërore.

Gjatë vitit 2014, KSHPK-ja deri te Drejtoria për të hyra publike ka dorëzuar gjithsej 58 kërkesa për ngritjen e procedurës për shqyrtimin e pronës dhe të gjendjes pronësore të personave të zgjedhur dhe të emëruar.

“Sipas njoftimeve nga DHP-ja, janë përfunduar 37 procedura për shqyrtimin e pronës dhe të gjendjes pronësore. Prej tyre, 35 procedura janë ndërprerë me përfundim, për shkak se është konstatuar se personat kundër të cilëve është ngritur procedurë nuk kanë përfituar dhe nuk posedojnë pronë që është më e madhe se sa të ardhurat e tatimuara, gjegjësisht prona që e posedojnë buron nga të ardhura që janë tatimuar dhe paraqesin pronë të përfituar legalisht. Në një rast është marrë vendim me të cilin personi obligohet me tatim personal në bazë të të ardhurave të paparaqitura dhe të patatimuara në vlerë prej 4,9 milionë denarësh. Në një rast tjetër, DHP-ja ka sjellë vendim me të cilin personi obligohet me tatim personal për të ardhura të paparaqitura dhe të patatimuara në vlerë prej 4,5 milionë denarësh. Kjo do të thotë se nga veprimi kompetent i KSHPK-së, në arkën shtetërore, për shkak të tatimeve të papaguara, janë derdhur 9,4 milionë denarë”, thuhet në raportin vjetor të komisionit.

A nuk janë të mjaftueshme rregullativa ligjore dhe lartësia e dënimeve që t’i obligojnë funksionarët realisht ta paraqesin pronën e tyre – është pyetje që parashtrohet duke pasur parasysh të dhënat që janë paraqitur në një pjesë të fletave anketuese. Kështu, ka funksionarë, të emëruar dhe të zgjedhur, të cilët, për shembull, nuk posedojnë shtëpi të veten, veturë, e disa nuk kanë as llogari në bankë.

Lajme të ngjashme

Back to top button